
Në garën për kryetar të bashkive u futën, mes të tjerëve, edhe pesë deputetë, dy prej të cilëve, përveçse lanë mandatin, dhanë edhe dorëheqjen nga postet ministrore që mbanin. Lulzim Basha, Ferdinand Xhaferraj, Ardian Kollozi, Gjok Jaku dhe Fatos Tushe vendosën të mos shkojnë më në Parlament një vit e gjysmë pasi kishin marrë mandatin, por të kërkojnë votëbesimin për në krye të 5 bashkive. Megjithatë, sot, pesë ditë pas zgjedhjeve të 8 majit, tre nga ish-deputetët kanë humbur në përballjet lokale të së dielës së kaluar. Konkretisht, Ferdinand Xhaferraj ka humbur në Durrës me rreth 3700 vota ndaj kryetarit aktual të Bashkisë, Vangjush Dako. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ish-deputetin e Vlorës, Ardian Kollozi. Kreu i PD-së së këtij qyteti u mund me 4529 vota ndaj kreut aktual të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Deputeti i tretë që ka pësuar një disfatë në zgjedhjet e 8 majit është Gjok Jaku, i cili kandidoi për kryetar bashkie në Lezhë. Jaku mori 302 vota më pak se kryetari aktual i kësaj bashkie, Viktor Tusha. I vetmi deri tani që ka fituar mandatin e kryetarit të bashkisë është kandidati i Partisë Socialiste për qytetin e Lushnjës, Fatos Tushe. Ish-deputeti i këtij qyteti mundi me 3675 vota kryebashkiakun aktual Albert Sanxhaku. I pesti, ish-deputet, që është ende në garë, Lulzim Basha, vazhdon të kryesojë me rreth një mijë vota më shumë se Edi Rama në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës.











