Procesi për kreun e Bashkisë së Tiranës duket se nuk ka të mbaruar, ndërsa dje u raportua se 8 vota për kandidatin Lulzim Basha u gjetën në kutinë për kreun e Minibashkisë Nr 7. Votuesit kishin ngatërruar kutinë, por në këtë situata, numëruesit u acaruan me njëri-tjetrin. Numëruesi i Partisë Socialiste kërkoi shpalljen e tyre të pavlefshme, ndërsa ai i LSI-së kërkoi që të shpallen si të kontestuara dhe KZAZ e më pas KQZ të vendosë për to. Por situata u acaruan duke sjellë edhe një konfrontim fizik mes tyre, gjë që bëri numërimin të ndërpritet. Pas kësaj situata, KZAZ mori vendimin që t’i vendosë në një zarf këto fletë dhe të bëjë një procesverbal konstatimi e duke e lënë në dorë të KQZ-së për të vendosur se çdo të bëhet me to. Gjithsesi, mes kampeve nisën debate në lidhje me vlerësimin e tyre. Disa deputetëve socialistë të pranishëm në këtë qendër numërimi, e njëjta situatë u kishte ndodhur edhe në Njësinë Nr. 9, ku pati vota për kandidatët e kreut të Bashkisë së Tiranës në kutinë e gabuar dhe u shpallën të pavlefshme. Nga ana tjetër, deputetët e PD-së kërkonin një mendim ligjor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vendosur një standard në lidhje me këtë problem. Pavarësisht kësaj situate, numërimi filloi normalisht në Njësinë numër 7. Pritet që KQZ të shprehet për këtë çështje pas dorëzimit të procesverbalit nga ana e KZAZ-së.











