Zbulohet kufoma e të riut, u mbyt e u gropos në kodër

Sep 13, 2011 | 12:05
Vendi ku u gjet viktima

Trupi i dekompozuar i një mashkulli rreth 25 vjeç u zbulua dje gjysmë i varrosur nga barinjtë e zonës së Tragjasit në Vlorë.Viktima, ende e paidentifikuar, u zbulua nga disa barinj në një zonë të pabanuar, ndërsa policia bëri të ditur se ai ishte vrarë. Çobanët e kanë pikasur trupin, pasi ishte groposur në një thellësi jo të madhe, gjë që ka bërë që kafshët e egra të gërmojnë dhe të nxjerrin jashtë një pjesë të tij. Ata kanë ndier erën e keqe, si dhe qentë e tyre që po lehnin afërt vendit ku ishte groposur viktima, në një thellësi jo më shumë se 50 cm. Pasi kanë konstatuar pjesë të trupit jashtë, përfshirë edhe kafkën, barinjtë e tmerruar nga pamja kanë sinjalizuar policinë. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, nga sinjali i dhënë se në një zonë të pabanuar, disa metra larg rrugës automobilistike në fshatin Tragjas, ishte trupi i një njeriu i dekompozuar dhe gjysmë i varrosur. Burime nga Policia bënë të ditur se kishte dalë në sipërfaqe të tokës kafka e kufomës, si dhe një pjesë e këmbës, të cilat dyshohet se janë nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga fakti se trupi ishte tërësisht i dekompozuar, ndërsa dimensioni i këmbës i vogël, blutë dyshuan fillimisht se kishin të

Policia në vendin e ngjarjes

bënin me rastin e masakrimit të një femre. Por, pasi ekspertët e policisë zhvarrosën të gjithë trupin, arritën në përfundimin se viktima ishte e seksit mashkull, rreth 25 vjeç. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se i ndjeri kishte në fyt një rrip plastik të mbërthyer, gjë e cila hodhi dyshime se viktima është mbytur. Por, ende nuk është konfirmuar nëse kufoma kishte shenja të tjera në trup që mund t’i kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë, sipas ekspertëve, ka rreth 1 muaj që ndodhej i groposur në këtë zonë. Pasi është punuar për rreth tri orë, kufoma është transportuar fillimisht në morgun e spitalit të Vlorës dhe më pas për në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë, me qëllim për të bërë identifikimin nëpërmjet pajisjeve të specializuara, si dhe analizës së ADN-së. Burime të Policisë thanë së disa familjarë të personave të zhdukur janë paraqitur për t’u interesuar. Ata kanë vënë në dispozicion materiale me të cilat mund të bëhet krahasimi i ADN-së. Blutë bënë të ditur se janë duke hetuar nëse viktima është vrarë në vend dhe është varrosur, apo nëse krimi ka ndodhur në tjetër zonë dhe më pas është varrosur në afërsi të Tragjasit.

25 vjeÇ
dyshohet se është viktima e seksit mashkull, i cili mbrëmë deri në orët e vona nuk ishte identifikuar. Familjarë të disa personave të zhdukur janë paraqitur në polici për t’u interesuar

30 dite
më parë dyshohet se ka ndodhur krimi i rëndë, ku persona ende të paidentifikuar i morën jetën viktimës, i cili gjithashtu ende nuk është identifikuar

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura