
Që nga qershori, Zvicra ka një “buzëqeshje të re” në kombëtaren e vet, Granit Xhakën. Aktualisht në moshën 19-vjecare, i shpallur kampion bote me U-17, ky futbollist përbën një siguri për të ardhmen e kombëtares helvetike. Si pjesë e Bazelit, ai tërhoqi menjëherë vëmendjen e Otmar Hitzfeld, i cili dëshiron të ndërtojë një kombëtare të Zvicrës jo vetëm sot për sot, por edhe për nesër. Në këto plane bën pjesë edhe Granit Xhaka.
Ky futbollist është elegant, i qetë dhe frymëzimin e ditës e merr nga futbolli. Me një teknikë mbresëlënëse, shquhet edhe për orientimin e lojës. Kur ne flasim për të ardhmen e kombëtares zvicerane, priremi për të parë “fluturimet” e Xherdan Shaqirit. Një tjetër lojtari të Bazelit, krejt origjinal në veprimet e tij, nga ka mësuar edhe Xhaka.
Granit, familja juaj vjen nga Kosova, po ju ku keni lindur?
Në Zvicër, në Bazel kam lindur. Ashtu si Taulanti, vëllai im. Disa burime informacioni, duke përfshirë këtu edhe “Ëikipedia”, kanë njoftuar se kam lindur në Kosovë, por kjo nuk është e vërtetë. Për mbi 25 vjet, prindërit e mi jetojnë në Zvicër. Unë jam zviceran, kam edhe pasaportë zviceriane.
Pra, ishte e qartë zgjedhja juaj për të luajtur me kombëtaren helvetike dhe jo me Shqipërinë?
Po, që nga fillimi. Sigurisht, në vena kam gjakun e Kosovës, nuk e mohoj, por kam lindur në Basel, u rrita dhe luaj futboll aty. Pra, zgjedhja e fanellës së kombëtares zviceriane ishte mjaft e logjikshme.
Zgjedhja është bërë pa presion?
Jo, nga familja ime nuk ka pasur asnjë lloj presioni për këtë gjë. Prindërit e mi kanë mbështetur gjithmonë mua, zgjedhjet e mia. Ne, natyrisht, kemi biseduar së bashku, por zgjidhja erdhi shumë shpejt dhe e qartë. Më duhet të pranoj se kjo zgjedhje, pavarësisht se ishte e qartë në mendjen time, nuk ishte e lehtë në praktikë.
Na tregoni …
Nuk ishte presion, jo. Drejtuesit e futbollit në Shqipëëi ishin interesuar për mua, përpara interesimit të Federatës Zvicerane të futbollit. Unë s’i kisha mbushur ende 17 vjec, kur më kërkuan të luaja për Shqipërinë. Personi që më kontaktoi dhe më tha të përfaqësohesha me kombëtaret e Shqipërisë ka qenë Lorik Cana, ish-kapiten i Olimpikut të Marsejës, aktualisht luan me Lacion. Pas tij më kontaktuan edhe drejtues të federatës atje. Por, pa insistuar më shumë se kaq, në të vërtetë. Ndërkohë, Zvicra kishte filluar kontaktet dhe ftesat për mua, kështu që zgjodha Zvicrën, siç ishte planifikuar. Më pas ka patur disa raste të dhimbshme për mua. Përmes “Facebook”-ut, apo edhe nga disa gazeta shqiptare, më kanë trajtuar si tradhtar.
Si ka qenë kontakti juaj i parë me Otmar Hitzfeld?
Kjo ndodhi një ose dy muaj para se të luanim në Angli (shënim: në qershor). Kanë qenë prindërit e mi, një anëtar i Federatës Zvicerane të Futbollit dhe Otmar Hitzfeld në këtë takim pune. Në fillim mbeta i befasuar, se si ai ishte interesuar për mua. Ai moment ka qenë i mahnitshëm, ka vendosur përfundimisht për zgjedhjen time mes Zvicrës dhe Shqipërisë, sepse kam qenë pak i lëkundur fillimisht. Ai më tha se besonte tek mua për të ardhmen.
Marrë nga “Tribune de Genève”











