Ylli Kelmendi në Gjykatë: Mbaj armë me vete qëkur vranë “Mirin e Xhikes”

May 14, 2011 | 9:43

TIRANE – Ylli Kelmendi, një nga dëshmitarët okularë të ekzekutimit të Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) në Lundër në vitin 2003, mbante armë me vete dhe në shtëpi, pikërisht për shkak të pasigurisë që ndjente pas kësaj ngjarjeje. Por asnjëherë nuk i ka përdorur ato për ndonjë qëllim kriminal. Të paktën kështu ka pretenduar Kelmendi para togave të zeza, gjatë gjykimit të tij për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, në Gjykatën e Tiranës. Gjykata ka zbardhur vendimin e pak ditëve më parë, sipas të cilit Ylli Kelmendi u dënua me 18 muaj heqje lirie. Në arsyetimin e vendimit të shpallur nga gjyqtarja Ankelina Gazidede, pasqyrohej deklarimi i Ylli Kelmendit në cilësinë e të pandehurit. “Armët i kam mbajtur për shkak të pasigurisë që unë kam ndjerë që nga viti 2003, kur kanë mbetur të vdekur shokët e mi dhe njëri nga këta, ortaku im. Asnjëherë nuk kam bërë ndonjë gjë të keqe. Këto armë nuk i kam përdorur për ndonjë qëllim kriminal. Nuk kam dashur të sulmoj njeri. Unë nuk kam grabitur njeri dhe as nuk kam vjedhur njeri”, citohej deklarimi i Kelmendit në vendim. Sipas vendimit, gjatë gjykimit, i pandehuri Kelmendi ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë për të. Ylli Kelmendi u arrestua në 1 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë, teksa kishte një armë zjarri me vete. “Me datë 01.12.2010, rreth orës 13:00, patrulla e Policisë së Shtetit ka marrë një njoftim se në lokal ’Relax’, që ndodhet në Rr. ’Xhorxh Bush’, ndodhet një person i armatosur. Menjëherë pas marrjes dijeni të këtij njoftimi, patrulla e Policisë së Shtetit ka shkuar në atë vend. Gjatë kontrollit të ushtruar, është konstatuar se i pandehuri Ylli Kelmendi, në momentin e hyrjes së punonjësve të Policisë së Shtetit në lokalin ku ndodhej dhe vet ai, ka nxjerrë nga brezi një armë luftarake dhe ja ka lënë në tavolinën ngjitur shtetasit A.K. Pas konstatimit të këtij fakti, është bërë kapja në flagrancë e shtetasit Ylli Kelmendi. Më pas, duke qenë në kushtet e flagrancës, është ushtruar kontroll në vendbanimin e shtetasit Ylli Kelmendi. Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjendur e sekuestruar një armë zjarri mod.56, një armë zjarri kalibër 9 mm si dhe 1050 copë fishekë luftarakë, të cilat mbaheshin pa leje të organeve kompetente”, thuhej në vendimin e gjykatës. Gjykimi ndaj Ylli Kelmendit në Gjykatën e Tiranës u zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Për këtë shkak, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit prej 27 muajsh, duke u dënuar përfundimisht me 18 muaj.

© Panorama.al

Te lidhura