Zbulohen 3 falsifikime pasaportash

Jan 30, 2012 | 12:09

Model pasaporte i falsifikuar

Antikrimi ekonomik fillon procedim penal për punonjësit e zyrës së aplikimit ALEAT, në Minibashkinë Nr.10

Tre qytetarë në polici: Persona të tjerë, dokumente në emrat tanë

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal me akuzën e “korrupsionit” ndaj punonjësve të kompanisë ALEAT në zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike, në Njësinë Bashkiake Nr.10. Fillimi i hetimit ka për shkak denoncimin nga tre qytetarë që thonë se, kur kanë shkuar të aplikojnë, u është thënë se dikush tjetër kishte marrë pasaportë në emër të tyre. Punonjësit e njësisë dyshohet të jenë të implikuar në “shitjen” e identitetit të disa qytetarëve që nuk ishin pajisur me pasaportë ndaj disa personave të tjerë. Vjedhja e identitetit në pasaportat biometrike prej një viti është kthyer në një fenomen që ka sjellë procedime penale dhe arrestime, madje edhe të disa zyrtarëve në disa qytete të Shqipërisë. Ky fenomen ka sjellë përfitime të mëdha, në formë ryshfeti, kryesisht për punonjësit e zyrave të Aplikimit ALEAT, që kanë akses në të dhënat personale të të shtetasve shqiptarë. Vetëm ditët e fundit, tre personave u është refuzuar aplikimi për pajisje me pasaportë biometrike, pasi të dhënat e tyre personale u janë “shitur” personave të tjerë. Rastet janë zbuluar në polici, kur shtetasit Përparim Xh. nga Puka, Albert R. nga Tropoja dhe Alban K. nga Shkodra, janë paraqitur për të aplikuar për pasaportën biometrike, por nuk janë lejuar, pasi në sistem rezultonte që ata tashmë ishin të pajisur me pasaportë. Personat që kishin tërhequr pasaportat me gjeneralitete, datëlindje, vendlindje dhe vendbanim, identik me shtetasit që kërkonin biometrike, rezultonin të kishin aplikuar muaj më parë, në Njësinë Bashkiake Nr.10, në Tiranë. Për këtë arsye, oficerët e Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës kanë filluar procedim penal në ngarkim të punonjësve të zyrës së Aplikimit ALEAT pranë Njësisë Bashkiake Nr.10, pasi dyshohet të  kenë “shitur” identitetin e personave të lartpërmendur.
VJEDHJA E IDENTITETIT
Pavarësisht hetimeve, arrestimeve, madje edhe ndryshimit të procedurës së aplikimit për pasaporta biometrike, në Policinë e Tiranës vazhdojnë të denoncohen raste për vjedhje identiteti nga qytetarë të ndryshëm. Hetimet e policisë në lidhje me këtë fenomen janë përqendruar kryesisht tek punonjës të gjendjes civile, apo edhe punonjës të administratës, si të përfshirë në rrjetin e falsifikimit nëpërmjet vjedhjes së identitetit. Por, sipas burimeve nga Policia, rrjeti që “punon” për prodhimin e dokumentit biometrik është shumë më i gjerë se kaq. Mësohet se pjesë e hetimit të policisë së fundmi janë bërë edhe punonjësit e kompanisë ALEAT, që prodhon pasaporta e karta identiteti, persona  që janë të punësuar në njësitë ku aplikohen. Nga të dhënat paraprake të hetimit rezulton se punonjësit e zyrave të aplikimit kanë mundësi të verifikojnë emrat dhe të dhënat e të gjithë shtetasve shqiptarë, që kanë aplikuar ose jo për pasaportë biometrike dhe kanë arritur të sigurojnë lista emrash, që përdoren për vjedhje identiteti. Sipas Policisë, personave që u vidhet identiteti e më pas i shitet dikujt tjetër për një shumë të konsiderueshme parash, janë shqiptarë që jetojnë prej vitesh jashtë kufijve dhe kanë fituar nënshtetësi. Por ka edhe persona që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri dhe ende nuk janë pajisur me pasaportë biometrike. Të dhënat e këtyre personave përdoren për shtetas të tjerë, shqiptarë ose jo, në ndonjë rast edhe me precedentë penalë, në mënyrë që të pajisen me pasaportë. Të interesuarve u përshtatet mosha dhe dialekti, në bazë të vendlindjes apo vendbanimit të personave që u vidhet identiteti dhe me këto të dhëna aplikon për pasaportë.

