Zbulohet trafikimi i 10 kg heroinë

Jan 11, 2012 | 12:23

Droga e bllokuar nga policia në Portin e Durrësit

Durrës, droga e shtrenjtë, e fshehur mes pakove me 200 kg kanabis.

Plot 10 kilogramë heroinë ishin mask-uar në kamionin e mbushur me kanabis. Policia Kufitare e Durrësit, e cila bllokoi mjetin me drogë mbrëmjen e së hënës, deklaroi dje se ishin zbuluar, veç 200 kilogramëve hashash, edhe një sasi e konsiderueshme drogë e fortë. Burime të Policisë thanë dje se në kamionin me targë gjermane AAGL7777, në të cilin ishte fshehur lënda narkotike me karakteristikat e kanabisit, ndodheshin dhe pako që pas verifikimit rezultuan se ishin të mbushura me heroinë. Gjatë kontrollit të imtësishëm që oficerët e Antidrogës i kanë bërë kamionit me targa të huaja u arrit dhe zbulimi i lëndës narkotike me vlerë të madhe në tregun perëndimor. Lënda narkotike ishte e ndarë në disa pako të mbështjella me natriban dhe ishte fshehur në pjesën e sipërme të kamionit që drejtohej nga 29-vjeçari Tushemir Lleshaj nga Fushë-Kruja. Në njoftimin e bërë publik Policia tha se është arrestuar 29-vjeçari “pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij kamion tip ‘Benz’, i cili do të udhëtonte me një nga tragetet e linjave drejt Portit të Triestes në Itali, në pjesën e sipërme të mjetit, në një vend të përshtatur, u gjetën 20 pako të mbështjella me natriban me peshë totale 10 kg e 164 gramë lëndë, e cila dyshohet të jetë heroinë, si dhe 201 pako me peshë 202 kg e 108 gramë lëndë që dyshohet si e llojit kanabis”. Për shkak të hetimeve policia nuk ka treguar origjinën e drogës dhe as itinerarin që do të ndiqte drejtuesi i kamionit, i cili rezulton të jetë vetëm korrier. Por, burime konfidenciale konfirmuan se lënda e sekuestruar mbrëmjen e së hënës në Portin e Durrësit ka origjina të ndryshme, ndërsa destinacioni final ishte i njëjtë. Sipas këtyre burimeve, heroina mendohet të ketë ardhur nga Turqia, ndërsa

Kamioni dhe droga e bllokuar nga policia në Portin e Durrësit

hashashi është mall vendas që dyshohet të jetë ngarkuar në veri të vendit. Pavarësisht se droga ishte e ngarkuar në kamionin me targa gjermane, ajo kishte si destinacion final shtetin fqinj të Italisë. Tushemir Lleshaj ishte nisur për të marrë mall për firmën në të cilën ishte i punësuar, por pasi ka marrë një ofertë të majme nga persona që janë ende të paidentifikuar, ka vendosur që të provojë për ta kaluar përtej kufirit lëndën narkotike duke e fshehur atë në kamionin me targë AAGL7777. Nëse 29-vjeçari do të përmbushte me sukses misionin, çka do të thotë që malli të mbërrinte në destinacionin e duhur, ai do të përfitonte 10% të shumës. Por plani i thurur për të kaluar sasinë e konsiderueshme të drogës së të dy llojeve dështoi, pasi ai nuk mundi ta kalonte atë. Oficerët e Antidrogës, të cilët në mënyrë operative kishin marrë informacion se rreth orës 19:10, në sheshin e trageteve do të mbërrinte kamioni i ngarkuar me drogë, kishin organizuar një operacion për sekuestrimin e saj.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura