TIRANE- Xhamia që prezanton Bashkia, do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 2500 metra katrorë. Në dokumentet e Bashkisë specifikohet edhe një shifër tjetër prej 2930 metra katrorë. Toka gjendet përballë Pallatit të Shkrimtarëve, te gropa, ose mbi ish-disko Albanian. Në këtë vend, Komuniteti Mysliman zotëron një sipërfaqe toke prej rreth 850 metrash. Toka tjetër, që duhet sipas Bashkisë për ndërtimin e xhamisë, është në zotërim të pronarëve tiranas të dyqaneve të Pazarit të Vjetër. Këta të fundit, në një letër publike drejtuar Presidentit Topi, kryeministri Berisha dhe tre ambasadorëve të SHBA, BE dhe OSBE, kërkojnë ndërhyrjen urgjente për zgjidhjen e problemit të pronësisë.
“Ne qytetarët pronarë të truallit dhe dyqaneve të Pazarit të Vjetër, të prishura gjatë kohës së regjimit komunist të viteve 1960, dua t’i bëjmë me dije Bashkisë së Tiranës, qeverisë, trupit diplomatik dhe mbarë opinionit publik, aktin më të fundit mashtrues të kryebashkiakut Edi Rama. Sot, në vitin 2011, Edi Rama kërkon të ndërtojë “xhaminë e shumëpritur”, të besimtarëve myslimanë të Tiranës, pikërisht në vendin ende të lirë, të pazënë nga betoni bashkiak, duke shpërfillur në mënyrë përbuzëse pronarët e truallit”, thuhet në letrën e 88-të familjeve të vjetra të Tiranës. Sipas tyre, veprimi i Bashkisë është një shuplakë tjetër pas atij të qeverisë komuniste që i mori tokat.
“Pasi humbëm mjetet e jetesës nga shkatërrimi i pronës nga Enver Hoxha, tani duhet të humbasim edhe trojet në mes të Tiranës”. Pronarët, firmat e të cilëve tregojnë qartë se janë të familjeve autentike Tiranase, e mbyllin letrën me kërkesën për ndihmë. KY është një rast flagrant i dhunimit të njërës prej të drejtave themelore të njeriut, të drejtës së pronës. Me akte të tilla dhunuese ndaj pronës dhe individit, Shqipëria nuk mund të zërë vendin e vet në familjen europiane. Lutemi ndërhyrjen tuaj për ndalimin e këtij dhunimi për herë të dytë në historinë e familjeve tona”.