Personat e brendshëm shfrytëzojnë gjurmët e gishtave
Hetimi, ata që s`kanë aplikuar rrezikohen tu vjedhin identitetin

TIRANE – Sipas hetimit të disa rasteve kur zyrat e aplikimit kanë dhënë pasaporta biometrike false, personat më të rrezikuar për vjedhjen e identitetit janë ata të cilët nuk kanë aplikuar për kartë identiteti dhe pasaportë. Sipas hetimeve, në rastet e paraqitjes së shtetasve të huaj, kryesisht nga Kosova, që janë të interesuar për pasaportë biometrike, nëpunësit e sistemit u gjejnë atyre identitetin e një shtetasi shqiptar që nuk ka aplikuar ende. Kjo pasi për rastet kur një person ka aplikuar, është e pamundur që të nxirret një pasaportë e dytë në emër të tij. Ndërkohë, për rastet e personave që nuk kanë aplikuar, ka rezultuar se punonjësit e ALEAT gjejnë shtetas që kanë datëlindje të përafërt me të interesuarin për pasaportë dhe e nxjerrin dokumentin në emër të shtetasit shqiptar, por me fotografinë e shqiptarit nga Kosova.   Në këtë rast shenjat e gishtave të marrësit të pasaportës dhe fotoja nuk përputhen me emrin dhe mbiemrin. Përfituesi mund të udhëtojë pa vizë në zonën shenjen.Përfituesi mund të udhëtojë pa vizë në zonën “shengen”. Ndërkohë, pas kësaj, në rast se shtetasi shqiptar të cilit i është vjedhur identiteti paraqitet për të aplikuar, ai nuk mund të tërheqë pasaportën pa bërë një denoncim dhe pa kaluar në një procedurë gjyqësore deri me vendim gjykate.

Pas sinjalizimeve për falsifikime
Siguria, aplikimi prej 2 muajsh bëhet në Polici

Ministria e Brendshme

TIRANE – Prej rreth 2 muajsh, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ministria e Brendshme ndryshoi procedurat e aplikimit për pasaportë biometrike. Me një udhëzim të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, në fillim të muajit nëntor të vitit 2011 u vendos që aplikimi për pasaporta të mos bëhej më në bashki apo minibashki, por në komisariatet e policisë. Ky vendim u mor për të shmangur rastet korruptive të vjedhjes së identitetit, në mënyrë që procesi të jetë më i sigurt. “Shtetasit shqiptarë, që aplikojnë për pasaportë biometrike, për çdo herë duhet të pajisen me formular identifikimi me fotografi nga komisariati i policisë ku kanë vendbanimin, i cili plotësohet në dy kopje. Formulari i identifikimit miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Një kopje e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të gjendjes civile pranë zyrës së aplikimit dhe aty më pas vazhdon procedura. Komisariatet e policisë, nëpërmjet ndihmës të specialistëve të hetimit dhe parandalimit të krimit, bëjnë verifikimin e shtetasit sipas të dhënave të formularit të vetëdeklarimit, autenticitetin e fotografisë së vendosur në formular dhe, nëse i gjen të rregullta, bën ciklimin”,- thuhet në udhëzimin e ministrit Nishani. Ky udhëzim u dha pas rasteve të përsëritura të marrjes së pasaportave biometrike në emër të shtetasve të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura