Zgjatet edhe tre muaj afati i hetimit

May 11, 2011 | 9:39

Tiranë – Prokuroria zgjat edhe me tre muaj të tjerë afatet e hetimeve të dosjes së 21 janarit, në lidhje me vrasjen e katër personave në afërsi të Kryeministrisë në Tiranë. Burime nga organi i akuzës kanë pohuar se, për shkak të pamundësisë për të përfunduar hetimet brenda 3-mujorit të parë si afat procedural, është vendosur shtyrja e afatit të hetimeve edhe me tre muaj të tjerë. Prokuroria synon që gjatë këtyre tre muajve të realizojë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e ngjarjes, pasi ende janë të paqarta rrethanat në të cilat janë vrarë shtetasit Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. E vetmja vrasje e 21 janarit e zbardhur me ekspertizë, është ajo e Ziver Veizit ku me analiza kriminalistike të predhës së gjetur në trupin e viktimës, ka rezultuar se arma që ka vrarë këtë qytetar ka qenë e oficerit të Gardës Agim Llupo. Për tre të vrarët e tjerë, ende nuk është arritur të zbardhet asnjë detaj, pasi Hekuran Deda ka marrë plagë tejshpuese dhe nuk ka predhë për krahasim, plumbi që ka vrarë Faik Myrtajn nuk përputhet me armët e ekspertuara të Gardës, ndërsa predha e Aleks Nikës ka mbetur ende në Turqi, ku ai vdiq dy javë pas 21 janarit. Shtyrja e afatit të hetimeve me 3 muaj i është njoftuar së pari Agim Llupos, gardistit të vetëm që mbahet në arrest me burg, ndërsa më pas u është bërë e ditur edhe oficerëve të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura