Zgjedhja e Presidentit, Moisiu: Kushtetuta kërkon interpretim

Jan 8, 2012 | 12:35

Alfred Moisiu

Ish-kreu i shtetit flet për votimin me 84 vota.

“Interpretimi në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e forcave politike ta kërkojnë”

Ish-presidenti i vetëm konsensual në Shqipëri, Alfred Moisiu, vëren se nene të Kushtetutës kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Duke folur për gazetën “Panorama”, ish-kreu i shtetit kërkon që ky interpretim duhet bërë nga anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe nga asnjë faktor tjetër, qofshin këta dhe politikanë. “Zgjedhja e Presidentit është një moment shumë serioz dhe delikat njëkohësisht, gjë që kërkon një përqendrim dhe pjesëmarrje sa më të gjerë të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Mbase kjo është një çështje juridike për interpretim dhe nuk e di se çfarë do të bëjë opozita apo ndonjë aktor tjetër që do ta vlerësojë këtë çështje për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, sepse Kushtetuta vende-vende lë hapësira për interpretim. Për këtë duhet një interpretim sa më profesional, dhe kjo s’mund t’u lihet në dorë as analistëve, as politikanëve. Presidenti i Republikës, pavarësisht se çfarë emri i vëmë ne dhe si e trajton politika jonë këtë institucion, është figura numër një në çdo shtet. Nëse duam të bëjmë demokraci, duhet t’u nënshtrohemi rregullave të demokracisë europiane dhe s’mund t’i shmangemi kësaj”, u shpreh Moisiu. Por, sipas ish-kreut të shtetit, fenomene të shkeljes së balancave mes pushteteve vijnë nga e kaluara e vendit, duke e cilësuar demokracinë shqiptare një demokraci fëminore. “Për fat të keq, tek ne ka mentalitete tribale dhe gjithashtu kemi dhe reminishencat e së kaluarës së partisë-shtet që na pengon për t’i parë qartë gjërat dhe t’i kuptojmë drejt, prandaj unë mendoj se është një çështje shumë delikate, aq më tepërt për gjithë problematikën që kemi kaluar në këta 21 vjet. Për të thënë të drejtën, probleme kanë pasur të dy anët e politikës, si të majtët, ashtu dhe të djathtët. Unë e kam quajtur një demokraci fëminore këtë tonën. Forma të tilla në zgjedhjen e Presidentit kanë dhe vende të tjera, si Greqia apo Italia, por ato janë vende të konsoliduara demokratike dhe dinë t’i zgjidhin këto momente me përgjegjshmëri e gjakftohtësi dhe bazuar në interesat e kombit dhe jo ato partiake”, u shpreh Moisiu.
Kërkesa
Për ish-presidentin e vendit duhet që partitë politike t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kur vjen çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit për ato problematika që ngrenë debat dhe diskutime. “Përveç efekteve që dhanë ndryshimet kushtetuese të 2008-s, sot jemi para një çështjeje konkrete siç është zgjedhja e Presidentit. Duke pasur parasysh mungesën konstante të vullnetit politik për t’i parë gjërat më thellë dhe me gjerë, unë mendoj se ka nevojë Kushtetuta për interpretim, sepse ne bëjmë ligje dhe kode dhe sapo politika gjen një hapësirë të vogël në to, depërton në to duke e servirur këtë boshllëk apo paqartësi në interesin e saj partiak. Interpretimi është i domosdoshëm për t’u bërë, por se si do ta bëjnë forcat politike këtë gjë, kjo është përgjegjësi e tyre, por është dhe detyrë e tyre”, u shpreh Moisiu.
Për presidentin e parë konsensual të vendit, i cili e drejtoi këtë institucion gjatë viteve 2002-2007, pas një marrëveshjeje konsensuale mes maxhorancës së majtë të asaj kohe dhe opozitës së djathtë, kreu i shtetit duhet të jetë një kandidaturë e pranuar nga të gjithë, dhe jo vetëm e njërit krah apo i zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare. “Kjo është çështje tjetër, sepse edhe kur i zgjedhim me 84 vota, politika mundohet ta dobësojë institucionin e Presidentit. E rëndësishme është që Presidenti të përfaqësojë unitetin e kombit dhe unitet të kombit me gjysmën e kombit është e vështirë ta përfaqësosh, duke pasur parasysh edhe klimën tonë politike, sepse kryeministrat tanë kanë si tendencë më shumë ta emërojnë, sesa ta zgjedhin Presidentin”, u shpreh për “Panorama” ish-presidenti Moisiu.
Strategjia
Pritet që Partia Socialiste t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një interpretim të nenit 87, pika 3 të Kushtetutës, që flet për mënyrën se si zgjidhet Presidenti i Republikës. Burime nga Partia Socialiste pohojnë se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë saktë se cili duhet të jetë kuorumi i deputetëve në sallën e Kuvendit në tri raundet e para, kur kandidati për President duhet të sigurojë 84 vota. Në Kushtetutë, në nenin 87 të saj, pika 3, thuhet se “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Por, në këtë pikë të nenit 87 nuk përcaktohet se kur seanca plenare quhet e ligjshme në tri raundet e para, kur për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 84 vota. Sipas socialistëve, Gjykata duhet të shprehet për këtë pikë, që sipas tyre përbën një ngërç që nuk duhet anashkaluar.

Ish-kreu i Kushtetueses e sheh të vonuar kërkesën e PS
Abdiu: Tri raundet e para, të pavlefshme nëse nuk ka 84 deputetë

Fehmi Abdiu

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shprehet se deputetët e PS duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 87, pika 3 të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, ndonëse e vonuar, kjo kërkesë mund të paraqitet dhe kërkon që zgjedhja e Presidentit të mos përdoret si burim krizash të reja politike. “Sipas pikëpamjes sime, gjithë fryma e dispozitës, edhe ashtu siç ka mbetur, është e tillë që nënkupton në mënyrë të domosdoshme detyrimin e faktorëve politikë që janë të rëndësishëm në këtë vendimmarrje për t’u ulur, për të filluar një proces kandidimi, për të diskutuar dhe debatuar dhe për të konkluduar për ato kandidatura që sipas tyre mund të jenë më të pranueshme dhe mund të sigurojnë më mirë numrin e votave të kërkuara sipas nenit kushtetues. Pra, fakti që dispozita kërkon që tri herë radhazi të bëhen përpjekje për të votuar Presidentin me kërkesën për të plotësuar tre të pestat e votave të deputetëve, të jep përshtypjen se tregon domosdoshmërinë që partitë politike të ulen dhe të arrijnë këtë kërkesë dhe numër votash. Vetëm kur arrihet në përfundimin se është e pamundur që një zgjidhje e tillë të bëhet konform përmbajtjes së paragrafit të tretë të nenit 87, vetëm atëherë mund të procedohet për të zgjedhur një president sipas dispozitës me më shumë se gjysma e numrit të deputetëve të Kuvendit”, u shpreh Abdiu për “Panorama”.

Hazizaj: Presidenti, në seancë duhen 84 deputetë
Juristi i njohur Sokol Hazizaj shprehet se në tri raundet e para në sallën e Kuvendit duhet të jenë prezentë të paktën 84 deputetë për t’u quajtur të ligjshme. “Edhe nëse do të kishte kandidat për President, por nuk realizohet 84-ra si numër deputetësh në Kuvend pjesëmarrës, nuk quhet i mbyllur raundi. Nëse do të ekzistojë 84 numri i deputetëve në Kuvend, por nuk ka kandidat, quhet i mbyllur raundi”, u shpreh Hazizaj.

 

© Panorama.al

Te lidhura