Ka nisur një aventurë të rrezikshme që mund ta bënte të pasur me një milion euro, por ngjarjet kanë marrë një kthesë krejt të papritur për autorin e gjobëvënies ndaj një biznesmeni në Durrës.Erjan Vrioni, 20 vjeç, akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ka kryer krimin e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”. Për këtë akuzë, dosja penale ndaj 20-vjeçarit është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pritet të fillojë së shpejti procesi gjyqësor. Dosja penale është hapur në dhjetor 2009 fillimisht në Policinë e Durrësit dhe më pas hetimi kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Më 26 dhjetor 2009, biznesmeni L. M., banues në periferi të Durrësit dhe pronar i një kompanie biznesi, ka gjetur një letër poshtë derës së shtëpisë. Rreth orës 12:00 ai ka konstatuar letrën dhe menjëherë e ka marrë për ta lexuar atë. Sipas informacionit që mori më pas policia, në letër ishte shkruar se biznesmeni duhej të paguante një milion euro, përndryshe jeta e tij ishte në rrezik. Në letër theksohej se ultimatumi ishte i qartë, një milion euro duhej të paguheshin pa njoftuar policinë, përndryshe, jeta e biznesmenit dhe familjarëve të tij ishte në rrezik. Në letër shkruhej edhe një numër celulari, 068 44… me të cilin biznesmeni duhej të kontaktonte për të bërë dorëzimin e pagesës së kërkuar me anë të instruksioneve që do t’i jepeshin. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, biznesmeni ka vënë në dijeni policinë. Ai është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së qarkut Durrës, e cila ka njoftuar menjëherë Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.
Kurthi
Pasi janë vënë në dijeni në lidhje me gjobëvënien, oficerët e policisë dhe të prokurorisë kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Gjithçka ka nisur nga provat e vetme që kishte në duar grupi i hetimit, letra e gjetur nën derën e shtëpisë së biznesmenit dhe numri i telefonit celular. Me anë të verifikimeve operative, hetuesit kanë mbërritur te emri i shtetasit Erjan Vrioni. Deri në këtë fazë ai ka qenë vetëm person i dyshuar, pasi nuk kishte prova të drejtpërdrejta për fajësimin e tij. Por këtu nis e gjithë historia. Agjentët e policisë e shoqërojnë në zyrat e tyre të dyshuarin “për një verifikim” dhe e marrin në pyetje në një mënyrë krejt të veçantë: I japin disa letra dhe i kërkojnë të shkruajë mendimet e tij nëse kishte kryer krime, nëse e njihte biznesmenin të cilit i ishte vënë gjobë dhe një sërë çështjesh të tjera. Me sa duket, në këtë kohë 20-vjeçari diçka ka kuptuar, pasi sipas hetimit, ai ka tentuar të ndryshojë shkrimin e tij të dorës. Megjithatë, atij i është kërkuar të shkruante në detaje dhe në disa fletë. Pikërisht për këtë shkak, vëmendja e ka tradhtuar 20-vjeçarin, i cili në këtë mënyrë ka firmosur arrestimin e tij. Pak ditë më pas, ekspertiza do të gjende se letra që kërkonte një milion euro nga biznesmeni përmbante të njëjtin shkrim si ato që kishte mbushur Erjan Vrioni në polici.
Akt-ekspertimi i letrës, prova kryesore
Prova kryesore e Prokurorisë në dosjen penale që është dorëzuar në Gjykatë është akti i ekspertimit grafik të shkrimit me nr. 1029. Ky akt ekspertimi është realizuar më datën 8 shkurt 2011 dhe sqaron se “shkrimi në letrën kërcënuese duhet të jetë i shtetasit Erjan Vrioni”. Të paktën kjo është mënyra si janë shprehur specialistët në aktin e ekspertimit.
Gjobëvëniet u dyfishuan në katër vitet e fundit
TIRANE – Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë, njohur në zhargonin popullor si gjobëvënie, klasifikohet në krimet kundër lirisë së personit. Të dhënat e Prokurorisë në raportin për vitin 2010 tregojnë se krime të tilla kanë ardhur në rritje, edhe pse kjo vepër penale, edhe në rastet kur ka ndodhur në rrethe, është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka juridiksion në të gjithë vendin për krime të tilla. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2010, në të gjithë vendin janë regjistruar 24 ngjarje që janë klasifikuar si shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie ndaj personave të ndryshëm. Nga ky numër janë dënuar gjatë vitit 2010 pesë persona që kanë kryer një krim të tillë, ndërkohë që pjesa tjetër kanë qenë në gjykim. Të dhënat tregojnë se numri i gjobëvënieve ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, pasi në vitin 2006 kanë ndodhur 10 ngjarje të tilla, në 2007-n ka pasur 17 raste, në vitin 2008 është shënuar një rënie me 12 ngjarje të tilla dhe më pas ka ardhur sërish në rritje, me 24 raste në vitin 2009 dhe 24 raste në vitin 2010. Sipas të dhënave të Prokurorisë, numri më i madh i ngjarjeve të tilla gjatë vitit 2010 ka ndodhur në Durrës, me 3 procedime të regjistruara, më pas në Lushnjë, me 4 raste, si dhe nga një rast në Vlorë, Shkodër e Lezhë.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











