Zgjedhja e Presidentit pas kthimit në Kushtetutë

Jun 12, 2012 | 12:38

SAMI NEZA

Parlamenti zgjodhi dje President të ri të vendit Bujar Nishanin me 73 vota, maksimumin e atyre votave që ishin parashikuar të merreshin edhe me kandidatët e tjerë jopolitikë të mëparshëm, pas refuzimit të mbështetjes së opozitës për ta. Ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit patën kësaj here testin e parë, i cili mund të thuhet se u kalua, por duke mos arritur të furnizojnë gjithë pritshmërinë e publikut dhe politikës për këto ndryshime. Politika shqiptare,  veçanërisht maxhoranca, kaloi dje një ditë të vështirë të historisë së saj duke përballuar dorëheqjen e kandidatit për President vetëm pak çaste para votimit, pra para nisjes zyrtare të procesit të zgjedhjes, dorëheqje që nëse ndodhte pas mbarimit të votimit, e kthente situatën në një terren të paparashikuar edhe në Kushtetutë. Largimi i Artan Hoxhës ishte dorëheqja e dytë pas asaj të Xhezair Zaganjorit, duke e zhvendosur vëmendjen e të gjithëve te kjo garë pa lojtarë brenda, ose ku lojtarët në momente delikate linin edhe postin, edhe shansin, edhe propozuesit në eter.
Procesi u vu në rrezik dhe pothuajse përsëriti pikë për pikë proceset e mëparshme që janë zhvilluar sipas nenit të vjetër të Kushtetutës, ku Presidenti domosdoshmërisht duhej të ishte konsensual.
Vërtet në tri raundet e para kërkohet kohezion politik mes partive, por po sipas neneve të ndryshuara të Kushtetutës, ai nuk është i domosdoshëm për shkak se dy raundet e tjera i sugjerojnë shumicës të bëjë zgjedhjen e Presidentit. Zhvillimi i garës në Parlament tri raundet e para përmes figurash që pretendojnë postin e Presidentit apo siguronin mbështetje për garën, ashtu siç edhe kërkoi Fatos Nano, do ta bënte këtë proces më transparent dhe më konkurrent.
Thelbi i ndryshimeve kushtetuese para katër vitesh ka qenë shmangia e bllokimit të zgjedhjes së Presidentit dhe përfshirja e plotë e Parlamentit në këtë proces, duke i lënë violinë të dytë partitë politike. Ato ndryshime janë bërë me konsensus dhe që prej atij momenti përsëritja e konsensusit për të zbatuar një nen konsensual do të ishte tejkalim i qëllimeve të neneve për zgjedhjen e Presidentit. Por kjo ndodhi këto ditë me këmbënguljen e opozitës dhe të Edi Ramës, i cili i kishte propozuar vetë ndryshimet për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2008. Por po ashtu edhe maxhoranca, si produkt i një koalicioni të shtrirë në një spektër të gjerë politik nga qendra e majtë deri tek e djathta konservatore, u josh nga loja presidenciale. Pavarësisht Kushtetutës, lojtarët brenda koalicionit, e veçanërisht kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e përdorën këtë moment për të shtrirë influencat e tyre përtej nevojës së Kushtetutës. Kërkesa për kohezion brenda maxhorancës cenoi thelbin e nenit konsensual për zgjedhjen e Presidentit edhe pa konsensus. Maxhoranca pati mëdyshje të vazhdueshme dhe dukshëm eksperimentoi edhe me pushtetin e saj për të realizuar ambicie të aleatëve. Kjo e inkurajoi opozitën për të shtuar presionin ndaj maxhorancës për një President jashtë kuadratit të ndryshimeve të 2008-s.
Sa më shumë lojtarë në lojë, aq më sensibël bëhen pozicionet edhe brenda vetë partive. Edhe vetë PD nuk i ka shpëtuar këtij efekti, e kjo duket te raundet e para ku tërhiqej në mënyrë të vazhdueshme nga propozimet e saj. Ajo tërheqje ka ardhur jo vetëm për të krijuar terren për aleatët, por edhe për faktin se e kishte të vështirë edhe brenda vetes të gjente konsensusin. Ajo iu rikthye Kushtetutës në raundin e katërt, ku u luajt vërtet me personalitetin më luajal të saj e që prodhon më shumë konsensualitet se anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar apo Kryesisë së PD-së, Bujar Nishanin, por ama me një figurë politike dhe brenda kuadratit të parashikuar edhe nga vetë ligji.  Kalimi nga procedura te debati dhe negocimi vështirësoi zgjedhjen e Presidentit, megjithatë, raundi i katërt, i vetmi raund tërësisht në zbatim të neneve presidenciale, ia doli të verifikonte për mirë ato ndryshime që u bënë në Kushtetutë.
Fushata presidenciale në Shqipëri ktheu sërish pamje të vjetra të kësaj gare. Ashtu si në vitin 2002, kur ambasadori i Shqipërisë në BE u dorëhoq vetëm pak orë pasi kishte pranuar ofertën presidenciale, dy kandidatura dhanë dorëheqjen nga gara presidenciale e 2012-s. Atëherë kandidati Artur Kuko ishte konsensual, por u shantazhua nga shërbimi sekret e segmente shtetërore që synonin postin e Presidentit dhe u detyrua të dorëhiqej. Kësaj here ka qenë opozita që ia doli të shantazhonte edhe Zaganjorin, edhe Hoxhën, duke i vënë përpara dilemash të ndryshme, por me një përfundim të njëjtë: largimin e tyre nga gara jashtë vullnetit të shumicës.
Por fushata presidenciale e 2012-s kishte edhe risitë e saj. Shantazhi mori edhe një dimension tjetër me një vektor të kundërt, ai nga protagonistët te partitë politike. Fatos Nano shantazhoi PS-në dhe kryetarin e saj Edi Rama që ai të kandidohej nga opozita duke paralajmëruar një lëvizje politike të majtë dhe konkurruese me vetë PS-në e Edi Ramës. Në fakt, opozita ia doli të linte në rrugë e sipër tre kandidatë dhe mund të linte edhe më tepër për shkak të imponimit të tryezave politike.
Ndërkaq, për herë të parë organizata të shoqërisë civile u përfshinë në garë duke kompromentuar fort rolin e tyre, dhe për më shumë edhe përdorimin politik që iu bëhet herë pas here. Jo më pak befasuese ka qenë edhe letra e hapur, e cila, me ndonjë përjashtim, ishte nënshkruar nga ministra, drejtorë, miq personalë apo bashkëpunëtorë biznesi të Fatos Nanos në kohën kur ishte Kryeministër.
Por ligji të sjell në rrugën e Zotit. Kur Berisha deklaroi disa muaj më parë se Presidenti do të dilte nga strukturat e larta të PD-së, me siguri e ka pas fjalën për zbatimin e neneve presidenciale me atë funksion që ato kishin, pa përfshirë procesin konsensual që në Tiranë është një pazar emrash e influencash. Dhe në raundin e katërt u zbatua ligji në germë.

© Panorama.al

Te lidhura