
Komisioni i Reformës kërkon 20 përgjigje për identifikimin me shenjë gishti të personave në qendrat e votimit
Komisioni për Reformën Zgjedhore kërkon informacion për aktivizimin e chip-it elektronik
“A identifikohet një person përmes ID Card dhe gishtit?”
Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore kërkon nga ministri i Brendshëm informacion të bollshëm rreth mundësisë së identifikimit elektronik të votuesve. Në një letër dërguar Nishanit, anëtarët e komisionit parlamentar për Reformën, në “unison” kërkojnë të marrin përgjigje për 20 pyetjet, përmes të cilave duan të marrin garanci nëse mund të aktivizohet chip-i i kartës së identitetit dhe nëse përmes tij mund të identifikohet një person i vetëm. “A është i mundur identifikimi në mënyrë të vetme i një personi nëpërmjet letërnjoftimit elektronik (ID Card) dhe gjurmës së gishtit të tij? Çfarë formatesh elektronike duhen përdorur për ta lexuar apo interpretuar këtë informacion?”, është një nga pyetjet, përgjigjja e së cilës do t’i hapte rrugë gjetjes së pajisjeve dhe programeve më të mira për të bërë identifikimin e zgjedhësve në çdo qendër votimi për zgjedhjet e 2013-s. “Cili është diapazoni kohor i procesimit, për krahasimin e gjurmës së gishtit të marrë nga pajisja me atë që ndodhet në database, për një letërnjoftim të caktuar?”, pyesin anëtarët e komisionit për reformën zgjedhore ministrin Nishani.
Nëse duhet bërë identifikimi i zgjedhësve vetëm me kartë apo dhe me shenjën e gishtit të madh, anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore pyesin Ministrinë e Brendshme nëse mjafton vetëm shenja e gishtit të madh për të bërë identifikimin. “Cili është diapazoni i madhësisë së informacionit të gjurmës së gishtit për të siguruar një identifikim të vetëm për një letërnjoftim të caktuar? A ka persona të pajisur me letërnjoftim, për të cilët nuk është regjistruar gjurma e gishtit?”, thuhet në letrën e komisionit për reformën. Duket se PD dhe PS kanë pranuar në parim që në zgjedhjet e ardhshme të identifikohet në mënyrë elektronike çdo zgjedhës, përmes kartës së identitetit dhe njohjes së shenjës së gishtit të madh. Kjo ka qenë dhe një nga kërkesat e partive të vogla të majta dhe të djathta, që kërkojnë veç të tjerash dhe identifikim elektronik të zgjedhësve. “Çfarë informacioni mund të sigurohet duke aksesuar chip-in me kontakt pa përdorur autorizimin e mbajtësit të kartës (PIN) të mbajtësit të letërnjoftimit?”, thuhet në letrën e komisionit për reformën zgjedhore, drejtuar ministrit të Brendshëm, Nishani.
Pyetjet e PD-PS për ministrin Nishani
. Sa është numri total i personave që janë të pajisur me letërnjoftim elektronik?. A është i mundur identifikimi në mënyrë të vetme i një personi nëpërmjet letërnjoftimit elektronik (ID Card) dhe gjurmës së gishtit të tij? Çfarë formatesh elektronike duhen përdorur për ta lexuar apo interpretuar këtë informacion?
. A ekziston shenja e gishtit si imazh?
. Cili është diapazoni kohor i procesimit, për krahasimin e gjurmës së gishtit të marrë nga pajisja me atë që ndodhet në database, për një letërnjoftim të caktuar?
. Cili është diapazoni i madhësisë së informacionit të gjurmës së gishtit për të siguruar një identifikim të vetëm për një letërnjoftim të caktuar?
. A ka persona të pajisur me letërnjoftim për të cilët nuk është regjistruar gjurma e gishtit?
. A ka persona të pajisur me letërnjoftim për të cilët gjurma e regjistruar e gishtit është e palexueshme?
. Cilat janë të dhënat personale të mbajtësit të dokumentit, të cilat figurojnë edhe në formë elektronike?
. Çfarë informacioni mund të sigurohet duke aksesuar chip-in me kontakt pa përdorur autorizimin e mbajtësit të kartës (PIN) të mbajtësit të letërnjoftimit?
. Si veprohet në rastin kur qytetari ndryshon një të dhënë ose i është dëmtuar letërnjoftimi i parë?
. Si veprohet në rastet kur qytetari aplikon pa
treguar që ka pasur një letërnjoftim të parë, pa paraqitur vërtetim humbjeje dhe pa dorëzuar letërnjoftimin e parë?
Aleatët
Aleatët e dy partive të mëdha, PD dhe PS, kanë bërë një sërë propozimesh për reformën zgjedhore. Një nga pikat e propozimeve të tyre është dhe identifikimi elektronik i zgjedhësve dhe numërimi elektronik i votës. Por një nga pikat më të nxehta të propozimeve të tyre mbetet korrektimi i sistemit zgjedhor, përmes të cilit ata kërkojnë që me mijëra vota të marra prej tyre, të shpërndara nëpër qarqe, të vlerësohen dhe të shndërrohen në mandate deputetësh. Aleatët kërkojnë dhe lista të hapura të deputetëve, duke dalë kundër preferencës së dy partive të mëdha për lista të mbyllura.
Komisioni
Që prej miratimit të kalendarit të tij, në muajin dhjetor, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore është mbledhur vetëm dy herë. Gjatë kësaj periudhe janë duke punuar ekspertët e dy partive të mëdha për të hartuar draftet e para, të cilat do të diskutojë dhe miratojë komisioni. Pritet që brenda dy javëve të ardhshme komisioni për reformën të mblidhet dhe të miratojë propozimet e para. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare, kreu i grupit socialist Ruçi u kërkoi demokratëve arsyet pse ka ngecur puna në këtë komision.
Astrit Patozi: “PS prishi marrëveshjen për ligjet me 3/5”
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, reagoi dje pas miratimit vetëm me votat e maxhorancës të kalendarit trejavor ku janë edhe ligjet me tre të pestat. Në një prononcim për mediat, nënkryetari demokrat u shpreh se opozita hodhi poshtë paktin e nënshkruar në nëntor. “Partia Socialiste, apo opozita në tërësi, hodhi poshtë një marrëveshje shumë të rëndësishme dhe këtë e bëri me një lehtësi të habitshme, a thua sikur nuk ishte një nga palët nënshkruese, po sikur të ishte një dëshmitare apo spektatore e painteresuar. Dje gati na u tha që nuk mund të respektohet një marrëveshje me armikun dhe unë kam përshtypjen që ky është koncepti që ka Edi Rama për kundërshtarin politik. Ai dje nuk e pati fare problem që të hidhte poshtë dhe të konsideronte si të paqenë një marrëveshje të nënshkruar nga përfaqësuesi më i lartë i opozitës në Parlament, nga zoti Ruçi, nëntorin e vitit të shkuar”, tha Patozi. Sipas tij, “dje zoti Rama tha që nuk ka marrëveshje me maxhorancën, po ka marrëveshje me qytetarët. Tani pyetja që shtrohet është, se me cilën pjesë të qytetarëve shqiptarë e ka marrëveshjen zoti Rama, sepse të gjithë e dimë që mbi 95% e shqiptarëve, sipas të gjitha sondazheve, janë shprehur se mezi presin që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Unë nuk dua të besoj që zoti Rama, me qëndrimin e djeshëm, përfaqëson atë minorancë të papërfillshme të qytetarëve shqiptarë që mund të jenë ende nihilistë për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











