U mbyll dita e 20-të e protestave masive të rinjve dhe qytetarëve kundër qeverisë Rama dhe klasës së vjetër politike.
Grumbullimi filloi pranë sheshit Skënderbej në ora 19:00 ku qytetarët nisën më pas marshimin e zakonshëm drejt Kryeministrisë. Shumë prej tyre morën fjalën në podiumin e improvizuar ku shprehën pakënaqësitë e tyre me qeverisjen Rama dhe me papërfaqësimin e problemeve të tyre prej klasës politike. Ata kërkuan edhe një herë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Pas fjalimeve ishte radha e marshimit masiv në rrugët e kryeqytetit deri orët e vona. Për rreth dy orë qytetarët kaluan nga rruga e Elbasanit, Brrylli, Xhamlliku e më pas nga rruga Hoxha Tahsim drejt qendrës ku u përmbyll protesta e 20-të.
Nesër, të shtunën, pritet që protesta të jetë edhe më masive pasi shqiptarë nga diaspora janë nisur drejt Tiranës të organizuar për t’u bashkuar me qytetarët në shesh dhe për të kërkuar largimin e Ramës.
© Panorama.al










