Zbardhen përgjimet e Gazmend Sallakut

Sep 1, 2011 | 12:35
Ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku

Zbardhet “skema” e ryshfetit prej 150 mijë lekësh, e cila u bë shkak për arrestimin e ish-drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku.Ish-drejtori i stadiumit kombëtar u arrestua në 15 gusht, për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, ai ka marrë ryshfet nga biznesmeni P.L., në këmbim të nënshkrimit të një kontrate qiraje. Po sipas akuzës, më parë ai i kishte bërë presion biznesmenit, duke e kërcënuar se do t’i prishte investimet paraprake prej 2 milionë lekësh, të realizuar nga P.L. në ambientin që do të merrte me qira, nëse nuk i jepte ryshfet. Në vijim, rrëfehet në kronologji ngjarja referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës, që caktoi pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 1 mujor për të dyshuarin Gazmend Sallaku.
HISTORIA
Para një muaji, P.L. është takuar me drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa” dhe “Asllan Rusi”, z. Gazmend Sallaku, në zyrën e tij, ku i ka kërkuar një ambient me qira në ndërtesat që administroheshin prej tij. Biseda me Gazmendin ka zgjatur rreth 10-15 minuta dhe në përfundim, Sallaku i ka thënë se kishin një lokal bar-kafe, në pjesën përballë me hotel “Sheraton”, ku pronari i saj do të largohej. Pas 2-3 ditësh, kallëzuesi ka komunikuar në telefon me zëvendësdrejtorin e stadiumit i cili quhet Xheladin, në numrin e tij, 069XXXX620. Me këtë person kanë caktuar që të takoheshin te lokali i stadiumit “Qemal Stafa”, përballë me sheshin e parkimit të automjeteve. Në lokal do të shkonte dhe drejtori, Gazmendi. Rreth paradites, të tre personat janë takuar në lokal. Në bisedë, Gazmendi dhe Xheladini i kanë treguar kallëzuesit se personi që kishte bar-kafen te stadiumi “Qemal Stafa”, nuk do të largohej. Në përfundim, kanë diskutuar që të shikonin një ambient tjetër te stadiumi “Asllan Rusi”. Në të njëjtën ditë, kallëzuesi dhe zv. Drejtori, Xheladini, kanë shkuar te stadiumi “Asllan Rusi”. Në stadium kanë diskutuar për disa variante. Në përfundim, kanë caktuar një hapësirë që ndodhet në hyrje të ambienteve të brendshme të tij. Ky ambient do të përdorej nga kallëzuesi si magazinë. Kallëzuesi P.L. ka qenë i interesuar të fillonte aktivitetin në shtator, pasi periudha e gushtit nuk ka shumë xhiro. Njëkohësisht i nevojitej të kalonte materialet nga një dyqan që ndodhet te “21 dhjetori”, tek ambienti i stadiumit. Për këto arsye, është rënë dakord që kallëzuesi të fillonte punimet dhe rregullimin e ambientit, i cili ishte shumë i amortizuar, ndërsa kontrata të lidhej në muajin shtator të këtij viti. Pas 2-3 ditësh, kallëzuesi është takuar me zv. Drejtorin, Xheladinin. Në këtë takim Xheladini ka theksuar përsëri, që fillimisht të fillonin punimet, e më pas të lidhej kontrata. Pas disa ditësh, kallëzuesi ka dërguar në ambientin e caktuar vëllanë e tij  Sh.L., për të bërë matjen e hapësirës, dritareve etj. Në momentin kur shtetasi Sh. po bënte matjet, përgjegjësja e stadiumit “Asllan Rusi” e ka pyetur se çfarë bënte aty. Shtetasi Sh. i ka treguar se po bënte matje, pasi ambienti do të merrej me qira. Për sqarim edhe kallëzuesi ka biseduar në telefon me përgjegjësen, të cilës i ka thënë se duhej të fliste me drejtorin, Gazmend Sallaku ose zv.drejtorin, Xheladinin, pasi ata ishin në dijeni me këtë problem. Një ditë para se të fillonte punimet, P. ka biseduar në telefon me Xheladinin, të cilit i ka kërkuar që të merrte masa për të hequr nga ambienti disa materiale të stadiumit. Xheladini ka miratuar dhe ka ndihmuar kallëzuesin duke dërguar një punonjës për të bërë lidhjen e korrentit dhe të ujit.
