Marrëdhëniet e operatorëve me konsumatorët në tregun e furnizimit me ujë të pijshëm tashmë do të sanksionohen me kontratën e re të ujit, e cila ka hyrë në fuqi.Kontrata e re, e botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton të drejtat dhe detyrimet për secilën palë. Ajo që vihet re në këtë kontratë është se nuk përcaktohet si e detyruar furnizimi me ujë të pijshëm për 24 orë rresht i konsumatorëve. Në këtë pikë lihen edhe hapësirat e furnizimit me orare. “Operatori është përgjegjës për furnizimin me ujë të konsumatorit në mënyrë të vazhdueshme gjatë 24 orëve të çdo dite të vitit, sipas standardeve në fuqi të cilësisë së ujit. Në rast se operatori nuk mund ta ofrojë këtë shërbim, atëherë duhet të marrë masa që të ofrojë shërbimin më të mirë të mundshëm. Në këtë rast, operatori duhet të njoftojë konsumatorin për orët e furnizimit me ujë, në mënyrë që konsumatori të marrë masa për të përballuar mungesat e përkohshme”, thuhet në kontratë. Nga ana tjetër, për çdo ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të riparimeve që mund të bëhen në sistemin e furnizimit me ujë operatorit i lind detyrimi që ta njoftojë konsumatorin tri ditë para nëpërmjet medias. Risi është edhe reagimi në rastet e emergjencave ku operatori duhet të ketë një plan emergjence të furnizimit me ujë të konsumatorëve në raste vështirësish.
Faturat dhe kamatat
Faturat e konsumit të ujit të pijshëm lëshohet nga operatori jo më vonë se 15 ditë përpara afatit të pagesës. Ndërkohë që konsumatori duhet ta paguajë atë brenda datës 28 të muajit pasardhës. “Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditëve pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, operatori ka të drejtë të ndërpresë furnizimin me ujë. Operatori mund ta ndërpresë furnizimin me ujë vetëm nëse e ka njoftuar me shkrim konsumatorin të paktën 5 ditë përpara. Njoftimi me shkrim duhet të përmbajë edhe tarifën për rilidhjen, që zbatohet në këtë rast”, thuhet në kontratë. Lidhur me kamatëvonesat në rastet kur fatura nuk paguhet sipas afateve të përcaktuara, kontrata parashikon se, kur konsumatori nuk kryen pagesën e faturës brenda datës 28 të muajit pasardhës, ai duhet të paguajë kamatëvonesën prej 0,5% të vlerës së faturës për çdo ditë vonese, por jo më shumë se 10% të vlerës së faturës.
Çmimi
Tarifat e ujit të pijshëm kanë ndryshuar për disa qytete me tendencë rritjen e tyre. Enti Rregullator i Ujit ka vendosur që të rrisë çmimin e ujit për tre qytete, atë të Gramshit, të Pogradecit dhe të Lushnjës. Nëse më parë një metër kub ujë i pijshëm në Lushnjë kishte çmimin 42 lekë, tani do të ketë çmimin 44 lekë. Në Gramsh, nga 28.5 lekë që tarifohej një metër kub ujë, tani do të tarifohet me 32 lekë. Ndërkohë që për Pogradecin, nëse një vit më parë një metër kub ujë kishte çmimin 52 lekë, për vitin 2011 do të ketë çmimin 55 lekë.
Kontrata do miratohej në shkurt
Fillimisht, nga Drejtoria për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u theksua se kontrata e re e ujit do të fillonte nga zbatimi që në shkurt. Por kjo procedurë zgjati më shumë, pasi diskutimet me palët e interesit u zhvilluan në fund të muajit janar dhe u desh kohë që të mbyllej drafti përfundimtar i kontratës.
Ujëmatësit
Kontrata e re parashikon se për rastet kur ndonjëra nga palët dyshon se ujëmatësi nuk funksionon si duhet, atëherë operatori duhet ta heqë ujëmatësin dhe të fillojë procedurat e verifikimit të funksionimit dhe riparimit ose zëvendësimit të ujëmatësit. Shpenzimet për procedurat janë përgjegjësi e operatorit nëse provohet se ujëmatësi nuk funksionon në rregull dhe është përgjegjësi e konsumatorit nëse provohet se ujëmatësi funksionon në rregull. Nëse vërtetohet se ujëmatësi nuk ka funksionuar si duhet për arsye teknike dhe si pasojë vlerësimi i sasisë së ujit të konsumuar është bërë mbi bazën e
leximeve të pasakta, operatori është përgjegjës
për vlerën e faturës së fundit tatimore.
Tarifat e ujit
Gramsh Ishte Bëhet
Konsumator familjar: 28.5 leke/m3 32 lekë/m3
Pogradec Ishte Bëhet
Konsumator familjar: 52 leke/m3 55 lekë/m3
Lushnjë Ishte Bëhet
Konsumator familjar: 42 leke/m3 44 lekë/m3
NERTILA MAHO
© Panorama.al











