Xhamia, 100 studio në garë për projektin

Feb 26, 2011 | 10:57

Shpallet konkursi ndërkombëtar për xhaminë dhe Muzeun e Tiranës. Bashkia e Tiranës po merr në shqyrtim ofertat e paraqitura nga 100 studio, të cilat do të vijojnë të vlerësohen edhe sot. Ndërkohë mes tyre do të bëhet përzgjedhja e 5 studiove, të cilat do të vazhdojnë garën për fazën e dytë “Sot dhe nesër do të mblidhet komisioni i short-listimit, i cili do të shqyrtojë 100 kërkesat e dorëzuara për pjesëmarrje. Ky komision do të përfundojë punën e tij me seleksionimin e pesë studiove, të cilat do të vlerësohen si më të përshtatshmet për të vazhduar garën në fazën e dytë, për të na dhënë projekt-idenë e xhamisë së Tiranës dhe muzeut të bashkëjetesës fetare. Ky projekt do të jetë një projekt bashkëkohor që u përgjigjet të gjitha kërkesave të komunitetit mysliman po dhe kërkesave të qytetit të Tiranës”, tha Adelina Greca, arkitekte. Komisioni që do të bëjë vlerësimin e projektimeve, përbëhet nga 9 anëtarë, dhe ka në përbërjen e tij arkitektë ndërkombëtarë dhe vendës, përfaqësues të bashkisë, të komunitetit mysliman dhe të shoqërise civile. Konkursi për xhaminë në qendër të Tiranës është organizuar në dy etapa. Faza e parë ishte një “thirrje për Pjesëmarrje”, drejtuar gjithë arkitektëve vendës dhe ndërkombëtarë, ndërsa faza e dytë është “Etapa e Projektimit”, drejtuar 5 studiove të përzgjedhura në fund të fazës së parë. Konkursi u shpall në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si edhe në faqe të ndryshme në Internet, të specializuara për publikimin e njoftimeve të ngjashme. Thirrja për pjesëmarrje u dërgua gjithashtu edhe nëpërmjet adresave të e-mail-it, të regjistruara në database-n e institucionit tonë. Më datë 21 Shkurt u mbyll Faza I e Konkursit, e cila priti interesin për pjesëmarrje të studiove të ndryshme nga mbarë bota. Kjo fazë rezultoi të kishte një interesim të jashtëzakonshëm, përtej çdo pritshmërie tonë.  Në mbyllje të Fazës I kanë aplikuar plot 100 studio, nga 28 vende të ndryshme të botës. Britania e Madhe, Portugalia, Spanja, Franca, Italia, Belgjika, Holanda, Gjermania, Danimarka, Republika Çeke, Rusia, Lituania, Ukraina, Austria, Sllovenia, Kroacia, Bosnja & Herzegovina, Kosova, Rumania, Bullgaria, Greqia, Turqia, Qipro, Japonia, Australia, Egjipti, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

© Panorama.al

Te lidhura