Në fillim të garës elektorale, në qendër të vëmendjes ishin dy partitë kryesore, ajo Demokratike dhe Socialiste. Në zonat ku kandidatët kanë hyrë në garë nën siglën e koalicioneve, si “Aleanca për qytetarin”, ashtu dhe “Aleanca për të ardhmen” votat kanë qenë të sigurta. Por, çfarë ka ndodhur kur në mes kanë hyrë kandidatët e futur në garë me mbështetjen e vetme të partisë së tyre? Faktet që vijnë nga Tepelena, Puka apo dhe bashkia e Sukthit, tregojnë luhatjen e dy forcave kryesore kur në garë është dhe një e tretë, e “neglizhuar”. Në Bashkinë e Tepelenës u shpall dje fitorja e kandidatit të Partisë Socialiste, nën koalicionin e Aleancës për të Ardhmen, Tërmet Peçi. Ai arriti të merrte bastionin që drejtohej prej demokratit Sevo Mici, i cili arriti të merrte vetëm 750 vota në krahasim me 1700 votat e fituesit, duke u renditur në vend të tretë. Në vend të dytë arriti kandidati i LZHK-së, Reshat Zika, me 1130 vota. Një rast tjetër është ai i bashkisë së Pukës, ku më 8 maj, kandidat potencial ishte dhe ai i Partisë së Çështjes Shqiptare. Ashtu siç pritej, gara është zhvilluar e ngushtë, duke bërë që kandidati i PD-së, Beqir Arifi, të arrijë të fitojë në zonën e PS-së me 955 vota kundrejt 902 votave të Enver Sulejmanit, i zgjedhur nga socialistët, ndërsa Astrit Kuqi, i PÇSh-së, mori 704 vota. E njëjta situatë u krijua në bashkinë e Sukthit. Përballë dy koalicioneve, në garë ishte dhe kandidati i pavarur, Hysen Llaca. Ky i fundit kishte kaluar dy mandate të mëparshme nën siglën e PS-së. Ai siguroi plot 1068 vota në përfundim të votimit, duke i “vjedhur” PS-së mbështetësit, pasi socialisti Selami Xhelili mori 2160 vota, ndërsa fituesi, demokrati Sherif Fortuzi, mori 3788 vota.











