Zaganjori, gabimet “si President”

Jun 4, 2012 | 11:57

AGIM BAÇI

Dalja në skenë e një emri me mundësi potenciale për të marrë votat e duhura për kreun e ri të shtetit e kthen njeriun e diskutuar në një njeri të rëndësishëm për çdo hap që hedh qysh në momentin që diskutohet nga ata që mund ta votojnë. Si i tillë, pavarësisht rastësisë që paraqiti dalja e një emri jashtë politikës, si rasti i juristit Xhezair Zaganjori, sidomos pas rënies dakord të vetë atij për të qenë kandidat zyrtar, i bën fjalët e këtij të fundit të rëndësishme për publikun dhe lëvizjet e tij të gjykueshme si për një President të zgjedhur, duke parë edhe shanset e tij reale.
Mirëpo, përkundër pritshmërisë për qëndrime të ftohta, të asaj që të ofron parimisht anëtari i një Gjykate Kushtetuese, na u desh ta shihnim e ta dëgjonim kandidatin tonë zyrtar duke bërë komente të ndryshme lidhur me miqtë, të njohurit dhe të panjohurit, e, për më tepër, duke kërkuar takime politike, siç ishte ai me Ramën në PS, apo me Idrizin nëpër kafene, duke vendosur qysh në lëvizjet e tij të para disa pikëpyetje shumë të mëdha lidhur me modelin që ofron nëse zgjidhet. Ndërkohë që pas të gjitha daljeve në shtyp, nuk ka thënë asgjë lidhur me idetë e tij për krimet e komunizmit, për pronat, për familjen, për të drejtat e njeriut, të cilat janë edhe fushat me pritshmërinë më të madhe të publikut ndaj kreut të shtetit.
Shkurt fare, Xhezair Zaganjori, pasi u propozua si kandidat, pati shansin të fliste si President, por nuk e bëri. Madje zgjodhi rrugën e gabuar të shfaqjes së tij në publik duke kërkuar takime politike, pa nevojë dhe pa iu kërkuar një gjë e tillë. Është shumë e vërtetë që takime me të gjithë faktorët politikë ka pasur edhe Nano. Por ky i fundit e shfaqi publikisht platformën e tij dhe për këtë ishte i detyruar, sepse vetëm kështu mund të merrte pëlqimin për t’u kandiduar zyrtarisht, pasi kështu e kërkon Kushtetuta jonë – nevojën e 20 firmave për t’u paraqitur zyrtarisht në votim (megjithëse me kërcënimin që i bëri dje Ramës për krijimin e një fronti tjetër politik, ai tregoi anën e panjohur të platformës; që është i gatshëm të kërcënojë për të arritur atje ku e paraqiti disa javë më parë vetëm si një opsion moral). Nga ana tjetër, juristi dhe ish-diplomati Zaganjori nuk kishte asnjë nevojë të tillë për t’i kërkuar takim kreut të opozitës, pasi nuk ishte i vetëshpallur, por i përzgjedhuri i maxhorancës. Sepse pas atij takimi të kërkuar nga vetë ai me kreun e opozitës, ne kemi të drejtë të pyesim: çfarë i premtoi, vallë, Zaganjori Ramës nëse bëhet President? Dhe në emër të kujt ia premtoi, nëse e ka bërë një gjë të tillë? I vetmi argument që paraqiti Zaganjori ishte se ishte konsultuar me familjen e tij për të kërkuar një takim të tillë. Pas kësaj vlen të pyesim: ç’rol do të ketë familja në vendimet e tij si President, nëse do të zgjidhet i tillë? Për më tepër, Zaganjori u shfaq duke folur rreth së shkuarës së tij apo se çfarë bëri me miqtë e tij të nesërmen e propozimit, duke bërë perifrazime politike, por nuk foli për atë që ai mendon si një jurist i Gjykatës më të lartë të një vendi (e cila është në shërbim të ruajtjes së kushtetutshmërisë), pra nuk foli për të drejtat themelore të njeriut, për raportin e drejtësisë me demokracinë, për qëndrimet e tij ndaj krimeve të diktaturës, për çështjen e pazgjidhur të pronës, për çështjen e homoseksualëve apo atë të martesave brenda gjinisë. Pra ai foli për shumë gjëra dhe asgjë për atë që duhet. Duke u paraqitur në një profil të pastër politik dhe duke kërkuar takime të stilit politik, madje nga vetë ai ose nëpër lokale, ai veçse la shijen se nuk do ta ketë të lehtë të kapërcejë leqet e ngritura lehtësisht nga politika. E deri sa t’i njohë ato do të kenë kaluar shumë kohë, ose gati mandati i parë. E deri atëherë, thjesht mund të pranojmë që gabuam, por jo të fitojmë një kryetar shteti që mund të ngjitet në nivelin e simbolit dhe në garanci morale për atë që i duhet përçuar shoqërisë. Ndoshta takimi Berisha-Rama, apo raundi i sotëm, mund të arrijë të saktësojë Zaganjorin apo ndonjë emër tjetër. Por ne nuk duhet të heqim dorë për t’i kërkuar gjithkujt që do të përmendet për në kandidim që t’i njohë shqiptarët me atë çka mendon ai për çështjet më themelore të funksionimit të shoqërisë, pasi përveçse një garant i Kushtetutës, kreu i shtetit është një simbol. Madje, kjo e fundit shpesh kthehet në rëndësinë më të madhe të komunikimit.

© Panorama.al

Te lidhura