INVESTIMI
Pas 2-3 ditësh nga biseda e bërë me përgjegjësen e stadiumit “Asllan Rusi”, kallëzuesi ka filluar për të rregulluar ambientin që do të merrte me qira. Ai ka dërguar rreth 15 punëtore për vendosjen e rafteve, instalimeve elektrike etj. Në këtë ambient është punuar rreth 2 javë. Për të bërë riparimin, kallëzuesi ka shpenzuar rreth 2 milionë lekë të rinj. Kallëzuesi, prej dhjetë ditësh ka bërë funksional ambientin dhe ka filluar të punojë në të. Drejtori, Gazmend Sallaku, para 3-4 ditësh kishte shkuar tek ambienti i stadiumit “Asllan Rusi” dhe ishte takuar me punonjësen e kallëzuesit, të cilës i ka thënë që të njoftonte P., pasi kërkonte që të takoheshin me urgjencë. Pasi punonjësja T.C. ka njoftuar kallëzuesin, ky i fundit ka komunikuar në telefon me drejtorin nga numri i tij celular, 069xxxx559. Gazmendi i ka thënë kallëzuesit se duhej patjetër të takoheshin për të folur.
“PRESIONI”
Të nesërmen, kallëzuesi ka telefonuar drejtorin me të cilin janë takuar në një lokal pranë ZVRPP, Tiranë. Në bisedë, Gazmend Sallaku i ka thënë kallëzuesit se po sakrifikonte për këtë të fundit, pasi ishte ankuar një pronar lokali që kishte me qira ambientin aty pranë. Kallëzuesi i ka thënë Sallakut se ky i fundit kishte kompetencën, pasi me V.K.M ishte e drejta e tij. Sallaku është mërzitur, duke i thënë me ton të lartë kallëzuesit që të prishte ambientin. Pasi është ndarë me drejtorin, kallëzuesi ka shkuar te stadiumi “Asllan Rusi” dhe është takuar me qiramarrësin e lokalit ngjitur ambientit që do të merrej me qira prej tij. Këtij personi, që e thërrasin Ll., kallëzuesi i ka thënë se pse ishte ankuar te drejtori, pasi nuk i prishte asnjë punë. Ll. i është përgjigjur se nuk kishte bërë asnjë ankesë dhe pasi ka telefonuar drejtorin, i ka thënë se pse e ngatërronte, pasi nuk kishte pasur asnjë ankesë. Kur Ll. ka përfunduar bisedën me drejtor Gazmendin, ky i fundit ka telefonuar kallëzuesin menjëherë dhe i ka thënë që të mos merrej me Ll., pasi këtë problem do ta rregullonin bashkë. Gjithashtu, drejtori i ka thënë kallëzuesit që ta priste, pasi do të shkonte për ta takuar. Pas dy orësh, Gazmendi ka shkuar te stadiumi dhe, së bashku me kallëzuesin, janë ulur te lokali i personit me shkurtimin “Ll.”. Në bisedë, Gazmend Sallaku i ka thënë kallëzuesit, se para stadiumit ishte një kioskë që shet pjesë makinash dhe se pronari i saj kishte paguar 8 (tetë) milionë lekë të vjetra për vendosjen e saj. Kallëzuesi i është përgjigjur se pronari i kioskës e kishte pronën e tij dhe jo me qira. Por, Sallaku i ka thënë: “Më dëgjo se çfarë them unë, po të duash, po mos të duash do të vijë Policia Ndërtimore për ta prishur”. Biseda është mbyllur dhe shtetasi Gazmend është larguar. Në procesverbalin mbi paktin për përgjim, të datës dt.11.08.2011, shtetasi P.L., ka shprehur vullnetin se është i gatshëm të kryeje dhe regjistrojë përgjimin ambiental me shtetasin Gazmend Sallaku dhe zv. drejtorin e quajtur Xheladin. Në këto kushte, nga prokurori është autorizuar përgjimi ambiental i bisedave ndërmjet shtetasve P.L. dhe Gazmend Sallaku. Gjithashtu, është autorizuar edhe stimulimi i aktit korruptiv nga shtetasi P.L. në drejtim të personit nën hetim, Gazmend Sallaku.
