Në disa shtete, si p.sh. Jordania, Maroku, Brunei, etj., në krye të qeverisjes janë monarkë (mbretër, sulltanë etj.) dhe qeverisjet e tyre janë opake e autokratike. Kështu, mbreti i Marokut Mohamedi VI (edhe pse po përpiqet kohët e fundit të bëhet më i “dashur” me qytetarët e tij), në shumicën e kohës ka qeverisur me dorë të fortë, duke i burgosur kundërshtarët e tij. Në Brunei, qeverisja e mbretit sunit, Hamad bin Isa al-Khalifa, e ka shtypur shumicën shite, bile në gushtin e kaluar u arrestuan disa qindra aktivistë dhe opozitarë përpara zgjedhjeve parlamentare, për të mos rrezikuar pushtetin.
Nën trysninë aktuale është rritur mbështetja qeveritare për familjet me të ardhura të ulëta, ndërkohë që, mbi të gjitha, kërkohen reforma reale në vend.
Në fakt, proceset demokratike të fundshekullit të 20-të gati-gati i “anakronizuan” monarkitë. Bile, ato, në shumicën e rasteve, shiheshin si një relikt përkundrejt zhvillimeve demokratike botërore. Megjithatë, në fillim të shekullit të 21-të, mjaft fakte po flasin ndryshe, mbi të gjitha për monarkitë kushtetuese demokratike. Kështu, në Belgjikë, ku qeveria është praktikisht në një kolaps të vërtetë, mbreti Albert II ka qenë dhe mbetet figura kryesore në moslejimin e shpërbërjes së vendit, duke ndërmjetësuar midis politikanëve e forcave politike. Në Tailandë, kaosi, jo rrallë, ka pushtuar rrugët e Bangkokut, por ka qenë mbreti ai që ka ndërhyrë në zgjidhjen e krizave në momente. Në këtë kuptim, vitet e fundit po rritet respekti ndaj monarkëve të tillë dhe qeverisjeve të tyre demokratike-kushtetuese.
Monarku kushtetues si figurë uniteti
Një ilustrim i qartë është rasti i Belgjikës. Siç u tha pak më sipër, monarku luan aty rolin e arbitrit midis politikanëve. Në Britaninë e Madhe, pas zgjedhjeve të majit 2010, mbretëresha Elizabeta nxiti kontaktet politike, që përshpejtuan krijimin e koalicionit qeverisës midis konservatorëve e liberalëve. Një rol të tillë ndërmjetësues e unifikues ka luajtur e luan mbreti Juan Carlos në Spanjë. Pra, në një kuptim të tillë, monarku në një monarki kushtetuese shfaqet përpara kombit si një figurë bashkuese për kapërcimin e krizës, për moslejimin e fuqizimit të spirales së saj apo, në përgjithësi, për të mundësuar ndryshime serioze brenda një vazhdimësie demokratike regjimi. Dhe kjo del në pah jo vetëm në monarkitë kushtetuese evropiane. Edhe në vende në zhvillim, monarkët po shërbejnë si figura të unitetit kombëtar, parandaluese të konflikteve etnike e fisnore. Këtë bëri Kamboxhia (monarki kushtetuese) në fillim të viteve ’90 pas luftës civile e mizorive të Kmerëve të Kuq. Mbreti Norodom Sihanuk, pasi u rikthye në atdhe pas luftërave të viteve ’70 dhe ’80, mbështeti fuqishëm tranzicionin e Kamboxhias drejt demokracisë në fillim të vitit 1990 deri në vitin 2004, kur ai, për arsye shëndetësore, abdikoi në favor të birit (më 2004-n). Gjatë mbretërimit të tij ai ka pasur përplasje të forta me kryeministrin Hun Sen, sidomos kur ky i fundit, pas zgjedhjeve, po tentonte të akumulonte një pushtet gati diktatorial. Vetë mbreti, duke goditur me forcë taktikat e kryeministrit për fuqizimin e pushtetit, ka luajtur, në mjaft raste, rolin e mbrojtësit të qytetarëve ndaj abuzimeve të këtij kryeministri.
Në Tajlandë, mbreti ka shfrytëzuar shpesh fjalimet publike për të kritikuar politikanët e korruptuar, fitimet e padrejta dhe, mbi të gjitha, ethen e tyre për pushtet. Veçse, me gjithë mitin popullor të mbretit si një figurë bashkuese, ndërhyrjet e tij jo rrallë janë perceptuar si një mbështetje ndaj elitës së Bangkokut apo kundërvënie ndaj grupimeve politike të lidhura me popullsinë rurale. Në rastin e Butanit (monarki demokratike kushtetuese), vetë monarku ka qenë një mbështetës dhe nxitës në realizimin e zgjedhjeve demokratike. Në Spanjë, mbreti ishte një nga frymëzuesit kryesorë të transformimit politik spanjoll pas vdekjes së Frankos. Gjithashtu, mjaft nga këta monarkë kanë nxitur e udhëhequr zhvillimin ekonomik e social-kulturor të vendit. P.sh., në Butan, qytetarët mund të shfrytëzojnë sot gjerësisht internetin, televizionin satelitor, etj. Mbreti Abdullah I i Arabisë Saudite (që shfaqet sot si një monarki absolute islamike), në periudhën e fundit ka nxitur jo pak reforma ekonomike e sociale, që e kanë “tretur” deri diku fuqinë konservatore të ndërtesës fetare, duke rritur investimet në edukim, kërkim etj….
