Zbulohen “Fantazmat” e Asad, ja milicia që kryen masakrat

Jun 12, 2012 | 15:05

Forcat e qeverisë siriane vazhdojnë ofensivën e tyre me bombardime në qendrat opozitare, por për “kauzën” e tyre luftojnë edhe “Fantazmat”. Skuadrat e vdekjes, milicia e fshehtë e Presidentit Bashar al Asad, u zbuluan dhe u publikuan me foto në mediat perëndimore, si autorë të masakrave të javëve të fundit në Siri, të cilat kanë shkaktuar vrasje civilësh, 108 në Hula, më pas 12 punëtorë dhe 78 civilë në një fshat afër Homsit. Asad nuk pranon ta ndërpresë ofensivën, me gjithë thirrjet ndërkombëtare për respektimin e armëpushimit dhe kërcënimet për një ndërhyrje ushtarake. “Fantazmat” janë të “pompuar” me steroidë dhe luftojnë për të mbajtur në fuqi Bashar al Asadin. Të mbuluar me tatuazhe me kokën e liderit të tyre, ata janë identifikuar si grupi që ka shkaktuar masakrën në Hula, ku mes 108 njerëzve u therën edhe 49 fëmijë. “Betejat” e tyre ku kundërshtarë janë familje siriane në qytete dhe fshatrat opozitarë, kryhen me armë AK-47 dhe hanxharë. Këta janë identifikuar si grupi që bëjnë punët e pista të qeverisë së Asad. Të njohur si “Shabiha”, që do të thotë “Fantazmat”, ata veshin pantallona ushtarake dhe bluza të zeza dhe paguhen 150 euro në ditë. Një burim për mediat perëndimore tha: “Misioni i tyre është terrorizimi i civilëve dhe spastrimi etnik”. Dr. Mousab Azavi, i cili drejtin rrjetin sirian për të drejtat e Njeriut nga Londra, ka kuruar disa prej tyre. Ai tha se: “Ata janë përbindësha. Kanë muskuj të mëdhenj dhe mjekra. Marrin asteroide për të fryrë trupat. Mu desh t’i flisja si fëmijë, sepse ata nuk i pëlqejnë njerëzit inteligjentë”. Fotot e “skuadrave të vdekjes” u publikuan vetëm një ditë pasi sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, tha se ndërkombëtarët mund të dërgonin trupa në Siri në rast se armëpushimi vazhdon të mos respektohet, pasi vendi po kthehet si Bosnja e viteve ‘90.

Armëpushimi
Të hënën, ndërmjetësi ndërkombëtar Kofi Anan foli mbi shqetësimin në rritje për situatën në Homs dhe Latakia. Shumë civilë kanë mbetur të bllokuar në këto zona. Anan kërkoi respektimin e armëpushimit, të cilin Asad e ka nënshkruar që muajin e kaluar, por nuk e ka respektuar as për një javë.

© Panorama.al

Te lidhura