
Zbardhet versioni zyrtar i ngjarjes për plagosjen e avokatit Dino Leli, ish-mbrojtës ligjor i Nehat Kullës.Ai është sulmuar pasditen e 26 korrikut pranë shkollës “1 Maji” në Tiranë dhe fillimisht u dyshua për një atentat të rëndë. Sipas hetimeve, avokati fillimisht ka menduar se i kishte shpërthyer aparati i telefonit celular, me të cilin po fliste në momentin e ngjarjes. Vetëm pas pak, ai ka kuptuar se ishte plagosur lehtë në kokë. Në dosjen hetimore për këtë ngjarje pasqyrohet momenti i plagosjes së avokatit, si edhe kronologjia e takimeve të tij për shkak të detyrës me Fatime Fregjën, të dyshuar si autore e ngjarjes. Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj të dyshuarës Fregja masën e sigurisë “arrest me burg”. Në seancën gjyqësore të caktimit të masës së sigurisë, ajo pretendoi se kishte qëlluar avokatin me qytën e pistoletës. Para trupës gjykuese, Fregja tha se këtë veprim e kishte bërë për ta trembur avokatin, pasi më parë ishte ngacmuar seksualisht prej tij. Pas ngjarjes, prokuroria hodhi dyshime dhe për përfshirje të personave të tjerë në plagosjen e avokatit. Kjo për faktin se, gëzhoja e gjetur dhe e sekuestruar në vendngjarje nuk është qitur nga arma pistoletë, të cilën e dyshuara Fregja ka dorëzuar në polici. Në vijim zbardhet ngjarja referuar materialeve të dosjes hetimore.
HETIMET
Nga hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të personit nën hetim, Fatime Fregja, ka rezultuar se kjo e fundit, rreth datave 15 – 16 korrik 2011 i ka telefonuar shtetasit Dino Lelaj, të cilit i ka kërkuar që t’i merrte në mbrojtje djalin e saj, që ishte në burg. Të nesërmen e asaj date është realizuar takimi ndërmjet personit nën hetim, Fatime Fregja, me personin e dëmtuar nga vepra penale, shtetasin Dino Lelaj. Pasi ky i fundit ka marrë përsipër mbrojtjen, i ka kërkuar personit nën hetim, Fatime Fregja, që t’i bënte një prokurë me qëllim që të kishte mundësi të merrte kontakte me të birin e saj. Rezulton t’i ketë kërkuar shumën prej 20 000 (njëzet mijë) lekë. Pas 2-3 ditëve, duke qenë se personi nën hetim, Fatime Fregja, nuk ishte paraqitur për t’i vënë në dispozicion prokurën si dhe shumën për të cilën rezultonte të kishin rënë dakord, i ka telefonuar. Një person i prezantuar si djali i saj i ka thënë se e ëma po bëhej gati të gjente lekët dhe se do të vinte ta takonte. Pas 2-3 ditëve, personi nën hetim, Fatime Fregja, i ka telefonuar me të njëjtin numër telefoni. Pasi ka komunikuar me të dëmtuarin nga vepra penale, shtetasin Dino Lelaj, i ka thënë këtij të fundit se do të takoheshin te shkolla “1 Maji” dhe, kur janë takuar ajo nuk rezulton t’i ketë sjellë as prokurën dhe as lekët duke i shpjeguar se nuk kishte pasur praktikisht mundësi dhe se do t’i gjente në ditët në vijim. Më datë 26.07.2011, personi i dëmtuar nga vepra penale, shtetasi Dino Lelaj, rezulton të ketë folur me personin nën hetim, Fatime Fregja, ku kjo e fundit ka insistuar që të takoheshin përsëri tek i njëjti vend, ku ishin takuar disa ditë më parë dhe e ka sqaruar se, prokurën nuk e kishte bërë gati, por do t’ia jepte lekët dhe ai ta bënte te një noter me të cilën ai njihej vetë.
PLAGOSJA
Rreth orës 16:50, shtetasi Dino Lelaj rezulton të ketë qenë te vendi i caktuar ku dhe ka marrë një telefonatë nga personi nën hetim, Fatime Fregja, e cila i ka thënë se po vinte. Duke qenë në pritje, rezulton të jetë telefonuar nga dikush dhe, duke komunikuar në telefon, ka ndjerë një zhurmë të madhe pranë veshit të djathtë. Është rrëzuar në tokë, duke menduar për një moment se kishte plasur telefoni celular. Dikush është afruar pranë tij dhe kur e ka pyetur se çfarë ka ndodhur, shtetasi Dino Lelaj rezulton t’i ketë thënë se i kishte plasur celulari. Por, kur e ka parë atë në tokë të rregullt ka dyshuar për diçka tjetër. Personi i panjohur i ka thënë se më duket se të kanë qëlluar, ku pasi është qetësuar, ka konstatuar në tokë dhe një predhë të vogël. Pas ardhjes së punonjësve të Policisë së Shtetit, nga ana e këtyre të fundit, është sekuestruar me cilësinë e provës materiale një gëzhojë, e cila duhet të ishte qitur nga arma e përdorur.
ARMAND BAJRAMI