“KËRCËNIMI”
Kallëzuesi menjëherë ka telefonuar zv. Drejtorin, Xheladinin, të cilit i ka kërkuar takim te një lokal pranë Shkollës së Baletit. Në bisedë, kallëzuesi i ka thënë Xheladinit: “Çfarë ishin këto punë, më mirë të m’i tregonin përpara, sesa tani kur kam investuar 20 milionë lekë të vjetra”. Xheladini i është përgjigjur se kishte biseduar me Gazmendin, por ky i fundit i kishte thënë se kallëzuesi “nuk do t’ia hidhte lehtë, pa i dhënë atë që kërkon”. Xheladini i ka thënë kallëzuesit se drejtori kështu bën me të gjithë. Në përfundim, është caktuar që kallëzuesi të takohej në Tiranë, me shtetasin Xheladin dhe drejtorin Gazmend Sallaku, në mënyrë që ta vendosnin sesi do të zgjidhej situata e krijuar. Me datë 10.08.2011, rreth orës 13:24, kallëzuesi është telefonuar nga drejtori Gazmend Sallaku, prej numrit të zyrës,  +35542222XXX. Z. Sallaku i ka thënë se nuk do të takoheshin në Tiranë, por në plazhin e Golemit, Durrës, te një lokal pranë shtëpisë së Xheladinit. Kallëzuesi ka pranuar dhe ka telefonuar Xheladinin në numrin celular, të cilit i ka thënë se pse ishte ky ndryshim vendi. Xheladini i është përgjigjur se ishte me pushime dhe nuk kishte pse të vinte në Tiranë. Ai ka thënë se për shkak se problemi ishte i kallëzuesit, ishte ky i fundit që duhej të shkonte në Durrës. Në date 11.08.2011, kallëzuesi ka telefonuar Gazmendin, për të shkuar në Golem për t’u takuar me Xheladinin dhe për të vendosur përfundimisht sa para kërkohen për t’i dhënë lejen 1-vjeçare, për përdorimin e ambientit te stadiumi “Asllan Rusi”.
RRYSHFETI
Më datë 12 gusht 2011, shtetasi P.L. ka deklaruar se rreth orës 18:30, të datës 11.08.2011, ka takuar shtetasin Gazmend Sallaku, në një lokal pranë zyrës së këtij të fundit të ndodhur në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”. Në bisedë, shtetasi Gazmend i ka thënë kallëzuesit që të takohej me zv. drejtorin Xheladin për të zgjidhur problemin. Kallëzuesi i është përgjigjur se nuk kishte arsye që të takonte Xheladinin. Gazmendi ka pyetur kallëzuesin “Nuk të ka thënë gjë Xheladini për 3 milionë e gjysmë” dhe shtetasi P. i është përgjigjur: “Absolutisht jo, nuk më ka thënë asgjë”. Kallëzuesi ka kërkuar që të ulë shumën e kërkuar në 1 milionë e gjysmë lekë të vjetra. Në përfundim, është rënë dakord që të hënën vijuese të lidhej kontrata e qirasë. Më datë 16 gusht 2011, shtetasi P.L. ka deklaruar se në këtë datë ka shkuar në zyrën e shtetasit Gazmend Sallaku, ku fillimisht është proceduar me lidhjen e kontratës se qirasë. Kontrata është përgatitur nga një punonjëse e stadiumit. Gjatë përgatitjes së kontratës është zhvilluar bisedë ndërmjet kallëzuesit dhe shtetasit Gazmend Sallaku. Gjatë bisedës, z. Sallaku ka kërkuar shumën 350.000 lekë, duke iu shprehur kallëzuesit “Nuk të ka thënë ai (Xheladini) për tre milionë e gjysmë”. Pas lidhjes së kontratës, shtetasi P. ka vendosur në tavolinën e drejtorin Sallaku shumën prej 150.000 lekësh të mbështjellë me një letër format A4 dhe është larguar.
