Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, nuk e fsheh përjetimin pozitiv që ka pasur, pas fitores me Flamurtarin edhe për faktin se skuadra fitoi me 10 lojtarë. Sakaq, ai kthen vëmendjen edhe te problemet që solli ky takim, duke identifikuar si përgjegjës së shumti trajnerin e Flamurtarit, Edmond Lutaj. Madje, Zeqo e cilëson Lutajn si protagonistin e ndodhive në fushë. “Kisha të tjera përshtypje për trajnerin e Flamurtarit edhe për faktin se vjen nga një vend perëndimor. Mirëpo, për fat të keq, ai provokoi disa herë lojtarët në fushë. Trajneri në fjalë duhet të kuptojë që ne jemi një ekip që edhe me 10 lojtarë i mundëm dhe kjo ka shumë kuptim”, ka thënë Zeqo. Më tej, ai pohoi se pret që Skënderbeu tanimë të ngjitet lart në renditje. “Mbetet shumë për të bërë, pasi jemi larg me pikë nga skuadrat kryesuese. Por presim që edhe të tjerët të gabojnë, ndërsa ne do t’i arrijmë në kohë objektivat tanë. Dy sfidat në prag, si për Kupën, ashtu dhe për kampionatin, janë të rëndësishme për ekipin, pasi ne duam që të luftojmë njëkohësisht në të dyja frontet, pa bërë llogari dhe pa nënvlerësuar njërën apo tjetrën”, ka thënë Zeqo.











