Partia Socialiste është e hapur për të negociuar me maxhorancën për secilën prej 10 pikave të paktit të bërë publik pak ditë më parë nga kreu i saj, Edi Rama. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, shprehet se opozita është e gatshme të ulet me të djathtën dhe të pranojë edhe alternativat e saj për arritjen e një konsensusi të gjerë. “Nuk është çështje pikash dhe numrash. Mundet maxhoranca të ketë një qasje tjetër për disa nga këto elemente, ose mund të ketë propozime të reja. Kryetari i PS-së, drejtuesi i Grupit Parlamentar socialist, vetë grupi ka shprehur qartazi që ky është një projekt tërësisht i negociueshëm dhe është i hapur që secila nga palët të ketë mundësinë të bëjë sugjerimet e veta përmirësuese. Ne nuk jemi duke bërë një pakt me Sali Berishën, nuk jemi duke bërë një pakt me qeverinë, por një pakt me Kushtetutën, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit me qytetarët e këtij vendi”, u shpreh dje deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku opozita votoi kundër një akti normativ të qeverisë për heqjen e varrezave të makinave buzë rrugës. Sipas përfaqësuesit të selisë rozë, Partia Demokratike duhet të heqë dorë nga konfliktualiteti dhe të marrë në konsideratë propozimet e ardhura nga opozita. Fatmir Xhafaj u shpreh më tej se në asnjë nga 10 pikat e paktit të propozuar nuk përmendet çështja e zgjedhjes së Presidentit vitin e ardhshëm. “Ka një keqkuptim në atë propozim të bërë nga ana e opozitës. Nuk ka në mënyrë eksplicite në atë projekt një propozim të adresuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo është e vërteta. Nëse maxhorancës i djeg pikërisht kjo gjë dhe jep përgjigje për një gjë që s’ia kërkojnë, kjo është një çështje tjetër, jo një çështje që u përket propozuesve”, theksoi më tej sekretari ligjor i PS-së. Pak ditë pasi kreu i opozitës bëri publik paktin që iu ofrua maxhorancës, Kryeministri Berisha foli të hënën vetëm për dy pika të këtij pakti, pikërisht për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, duke injoruar tetë pikat e tjera.
Humbja në qark, përplasje për një mandat
BERAT – Socialistët përplasen me demokratët në komunën e Vërtopit. Shkak është bërë heqja e mandatit të një prej anëtarëve të PS-së në këshillin e komunës, i cilësuar si “tradhtar” për njërën prej votave që shpallën fitues kreun e qarkut të Beratit pak ditë më parë. Këshilli i komunës vendosi që të zhvillojë një mbledhje për heqjen e mandatit të anëtarit të Këshillit të Qarkut, Shpëtim Allajbeu, dhe për t’ia dhënë këtë mandat njërit prej socialistëve të tjerë të komunës. Sipas deputetëve Erjon Braçe dhe Marko Bello, në kohën kur po zhvillohej mbledhja mbërritën në komunë drejtori i Arsimit të Beratit, Beqir Baçi, ministri Genc Pollo dhe drejtues të tjerë institucionesh vendore. “Në momentin e fillimit të mbledhjes së këshillit të komunës, drejtori i Arsimit dhe shefi i kuadrit kërcënuan tre këshilltarët e komunës që nëse votojnë heqjen e mandatit të këshilltarit të qarkut, do të hiqen nga puna. Ne kërkojmë nga ministri i Arsimit që urgjentisht të largohet nga detyra ky drejtor”, u shpreh Braçe. Mbledhja ka përfunduar në orët e pasdites, ku nuk u arrit heqja e mandatit të Allajbeut, pasi shumica e këshilltarëve nuk e votoi këtë.
ADI SHKEMBI











