Ai nuk ka pasur një fëmijëri si të gjithë bashkëmoshatarët e brezit të tij ose të paktën ne kështu e kemi imagjinuar. Ermal Hoxha është nipi i parë i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha dhe vetëm ky fakt bën që kurioziteti për jetën e tij, ashtu si për të gjithë ata që jetuan në lagjen e ish-Bllokut si funksionarët më të lartë të atij sistemi, bashkë me familjet e tyre, të jetë akoma shumë i madh. Kurioziteti rritet më shumë edhe për faktin se Ermali është bashkëshorti i njërës prej këngëtareve më të njohura, Rezarta Shkurtës. Kjo e fundit ka qenë gjithnjë e hapur për mediat, duke ndarë me ta dhe publikun që e pëlqen jetën e saj profesionale, por edhe atë personale, ndërkohë që ka respektuar dëshirën e bashkëshortit që ai të mos jetë pjesë e mediave. Shumica e pjesëtarëve të familjes Hoxha, gjatë këtyre 20 viteve kanë qenë mjaft të kursyer në daljet e tyre mediatike, ndërkohë që Ermali, djali i madh i Ilir Hoxhës, fëmijës së parë të çiftit Hoxha, ka preferuar të jetojë pa zhurmë dhe larg vëmendjes mediatike. Mirëpo martesa me këngëtaren e ka përfshirë atë në mënyrë të natyrshme. Fotot gjatë darkave me miqtë apo në lokale nate me Rezartën kanë shuar kureshtjen e lexuesit mbi pamjen e tij. Shumë mendojnë se ai është një nga nipat më të pashëm të Enver Hoxhës, madje në paraqitje ka ngjashmëri të madhe me gjyshin e tij, nga tiparet, por edhe gjatësia. Natyra e tij hermetike ka bërë që të refuzojë çdo lloj rrëfimi mbi jetën e vet, ndërkohë që shumë prej nesh do të donin të dinim se si ka qenë fëmijëria e tij, marrëdhënia me gjyshërit, me fëmijët e kopshtit e më pas me shokët e shkollës, si e kanë parë ata nipin e Enver Hoxhës, kë ka pasur shok të ngushtë, si i ka përjetuar ndryshimet mbas viteve ‘90, si i ka marrëdhëniet me prindërit, me gjyshe Nexhmien, çfarë mendon për karrierën e bashkëshortes, si e gjen ai gjuhën e përbashkët me të, duke mos qenë pjesë e botës së artit, por e biznesit? Meqë kemi pak shpresa që të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve, ne ia kemi gjetur anën që të shuajmë sadopak kureshtjen tuaj, duke siguruar disa foto të tij që në moshën dyvjeçare. Kjo që do ju rrëfejmë është historia e fëmijërisë së tij, e cila nuk vjen nëpërmjet fjalëve të tij, por nëpërmjet fotove. Ajo që duket qartë, është gëzimi i Enverit dhe Nexhmies për nipin e parë, ku shihet se ata kanë qenë prezent në të gjitha etapat e rritjes së tij, përfshirë edhe ditën e parë të shkollës apo momente të tjera të rëndësishme në jetën e një fëmijë.
Sot, Ermali, 36 vjeç, bën një jetë normale me Rezartën, ku planet për një shtëpi të re dhe ardhjen në jetë të një fëmije, për çiftin mbeten primare. Ermali dhe Rezarta mund të konsiderohen një çift model, për sa i përket marrëdhënies bashkëshortore. Ata kanë rreth pesë vite të martuar dhe duket se kjo lidhje, paçka se me pak diferencë moshe, ka rezultuar e suksesshme.