Përmirësim perceptimi
Pra, ndryshe nga ndijimi popullor i gati 15-20 viteve më parë, mjaft më tepër republikan dhe më pak monarkik, sot situata shfaqet pak më ndryshe. Kjo ndeshet dhe në një pjesë të opinionit publik. Kështu, p.sh., në Holandë, 70% e të anketuarve e mbështesin monarkinë dhe ruajtjen e saj, në Spanjë 65%, në Japoni 82%. Madje, në këto vende, sipas sondazheve popullore, institucioni i monarkut gëzon një respekt shumë më të madh ndaj institucioneve të tjera publike. Aq më tepër që në rastin e monarkive kushtetuese europiane monarkët janë dukshëm mbi partitë politike apo orientimet partiake të veçanta, duke shërbyer kështu si burim e kolonë kryesore uniteti, autoriteti e identiteti kombëtar. Si i tillë, monarku (ai apo ajo) shërben si qendër e pavarur fuqie që kontrollon impulset negative të politikanëve të zgjedhur, gjë që në SHBA mund ta arrijë pjesërisht Senati dhe plotësisht Gjykata e Lartë Federale. Deri diku, në Mbretërinë e Bashkuar, në mungesë të ndërhyrjes së mbretëreshës, këtë e luan dhe Dhoma e Lordëve. Këtë bën, praktikisht, edhe një president ceremonial si ai i Gjermanisë apo i Izraelit. Veçse në ndryshim nga presidenti (p.sh., ai i zgjedhur nga Parlamenti), monarku, krahas dallimit të madh në kohëzgjatje të fuqisë, në imagjinatën publike është më unik dhe krejtësisht neutral, pse jo dhe tërësisht unifikues. Në një farë mënyre, mbreti, ndryshe nga presidenti, mishëron një autoritet gati-gati mitik, duke garantuar më shumë traditë e stabilitet, të ushqyer dhe kultivuar brez pas brezi apo të edukuar në mënyrë historike.
Roli i monarkut kushtetues në zbutje të dispersitetit.
Roli i monarkëve në disa vende demokratike europiane po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm me rritjen e shumëllojshmërisë dhe thellimin e johomogjenitetit të popullsive në këto vende. Kështu, po rritet numri i emigrantëve brenda tyre dhe, nga ana tjetër, vetë këto vende europiane po dorëzojnë gradualisht pjesë të identitetit të tyre kombëtar drejt superstrukturave të tilla, siç është vetë BE-ja e institucionet e saj. Kjo e bën unitetin kombëtar më të vështirë dhe në këtë këndvështrim roli bashkues dhe unifikues i monarkut po fiton një përmasë të re. Këtë rol, p.sh., ka luajtur e luan mbreti i Suedisë, Karli XVI Gustaf. Njëlloj, në Holandë, mbretëresha Beatriçe ka shfrytëzuar fjalimet e saj publike për të tërhequr vëmendjen mbi tolerancën etnike e fetare, pikërisht në kohën kur politikanë radikalë të djathtë dhe antiislamistë krijuan shqetësime tepër serioze. Edhe në rastin e abuzimeve politike, ekonomike, gjyqësore apo në fushën e sigurisë, sidomos me fuqizimin tej ligjor e kushtetues të politikanëve kryesorë, monarkët kanë dhënë dhe japin kontribut të konsiderueshëm në mbrojtjen dhe respektimin e lirive njerëzore e publike. Po këtë gjë është përpjekur që ta bëjë edhe Dhoma e Lordëve, sidomos në kufizimin demokratik të pushtetit ekzekutiv apo të pushteteve të tjerë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për institucionin e presidentit, qoftë dhe kur ai është tërësisht honorifik. Në raste të ngjashme, edhe ky i fundit duhet të ndërhyjë në emër të qytetarëve të tij. Por, kjo nuk do të thotë që të rigjallërohen në mënyrë artificiale monarkitë! Por, ama, po bëhet e tejet domosdoshme të modernizohen ato në funksion të zgjerimin e demokracisë…
Reformimi demokratik-kushtetues i monarkive të Gjirit
Në dekadat e fundit, 6 monarkitë e Gjirit: Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara, Katari, Bahreni e Omani janë konsideruar si kolona të fuqishme stabiliteti në një hapësirë gjeografike tepër të brishtë. Megjithatë, ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë tronditur jo pak Bahrenin dhe Omanin, duke lënë gjurma jo të vogla dhe në katër vendet e tjera. Ata duhet të reagojnë në kohë për t’iu përgjigjur me shpejtësi e mençuri “Pranverës Arabe”. Në fakt, në këto vende, në shumicën e rasteve, protestat janë kufizuar në reforma demokratizuese, brenda sistemit, jo ndryshimit të tij. Madje, deri diku, familjet mbretërore ende gëzojnë aty një shkallë të lartë legjitimiteti: jo vetëm nën “magjinë” e naftës dhe gazit, por dhe në sajë të përpjekjeve për dekolonizim, ndryshimeve të konsiderueshme ekonomike e sociale, shkollimit etj. Nuk duhen harruar dhe kriza të tilla në rajon, si: përmbysja e monarkisë në Iran, 8 vjet gjakderdhje në luftën Iran-Irak, pushtimi irakian i Kuvajtit, rrëzimi i regjimi Sadam Hysenit etj.
