Zgjedhjet, ambasadori i BE takon Ramën në PS

Mar 10, 2011 | 10:50

Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, zhvilloi dje një takim me kreun e opozitës Edi Rama. Takimi u zhvillua në selinë rozë dhe zgjati për rreth 30 minuta. Pas takimit, ambasadori i BE-së në Tiranë iu shmang kamerave dhe deklaratave publike, ndërsa selia rozë nuk dha asnjë informacion rreth përmbajtjes së diskutuar në të. Takimi vjen një ditë pasi PS u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale te 8 majit, regjistrim që u krye në limit të afatit kohor. Në qendër të diskutimeve mësohet të ketë qenë pikërisht situata politike dhe zgjedhjet lokale që po afrojnë. Dy ditë më parë, tre ambasadorë, ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe ambasadori gjerman i kërkuan politikës shqiptare impenjimin për realizimin e zgjedhjeve të 8 majit me standardet më të larta të të gjitha proceseve te tilla të realizuara në vendin tonë. Pas regjistrimit të saj në KQZ, PS ka nisur intensivisht përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit, duke bërë gati listën e komisionerëve të KZAZ-ve, një detyrim ligjor ky që vjen nga Kodi Zgjedhor të cilin PS e kishte injoruar deri sot.

© Panorama.al

Te lidhura