Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka deklaruar se Uashingtoni ndodhet “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, e cila do të adresonte në mënyrë afatgjatë programin bërthamor të Republikës Islamike.
Në një intervistë për emisionin “CBS Sunday Morning”, që do të transmetohet të dielën, Vance tha se synimi i administratës amerikane është të sigurojë që Irani të mos arrijë kurrë të pajiset me armë bërthamore.
“Tani për tani, mendoj se jemi në një pozicion për të arritur një marrëveshje që është e mirë për Shtetet e Bashkuara ekonomikisht dhe që adreson vërtet programin bërthamor iranian, jo vetëm tani, jo vetëm për sa kohë që Donald Trump është president, por edhe afatgjatë, në mënyrë që fëmijët e mi të mund të thonë kur të rriten, ‘Irani nuk do të ketë një armë bërthamore'”, tha Vance në një intervistë në CBS Sunday Morning që do të transmetohet të dielën.
“Ky është qëllimi i politikës. Dhe mendoj se jemi shumë afër arritjes së këtij qëllimi. Por kemi ende punë për të bërë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shtoi ai.
Vance theksoi se marrëveshja mund të mbyllet “padyshim” para zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor.
“Mendoj se do të kemi më shumë qartësi përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Marrëveshja mund të arrihet javën e ardhshme, por mund të kërkojë edhe disa muaj”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan.
© Panorama.al