Veçse, një gjë e tillë nuk mund të vazhdojë për jetë. Duhet ndryshuar, midis shtetarëve dhe shtetasve, “kontrata sociale” e fuqisë së lidhur ngushtë me pasurinë, që zëvendësoi dekada më parë traditat fisnore. “Pranvera Arabe” hapi derën e një epoke të re në marrëdhëniet politike dhe shkallën e demokratizimit në Lindjen e Mesme. Qytetarët e Gjirit, duke i vënë në pikëpyetje këto marrëdhënie, tashmë anakronike, kanë rritur kërkesat e tyre legjitime për më shumë të drejta social-politike dhe pjesëmarrje. Pikërisht, përgjigjja sa më e shpejtë, pa “marifete” monarkike, ndaj tyre mund të ruajë vetë legjitimitetin e familjeve mbretërore. Sepse koha nuk është në anën e tyre. Aq më tepër që përpjekjet në të kaluarën për rritjen e pjesëmarrjes qytetare kanë qenë fare të pamjaftueshme. Kështu, “Shura”, si organ konsultativ, në ngjashmëri me Parlamentin në Perëndim, është krijuar nga familjet mbretërore në shërbim të pushtetit të tyre. Si i tillë, ai pasqyron interesin e këtyre familjeve. Eksperimenti i Kuvajtit, ku Parlamenti ka marrë një rol funksional në qeverisje, përfaqësimi në pushtetin vendor me zgjedhje (për 50% të këshilltarëve) në Arabinë Saudite, apo hapa të tjerë të realizuar deri tani kanë qenë gati-gati kozmetikë në kuptimin e një reforme reale politike, të përqafuar nga publiku dhe pjesëmarrjen e tij. Pra, si parim bazë ka qenë përzgjedhja nga “nomenklatura” monarkike, por jo zgjedhje reale nga vetë populli. Po kështu, në shumicën e rasteve, pozicionet çelës (nga kryeministri deri te ministrat kryesorë), mbahen nga anëtarët e familjes mbretërore apo kontrollohen prej saj. Në këtë kuptim, vendet e Gjirit janë ekonomikisht mjaft të pasura, por politikisht mjaft të varfra. Prandaj, dhe mjaft iniciativa e “incentiva” ekonomike të qeverive në Gji, që me nisjen e revoltave popullore, rezultojnë jo efektive, madje pa prekur thelbin e problemeve kryesore ekonomike-strukturore si papunësinë kronike, pabarazinë e theksuar në shpërndarjen e të ardhurave dhe të pasurisë, etj. Për më tepër, në se me to synohen të trajtohen disa shqetësime ekonomike me mbështetje shtetërore, duke lënë fare mënjanë kërkesat politike për një pjesëmarrje qytetare, brishtësia dhe e keqja mbeten po aty! Në këtë optikë, premtimet e vagëta dhe jo efektive, “mbytëse” ndaj emocionit popullor, nuk mund të jenë më të mjaftueshme për një kohë më të gjatë. Përkundrazi, këto monarki duhet të gjenerojnë e fuqizojnë mekanizmat kushtetues demokratikë për garantimin e të drejtave qytetare për liri të shprehjes, zbatimin e ligjit dhe pjesëmarrjen politike. Prandaj, me shpejtësi kërkohet reformimi politik e fuqizimi i institucioneve legjislative. Një hap po aq i rëndësishëm është emërimi (caktimi, zgjedhja) e kryetarit të qeverisë (kryeministrit) jashtë linjës monarkike, gjë që nënkupton shtrirjen e përzgjedhjes (votimit) te qytetarët. Dhe, mbi të gjitha, të shmanget në kushtet aktuale rrëzimi i monarkisë me ndonjë grusht ushtarak apo “grusht” popullor. Familjet mbretërore, duke pretenduar një mbështetje të gjerë amerikane (si aleatë kundër terrorizmit), nuk mund të ushtrojnë dhunë për të imponuar qetësinë e stabilitetin. Përkundrazi, çdo vonesë reforme reale mund të bëhet për ta e rrezikshme!
© Panorama.al












