Xhafaj: Referendum edhe për plehrat e kufirin detar

Aug 8, 2012 | 12:43

Rruga e vetme për referendum është që amendimet kushtetuese të miratohen nga Parlamenti me 2/3. Për këtë, maxhorancës i duhen sërish votat e opozitës. Duke iu referuar vendimit 25/2009 të Gjykatës Kushtetuese, deputeti i PSsë, e njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se opozita është e hapur për sfidën e referendumit popullor që kërkon Kryeministri. Deputetët e PS-së do të votojnë vetëm nëse trajtohen 4 çështje madhore që shqetësojnë realisht shqiptarët. Deputeti i PS-së, e njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, në një komunikim me mediat renditi dje imunitetin, reformën në Drejtësi, ndalimin e importit të plehrave dhe ndalimin e marrëveshjes për cenimin e kufirit detar si preokupimet e vërteta të qytetarëve. “Këto janë çështje reale që preokupojnë shqiptarët dhe për të cilat duhet të kërkohet shprehja e vullnetit të shqiptarëve. Ne jemi shumë dakord për një referendum popullor, jo për tekat e Kryeministrit, por për problemet madhore që preokupojnë realisht shqiptarët, siç janë drejtësia, mjedisi dhe territori i vendit”, tha Xhafaj. Ai shtoi se opozita është e gatshme të përballet me Kryeministrin për këtë sfidë “qytetarët kanë të drejtën të vendosin për tema të tilla madhore. Le t’i dëgjojmë ata”, tha Xhafaj. Sipas Xhafajt, qëndrimi i opozitës për çështjen e imunitetit ka qenë i qartë.

© Panorama.al

Te lidhura