
Një muaj pas masakrës në Kallamata të Greqisë, ku humbi jetën shqiptari 35-vjeçar Fillim Mësaja dhe i biri 3-vjeçar, Oligerti, policia greke ka zbardhur ngjarjen. Sipas saj, autori i krimit është një patriot i viktimës, i cili e ka kryer ekze-kutimin e dyfishtë i porositur nga një kriminel grek, i njohur për veprat më të rënda penale. Mediat greke, të cilat citojnë policinë helene, bëjnë të ditur se vrasja e Mësajës është planifikuar nga drejtuesit e një organizate kriminale, në të cilën bëjnë pjesë 14 persona, shtetas grekë e shqiptarë. Ky grup, prej të cilit 8 janë të arrestuar dhe 6 në kërkim, njihet në Greqi për vrasje, trafik të lëndëve narkotike, si dhe shantazhe me qëllim përfitimin ndaj biznesmenëve grekë. Në këtë organizatë duket se ka qenë i përfshirë dhe 35-vjeçari Mësaja, i cili për shkaqe që ende nuk dihen është bërë qëllim eliminimi nga ana e grupit. Policia greke, bazuar në dëshmitë e të arrestuarve, ka arritur të hedhë dritë mbi momentet e krimit që tronditi Greqinë e Shqipërinë mbrë-mjen e 29 nëntorit të këtij viti. Ekzekutori i drejtpërdrejtë është identifikuar të jetë një shqiptar, i cili ka rrëfyer çdo gjë për policinë grekë. Arrestimi i shqiptarit vrasës, emri i të cilit nuk bëhet publik nga ana e policisë, por jepet vetëm mosha e tij, 29 vjeç, u bë dje në mëngjes, në shtëpinë e tij, në Porto Raftis, Atiki, pas një operacioni policor të organizuar të Njësisë Speciale Anti-terroriste. Bazuar te të dhënat e mediave greke që citojnë policinë, mësohet se shqiptari është shprehur se për krimin është paguar nga kreu i organizatës, Vasilis Varelas. Sipas 29-vjeçarit, ai i ka telefonuar patriotit të tij, Fillim Mësaja, duke e nxjerrë në pritë. Viktima ka dalë dhe ka marrë me vete dhe djalin e vogël. Por, për autorin ishte e qartë që të zhdukte çdo gjurmë. “Shkova në vendin ku e kishim lënë,

hapa derën e makinës, qëllova ndaj 35-vjeçarit. Vrava atë e më pas thera fëmijën”, mësohet të ketë dëshmuar shqiptari. Ai ka dashur të mbrohet për krimin e dyfishtë, duke theksuar faktin se ishte i detyruar për të zbatuar porosinë që mori nga kreu i grupit, një 49-vjeçar grek. Kreu i organizatës është pikërisht Varelas, një ndër të arrestuarit për një sërë veprash penale, që nga droga e vrasjet, së fundi edhe për krimin ndaj shqiptarit Fillim Mësaja. Sipas policisë greke, shqiptari i arrestuar është autor i dy vrasjeve të tjera të porositura nga banda ku merrte pjesë. Këto krime janë shënuar në vitet 2008 dhe 2009, ku viktima të tij ishin dy shtetas grekë. Ndërkohë është ende në proces hetimi e shkaku i vrasjes së Fëllim Mësajës. Dyshohet se ai ka prishur ndonjë çështje të bandës ose nuk e ka realizuar porosinë e tyre, duke sjellë dhe hakmarrjen nga ana e grupit. Sipas policisë, hetimet po vazhdojnë ende për vrasjen e shqiptarit dhe djalit të tij 3-vjeçar, ndërsa po kërkohen dhe 6 anëtarët e tjerë të bandës. Mbrëmjen e 29 nëntorit, makina e Fillim Mësajës u gjet në një kanal të fshatit Plati, në Kallamata të Greqisë. Fillimisht u dyshua për një aksident, por pas nxjerrjes së mjetit, u konstatuan dy trupat e pajetë: 35-vjeçari i qëlluar me armë gjahu, ndërsa i biri i goditur me thikë në qafë.
Shkëlzen Mësaja: Doli për ushqime
Vëllai i viktimës: Fillimi nuk ngatërrohej me njeri
Vetëm një ditë pas krimit në shtetin grek, vëllai i viktimës, Shkëlzen Mësaja, tha për gazetën se Fillimi nuk ishte ngatërruar asnjëherë me njeri. Sipas tij, vëllai i madh kishte 15 vjet në Greqi dhe jetonte duke punuar në ndërtim. Pak ditë para se të ndodhte masakra, ai kishte arritur të merrte familjen në Greqi, pasi dhe djalin e madh e kishte të sëmurë dhe i nevojitej ndihma mjekësore. “Sa herë që kemi komunikuar me të nuk na ka thënë se kishte ndonjë shqetësim. As e shoqja nuk di asgjë”, tregoi Shkëlzeni në një intervistë për gazetën. Vetë Shkëlzeni ka qenë pranë zonës ku ndodhi krimi, pasi jetonte edhe ai në Greqi. Siç tregoi vëllai i 35-vjeçarit, pak minuta para se të dilte nga shtëpia, Fillimi i kishte thënë gruas se do të dilte për të blerë disa ushqime për familjen dhe do të kthehej shpejt. Për këtë arsye, ai kishte marrë dhe djalin e vogël, por të dy bashkë u bënë viktima të masakrës. Për shkak të krimit makabër, asnjë prej arkivoleve të viktimave nuk u hap kur mbërritën në familje, në fshatin Katund i Ri, në Sukth të Durrësit.
Grupi kriminal kërcënonte biznese e merrte shuma të mëdha
Dy vëllezërit e Varelas në kërkim, luajtën në filmin e Chuck Norris

Policia greke konfirmoi dje se urdhëruesi i vrasjes së emigrantit shqiptar dhe fëmijës 3 vjeç është greku Vasilis Varelas, i skeduar për aktivitet kriminal në Greqi dhe i dënuar për vrasje e trafik droge. Në kërkim mësohet se janë shpallur, veç të tjerëve, dhe dy vëllezërit e Varelas: Leonidas dhe Kristos Varelas (pronarë të një palestre në Athinë). Ata janë të njohur si protagonistë në një prej filmave të aktorit amerikan, Chuck Norris. Të dy vëllezërit, të njohur për artet marciale, kanë luajtur rol në filmin e aktorit të njohur, ndërkohë që ishin në hetim si persona me precedentë kriminalë. Gjatë operacionit të gjerë për kapjen e të dyshuarve, policia gjeti sasi droge, 2 pistoleta, 3 armë gjahu, sasi të madhe fishekësh dhe 4500 euro në pronësi të tyre. Grupi kriminal kërcënonte biznese dhe merrte shuma të mëdha prej tyre dhe trafikonte lëndë narkotike në rajonin e Peloponezit. Akuzat kundër 8 të arrestuarve dhe personave të kërkuar janë: Pjesëmarrje në organizatë kriminale, të projektuar për grabitjen e pronarëve të dyqaneve dhe klubeve të natës, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, vrasje, posedim dhe përdorim ilegal të armëve.
© Panorama.al