ARRESTIMI
Nga procesverbalet e datës 15.08.2011, të kapjes në flagrancë dhe këqyrjes së ambienteve të stadiumit “Qemal Stafa”, provohet se në këtë datë, pasi shtetasi Gazmend Sallaku ka marrë prej kallëzuesit shumën prej 150.000 lekësh, ka penguar ndërhyrjen në kushtet e flagrancës të organeve të policisë gjyqësore, duke mbyllur ambientet e stadiumit. Pas mbylljes së ambienteve, i arrestuari Gazmend ka fshehur shumën që kishte marrë prej shtetasit P. Policia gjyqësore ka hyrë në ambientet e stadiumit vetëm pasi ka hapur me forcë derën e këtij ambienti. Në këtë moment janë kontrolluar ambientet e stadiumit, veprim gjatë të cilit janë gjetur të fshehura paratë e marra nga i arrestuari dhe ambalazhi me të cilin ishte mbështjellë kjo shumë. Është bërë sekuestrimi i shumës prej 130.000 lekësh, të cilat shtetasi Gazmend Sallaku i kishte marrë kallëzuesit. Kjo sasi parash është e njëjtë me kartëmonedhat e pasqyruara në procesverbalin e datës 15.08.2011, për dorëzimin e parave shtetasit P.L. nga oficeri i policisë gjyqësore. Diferenca prej 20.000 lekësh nuk është mundur të gjendet nga organet e policisë gjyqësore, me gjithë kontrollin e bërë prej saj. Është sekuestruar edhe kontrata e qirasë provizore nr.164 prot. dt.15.08.2011, e lidhur ndërmjet Shoqërisë Anonime “Qendra Sportive”, Tiranë, përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Gazmend Sallaku dhe qiramarrësit me administrator shtetasin P.L. Objekti i kontratës është një sipërfaqe prej 80 m2 ndërtesë, në pjesën verilindore (ballore) të pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Vlera e qirasë është përcaktuar në shumën 40.000 lekë në muaj.

Debati për kontratën

Drejtoresha Ekonomike e sh.a. “Qendra Sportive Tiranë”, e njëjta që ka formuluar kontratën e qirasë së biznesmenit P.L., ka debatuar me drejtorin Gazmend Sallaku në lidhje me çmimin e qirasë. Sipas vendimit të gjykatës, ajo “ka debatuar me drejtorin për shkak të çmimit të ulet të vendosur prej tij në shumën 500 lekë për metër katror”. “Pasi ka hartuar kontratat ia ka dërguar drejtorit në zyrën e tij, ku kopjet janë firmosur nga palët dhe janë vulosur. Njëra nga kopjet është marrë prej shtetases E.S. Më pas, kontratat i janë dërguar drejtorit Sallaku. Aty kontratat janë firmosur nga biznesmeni, drejtori dhe drejtoresha ekonomike, e cila ka mbajtur një kopje”, thuhej në vendim.

Ballafaqimi me biznesmenin

Në vendimin e masës së sigurisë, gjykata i vuri detyrë prokurorisë të kryejë një ballafaqim mes personin nën hetim, Gazmend Sallaku dhe kallëzuesit, biznesmenit P.L. Shkak është bërë mospërputhja e shumës prej 150 mijë lekë, të cilat biznesmeni pretendon se ka lënë në zyrën e Sallakut, para arrestimit dhe 130 mijë lekëve të sekuestruara nga policia pas arrestimit. Për pretendimet e Sallakut, për probleme shëndetësore me zemrën, gjykata çmoi se prokuroria duhet të kryejë një vizitë mjekësore me mjekë specialistë kardiologë të mjekësisë ligjore për përcaktimin e gjendjes së Sallakut.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura