Rushit Hatija, një shitës ambulant, nuk e ka çuar në mendje se rrahja për vdekje e një 69-vjeçari, të cilit i vodhi më pas në banesë një peshore, një palë dylbi, ca enë kuzhine e një komplet perdesh tyli, do t’i kushtonte burgim të përjetshëm. Gjykata e Tiranës zbardhi arsyetimin e vendimit që kyçi përjetë në qeli 35-vjeçarin Hatija, i deklaruar fajtor më 22 nëntor për “vjedhjen me pasojë vdekjen”, në dëm të të moshuarit Enver Velija. Sipas vendimit të Gjykatës, para se viktima Velija dhe i pandehuri Hatija të përlesheshin më 11 nëntor të vitit 2010, ata kishin konsumuar së bashku sasi të mëdha alkooli në verandën e shtëpisë së viktimës Velija. Në vijim pasqyrohet gjithë ngjarja, sipas vendimi të gjykatës.
NGJARJA SIPAS GJYKATËS
I pandehuri Rushit Hatija është banor i qytetit të Tiranës dhe tregton në rrugët e Tiranës në mënyrë ambulatore ora dore të ndryshme. Më datë 11.11.2010, i pandehuri ka dalë nga banesa e tij në rrugën “Hoxha Tahsin” dhe ka filluar punën e tij të përditshme. Rreth orës 10:00, në afërsi të Stacionit të Trenit në qytetin e Tiranës, i pandehuri ka takuar rastësisht viktimën Enver Velija, i cili është interesuar për njërën nga orët që shiste i pandehuri. Viktima dhe i pandehuri kanë rënë dakord për të shitur njërën nga orët, por meqenëse viktima nuk i kishte të gjitha të hollat, i ka propozuar të pandehurit që të shkonin në shtëpinë e viktimës për të marrë pjesën tjetër të parave. I pandehuri dhe viktima kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit, që ndodhet në rrugicën “Isa Boletini”, në afërsi të Rrugës së Barrikadave, Tiranë dhe janë ulur në një tavolinë të verandës së shtëpisë. Meqenëse viktimës i pëlqente të konsumonte pije alkoolike, i ka ofruar edhe të pandehurit raki dhe kafe. Pas disa gotave raki, të dy së bashku kanë përfunduar një shishe dhe kanë filluar edhe një të dytë. Gjatë kësaj kohe, i pandehuri ka vënë re se viktima jetonte i vetëm dhe se po konsumonte sasi të madhe alkooli. Në këtë situatë, i pandehuri ka menduar se lehtësisht mund të merrte sendet me vlerë apo të hollat që viktima mbante në shtëpinë e tij. I pandehuri është ngritur nga tavolina dhe ka hyrë në pjesën e brendshme të banesës, duke kontrolluar për ndonjë send me vlerë. Por, viktima ka kuptuar qëllimin e të pandehurit dhe ka reaguar për të penguar vjedhjen e sendeve.
VRASJA
Nisur dhe nga gjendja e dehur dhe diferenca fizike për shkak të moshës, i pandehuri ka reaguar dhunshëm ndaj viktimës. Ai e ka qëlluar viktimën me grushte dhe sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit derisa viktima është rrëzuar dhe ka mbetur pa ndjenja. I pandehuri ka marrë çdo send që e ka menduar se ka vlerë, si një peshore ngjyrë të bardhë, një sobë të vogël elektrike, një palë dylbi, pjata, tenxhere, lugë, pirunë, një komplet perde tyli etj., i ka futur në një thes apo çarçaf dhe është larguar nga banesa e viktimës. Një pjesë të sendeve të vjedhura i pandehuri i ka fshehur, ndërsa një pjesë i ka shitur në një pikë grumbullimi të hekurishteve, dhe me paratë e përfituara ka vazhduar të konsumojë pije alkoolike. Të nesërmen, i pandehuri ka marrë sendet që kishte vjedhur dhe i ka çuar në banesën e tij, duke i thënë nënës se “i kishte gjetur në plehra”. Rreth dy ditë pas ngjarjes, dëshmitari Kujtim Xh. ka ardhur si zakonisht për të shitur qumësht në qytetin e Tiranës. Meqenëse viktima Enver Velija nuk ka dalë në vendin ku merrte zakonisht qumështin, dëshmitari Kujtim, për shkak edhe të njohjeve që kishte, ka vendosur t’ia çonte qumështin në shtëpi. Dëshmitari i ka thirrur disa herë viktimës, por nuk i është përgjigjur njeri. Kur ka shtyrë derën e jashtme dhe është futur në oborr, nga dritarja e shtëpisë ka vënë re se viktima ishte i shtrirë në krevat dhe i gjakosur në ballë. Dëshmitari Kujtim ka njoftuar të njohurin e tij dhe të viktimës, dëshmitarin Ahmet M. dhe kur janë futur brenda, kanë vënë re se viktima kishte vdekur dhe se në të gjithë shtëpinë kishte rrëmujë. Menjëherë kanë njoftuar policinë dhe kanë filluar procedurat hetimore.
ARRESTIMI
Nga veprimet e para dhe nga provat e gjetura në vendin e ngjarjes është krijuar ideja e një vjedhjeje dhe ka qenë e qartë se në trupin e të ndjerit ka shenja të dukshme dhune. Nga gjurmët papilare të gjetura në vendin e ngjarjes, sidomos në shishen e rakisë dhe në gotat e filxhanit, është bërë identifikimi i të pandehurit Rushit Hatija si një nga personat që ka qenë në banesën e viktimës. Nisur nga dyshimet e krijuara, disa ditë më vonë, më datë 19.11.2010, është bërë edhe ndalimi i të pandehurit si edhe kontrolli i banesës së tij. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një pjesë e sendeve të vjedhura, si peshorja, një palë dylbi, disa tenxhere, disa pjata të llojeve dhe madhësive të ndryshme, një furrë (sobë) elektrike, si edhe thika, pirunë etj. Gjithashtu janë sekuestruar edhe rrobat që i pandehuri ka pasur të veshura ditën e ngjarjes, ku në tutat sportive konstatohen gjurmë të kuqe si ato të gjakut.
ARMAND BAJRAMI











