Zbulohet i vdekur 39-vjeçari

Dec 19, 2011 | 16:25

Punonte argat tek kushëriri, gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë. Fshati Vërdovë në rrethin e Pogradecit është tronditur mëngjesin e së dielës nga një ngjarje, shkaqet e së cilës kanë mbetur ende mister. Trupi i pajetë i një 39-vjeçari u gjet në oborrin e banesës së kushëririt të tij. Sipas të dhënave, kufoma i përket 39-vjeçarit Mirdash Bejkollari, banor i qytetit të Korçës dhe ka pasur dëmtime të dukshme në pjesën e pasme të kokës, të cilat mendohet se i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme. Burime nga Policia e Pogradecit konfirmojnë se viktima prej disa ditësh kishte shkuar në shtëpinë e Gurali Dinkollarit, ku punonte në ndërtimin e shtëpisë së tij dhe se ishte pikërisht kushëriri ai që konstatoi trupin e pajetë në oborrin e banesës rreth orës 07:30 të mëngjesit të së dielës. Pas sinjalizimit të Policisë, kjo e fundit ka ngritur dy pistat e hetimit: mundësia e vrasjes me mjete të forta, si dhe fakti që ngjarja mund të jetë aksidentale, pasi viktima mund të jetë rrëzuar nga një shkëmb mbi shtëpinë e kushëririt. Do të jetë ekspertiza mjekësore ajo që do të vërtetojë shkakun e vërtetë të vdekjes së 39-vjeçarit, ndërsa sipas të dhënave të Policisë mësohet se janë shoqëruar kushëriri, si edhe familjarët e viktimës për t’u marrë në pyetje. Nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, Bejkollarit i janë vërejtur dëmtime të shumta në kokë. Burime të rezervuara thanë se në vendin e ngjarjes është konstatuar një tavolinë, ku mund të jetë përplasur viktima, por gjithashtu grupi i ekspertimit ka gjetur dhe sekuestruar disa vegla pune të njollosura me gjak, mes të cilave edhe një sëpatë. Babai i dy fëmijëve të mitur përshkruhet nga të afërmit si një person tepër i qetë dhe jo problematik. I detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, punonte kundrejt pagesës në shtëpinë e djalit të tezes, i cili po ndërtonte katin e dytë të shtëpisë. Sanie Dinkollari, e afërme e familjes, ka rrëfyer për gazetën “Panorama” se jo vetëm familjarët, por as viktima nuk kanë pasur konflikte të asnjë lloji. “S’kemi pasur konflikte me askënd, edhe Mirdashi shihte punën e tij. Kishte ardhur këtu për të punuar, të fitonte dy lekë dhe për të ndihmuar Guraliun që e kishte kushëri dhe nuk e di si mund të ketë ndodhur kjo gjë. Me sa di unë, nuk ka pasur përplasje me askënd dhe as konflikte pronësie që t’i krijonin armiqësi. As vetë nuk arrij të kuptoj ç’ishte kjo gjë, jemi të paqartë e kanë vrarë apo është rrëzuar nga shkëmbi dhe i ka zënë koka në tavolinë.” Pista kryesore e ngritur nga Policia e qytetit juglindor mbetet ajo e një krimi të mundshëm të kryer ndaj 39-vjeçarit, por ende nuk është përjashtuar edhe mundësia për një ngjarje aksidentale, e cila mund t’i ketë shkaktuar atij vdekjen. Sipas deklarimeve të kushëririt që e punësoi dhe e gjeti të pajetë, viktima konsumonte pije alkoolike dhe mund të jetë rrëzuar në gjendje të dehur.

Pistat
1-Vrasje e 39-vjeçarit për motive të paidentifikuara. Kjo pistë u ngrit për shkak të plagëve të shumta në kokë. Bllokohen dhe mjete me gjak

2-Vdekje aksidentale, pas rrëzimit nga lartësia e Bejkollarit. Pas përplasjes me tavolinën mund të jetë shkaktuar dëmtimi në kokë dhe më pas gjakosja e mjeteve pranë

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura