Zgjedhjet e pjesshme lokale, KQZ nis shpërndarjen e materialeve zgjedhore në disa KZAZ të Bashkisë Vlorë

Nov 8, 2025 | 17:10

Të dielën e 9 nëntorit, 334.539 qytetarë në pesë bashki të vendit do të dalin në zgjedhje për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

materiale zgjedhore (1)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Në Vlorë, shpërndarja e materialeve ka filluar tashmë në disa nga njësitë vendore të administrimit zgjedhor, konkretisht në KZAZ 84, 86 dhe 87.

materiale zgjedhore (5)

Kujtojmë se në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.

Këto zgjedhje zhvillohen pas largimeve të disa kryetarëve aktualë që morën mandate deputetësh apo poste të tjera qeveritare.

materiale zgjedhore  (4)

Në Vlorë, socialistët, garojnë deputeten Brunilda Mersinin, ndërsa demokratët kanë shprehur mbështjetjen për një kandidat të pavarur si Dionis Sota. Në kahun opozitar garon si i pavarur edhe këshilltari demokrat Gjergji Nika.

Në Berat, gara zhvillohet mes Ervin Cecës, aktualisht nënkryetar i bashkisë dhe drejtues i saj që pas dorëheqjes së Ervin Demos, dhe Pavlo Shkarpës, biznesmen që kandidon si i pavarur me mbështetjen e opozitës.

Në Tepelenë, socialistët garojnë me Gramos Sakon, ish-drejtor i Gardës së Republikës për 11 vite, ndërsa përballë tij është Gabriel Guma, që hyn në garë si kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës.

Pas emërimit të kryebashkiakut Andis Salla si ministër i Bujqësisë, drejtimin e përkohshëm të bashkisë Cërrik e ka marrë Florenc Doka, i cili tashmë është kandidati zyrtar i Partisë Socialiste.

materiale zgjedhore  (3)

Përballë tij janë dy emra nga radhët e opozitës: Amarildo Hoxha, që kandidon i pavarur me mbështetjen e Partisë Demokratike, dhe Eligert Hima, që garon nën siglën “Shqipëria Bëhet”.

Në bashkinë e Matit, gara zhvillohet mes tre kandidatëve. Pas largimit të Agron Malajt për t’u bërë deputet, demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika.

Partia Socialiste përfaqësohet nga Altin Bojni, që aktualisht mban detyrën e kryetarit të bashkisë, ndërsa ish-drejtuesja e forumit të gruas socialiste në Mat, Suzana Pasha, ka zgjedhur të kandidojë si e pavarur.

Sot është heshtje zgjedhore, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit të votimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash.

Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura