Zgjedhjet bëjnë lëmsh kampionatin

May 11, 2011 | 9:53

Zgjedhjet lokale, por dhe numërimi i votave, apo dhe kërkesa e policisë për shtyrjen e aktivitetit kombëtar të futbollit shqiptar pas datës 15 maj, e ka bërë lëmsh garën. Për më tepër ka bërë lëmsh skuadrat, që ende nuk po e dinë se si ta programojnë stërvitjen. Jo vetëm kaq, por do të ketë dhe një kohëzgjatje të stërvitjes së kësaj jave, ndërsa për ata që janë të interesuar për finalen e Kupës, Tirana e Dinamo, apo dhe për “play-out”, mundet të mos ketë as kohë pushimi pas javës së 33-të. E, kjo jo vetëm për javën e fundit të kampionatit, por edhe për finalen e Kupës së Shqipërisë, apo dhe “play-off”-et. Gjithsesi, ende nuk është vendosur, por java e fundit e Kategorisë Superiore të Parë dhe të Dytë mund të luhet e gjitha të hënën, apo të martën. Që do të thotë se do të ketë një shtyrje të të gjitha aktiviteteve të tjera me një ose dy ditë. Kështu, nëse finalja e Kupës ishte parashikuar më 19 maj, atëherë i bie që të luhet më 21 ose 22 maj. Nëse “play-off”-et për të qëndruar në Kategorinë Superiore, apo për t’u ngjitur nga e para, ishin për 22 ose 23 maj, atëherë i bie që të bëhen më 24 ose 25 maj. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje zyrtare, por zhvillimi i të gjitha ndeshjeve të Kategorisë Superiore të Parë e të Dytë në të njëjtën ditë mund të duket dhe si çmenduri.

© Panorama.al

Te lidhura