Për të dytin vit radhazi, sulmuesi vlonjat, Daniel Xhafaj, ka arritur të fitojë trofeun “Këpuca e Artë”, duke realizuar 18 gola këtë sezon. Kjo është një provë e mirë se futbollisti 34-vjeçar vazhdon të mbetet një ndër sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar. “Për kampionat mund të flasim vetëm për dy fazat e para, pasi në fazën e tretë dihet si u bë loja. Duke iu referuar pjesës së parë të kampionatit, Flamurtari tregoi se ishte një skuadër serioze pretendente për ta fituar titullin. Pastaj, dihet çfarë do të ndodhte në fazën e tretë, ku do t’i kishim të gjitha ekipet kundër. Megjithatë, pas gjithë atyre sulmeve, ne arritëm të mbijetonin, duke u kualifikuar për në Kupat e Evropës dhe, natyrisht, kjo nuk është pak, ndaj këtë gjë drejtuesit duhet ta vlerësojnë. Për sezonin e ardhshëm, e rëndësishme është se nuk ka më zgjedhje, kjo ishte arsye kryesore që Flamurtari nuk arriti dot të fitonte titullin kampion”, ka thënë lojtari. Por Xhafaj nuk është ndier mirë, teksa drejtuesit po mendojnë të blejnë sulmues të tjerë. “Sigurisht që nuk ndihem mirë, pasi po të shikosh statistikat e sulmit të Flamurtarit, ato janë nga më të mirat e Superligës. Sa ka shënuar sulmuesi më i mirë i Skënderbeut, aq kanë shënuar mesfushorët te Flamurtari. Ndërsa sulmi ynë ka realizuar një sasi më të madhe golash, ku unë vetëm kam shënuar 18 gola dhe, po ashtu Plaku do të realizonte 7 gola. Prandaj, në këtë drejtim nuk jam shumë dakord me drejtuesit e klubit”, ka vazhduar ai. Xhafaj prek edhe temën e afrimit të Pero Pejiçit, si dhe dëshirës së shprehur nga drejtuesit për uljen e rrogave. “Këto janë punë që i dinë vetëm drejtuesit e Flamurtarit. Unë për veten ndihem mjaft mirë me Sebinon (Plaku), pasi kishim filluar të bënim shumë gjëra të bukura në fushë. Këtë javë do të ulem me drejtuesit për të folur për kontratën. Pastaj do të vendos në do të jem pjesë e Flamurtarit edhe për sezonin tjetër. Megjithatë, ulja e rrogës nuk është mënyra e vetme që klubi të ulë financat e tij. Pasi ka shumë e shumë mënyra të tjera për të ulur shpenzimet”, ka përfunduar Xhafaj.











