UPDATE/I gjithë skenari i gjobëvënies ndaj biznesmenit të mobilieve Laver Cobo dyshohet se ka nisur ditën e enjte. Atë ditë vajza ka dalë në mëngjes dhe pa dhënë asnjë shpjegim nuk është kthyer më në shtëpi.
Familjarët, nëna dhe babai kanë tentuar të lidhen me të në telefon por nuk ia kanë arritur. Ndërkohë vajza në orët e pasdites është paraqitur me kartë identiteti tek një hotel në zonën e Selitës.
Ajo është strehuar aty ndërsa nuk ka shkuar në shtëpi. Të premten në mëngjes, biznesmeni ka marrë një telefonatë me numër privat ku i thuhej:
“Kemi vajzën tënde në dorë, duhet të dorëzosh 400 mijë euro, bëji gati deri sot në darkë dhe do të njoftojmë. Dërgo dikë që t’i sjellë paratë…”
Biznesmeni ka bërë padi në polici dhe ka nisur hetimi. Mbrëmjen e djeshme teksa vajza qëndronte në hotel shtetasit Orion Hoxha dhe Kristi Gjora, që mendohet se kishin ndjekur nga larg lëvizjet e Laver Cobos gjatë ditës, i kanë telefonuar atij në mbrëmje dhe i kanë thënë t’i dorëzonte paratë diku në zonën e Selitës, duke i thënë se vendin konkret do t’ia tregonin pasi ta shikonin se kishte mbërritur në zonë.
Policia ka identifikuar telefonuesin Orion Hoxha dhe më pas ka gjetur edhe vendndodhjen e tij duke e arrestuar.
Ai është mbajtur në polici ndërsa gjatë kësaj kohe, vajza Nensi Coba është njoftuar për arrestimin e të dashurit dhe ka dalë nga hoteli duke shkuar në shtëpi.
Ajo i ka thënë mamasë se e kishin rrëmbyer persona të panjohur por që gjithçka kishte marrë fund për fatin e mirë të saj.
Policia ka arrestuar më pas edhe Kristi Gjorën dhe gjatë marrjes në pyetje të dy kanë pranuar se pjesë e skenarit ka qenë edhe vajza 18-vjecare. Për këtë të fundit ka telefonata dhe mesazhe të shkëmbyera për ngjarjen me të dashurin e saj.
© Panorama.al












