Policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar sot në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e të kërkuarit Ylli Zalla.
Policia thekson se Zalla, sapo ka konstatuar shërbimet e policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Në pranga u vu shtetasi Fatmir Alla, 55-vjeç, me akuzën e përkrahjes së autorit dhe të moskallëzimit të krimit, pasi dyshohet se kur ka konstatuar policinë, ka njoftuar Zallën dhe e ka ndihmuar të largohet nga banesa.
Ndërkohë në banesën e Zallës u gjet një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se 49-vjeçari nuk mundi ta merrte me vete, si dhe gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga policia e Lezhës. Ai po ndiqet në gjendje të lirë nga policia pasi dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Njoftimi i Policise:
Krujë/Operacion në fshatin Zallë, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar.
Operacioni, mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e 49-vjeçarit.
Në operacion DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Y. Z., në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Y. Z., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit Y. Z.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












