
Mbetet mister fati i 61 pikturave të fondit të Galerisë së Arteve në Korçë, mes të cilave 27 të Vangjush Mios. Pas kontrollit dhe verifikimeve që iu bënë tablove të piktorit Xega, rezultoi se ato ishin punime vetjake duke rrëzuar akuzat ndaj tij. Dy ekspertët e mbërritur nga qyteti i Pogradecit kanë bërë verifikimin lehtazi për 466 tablo, pasi punimet e Xegës janë kryesisht në miniaturë, por ato kurrsesi nuk mund të ngatërrohen me krijimet e të madhit Vangjush Mio. Ish-nxënësit e Mios, Roland Karanxha dhe Vangjush Vasili, kanë kapërcyer vështirësinë që hasën një ditë më parë hetuesit për të bërë verifikimin, duke ndihmuar kështu në këtë çështje. Pasi u analizuan të gjitha veprat e bllokuara në shtëpinë e ish-përgjegjësit të fondit të Galerisë, dy piktorët pogradecarë arritën në përfundimin se 463 piktura ishin punime të vetë Xegës, ndërsa tre të tjera dhurata: një prej punimeve i përkiste pikërisht vajzës së vetë piktorit, një tjetër ishte dhuratë e një piktoreje greke dhe e treta, dhuratë nga një mik i Sotiraq Xegës. Pas verifikimit, Xega është thirrur në polici për të marrë mbrapsht mallin e sekuestruar. Nën prezencën e tij, një furgon i Policisë dhe një makinë tjetër janë mbushur me piktura dhe së bashku me Xegën janë rikthyer në Drenovë. Në shtëpinë e pensionistit piktor, oborri, madje edhe korridori, u mbuluan nga pikturat e rikthyera pas verifikimit. Një larmi ngjyrash, motivesh, përmasash të vendosura në kornizë ishin të përziera në atë sipërfaqe, ndërsa Xega qëndronte i përlotur. Piktori nuk ngre gishtin ndaj askujt, por tregon thjesht atë që ka ndodhur, duke treguar dy raste kur ka qenë dëshmitar i dëmtimit të derës së Galerisë.
Zoti Xega, asnjë pikturë nuk rezultoi e vjedhur. Si ndiheni?
I lumtur që pikturat e mia u kthyen në shtëpi. Dola me sukses se jam i pastër dhe tani jam i qetë se pikturat e mia janë në shtëpi. Unë jam artist, e dua Mion dhe veprën e tij, por jo vetëm Mion. Kjo çështje është krijuar nga ata që kanë vjedhur veprat. Nuk dua të fajësoj askënd, por ia lë Drejtësisë në dorë. E rëndësishme për mua është që unë dola me sukses. E di që policia vijon të më ketë ende nën hetim, por jam i pastër. E vërteta fshihet brenda.
Ju dini diçka më tepër?
Kjo imja është si punë e telenovelës. Unë do të flas kur të rritet audienca, tani për tani kam thënë aq sa duhet. Po pres Drejtësinë të veprojë.
Ka pasur inventar ndonjëherë në këtë Galeri?
Absolutisht jo. Ka pasur një inventar, i bërë gati prej vitit ‘72 dhe prej atij viti ne firmosnim atë inventar vetëm formalisht. Unë punoja vullnetarisht. Më thanë firmos këtu, firmosa. E kam pasur shok Ladin dhe e besova.
A është hapur ndonjëherë dera e arkivave pa dijeninë tuaj?
Po, 2 herë, një herë në shtator të vitit të kaluar dhe një herë tani para dy muajsh, kur unë refuzova të bëja dorëzimet. E zura njërin me fishekë në dorë, pasi e kishte hequr nga çelësi. O çelsaxhi i thashë, po mundohesh kot, nuk hapet ajo derë. Lajmërova te qendra kulturore ekonomistin, zbriti poshtë dhe në atë kohë vjen drejtori Vladimir Topi dhe tha: “Hë mo, ik se marrim fishek tjetër, po lëre”. Ndërsa në shtator unë isha larguar në Greqi për disa ditë dhe kur erdha e gjeta derën të shkallmuar dhe i kishin vënë ca kartonë dhe kompesato, të cilat vetëm me këmbë që po t’i shtyje pak binin. I kam njoftuar, ua kam thënë, nuk e kanë çarë kokën fare. Në vend që unë të vija të kallëzoja në polici, unë vajta u rrëfeva në Bashki.
Si mund të kenë dalë ato piktura nga fondi?
Atë nuk mund ta them, se me sytë e mi nuk kam parë njeri, por ama ka qenë një njeri i brendshëm, se ai që është jashtë nuk e di sesi i ruaj unë këto vepra, ku dhe se çfarë vlere kanë. Di të them që në ekspozimin e fundit të veprave të Mios u zhdukën tri punime. Për këtë deklarova dhe në Bashki, por nuk ma vuri njeri veshin, të gjithë bënin shurdhin.
Policia
Pasi është rrëzuar edhe dyshimi se mes punimeve të piktorit Sotiraq Xega mund të gjendeshin 61 punimet e humbura nga fondi i galerisë së arteve figurative në Korçë “Guri Madhi”, Policia do të nisë hetimet në pista të reja. Sipas burimeve të rezervuara, ende nën hetim janë punonjësit e Galerisë, pasi dyshohet që këto vepra arti mund të jenë brenda territorit të Shqipërisë, por nuk përjashtohet kërkimi edhe përtej kufirit. “Tashmë ne informacionin e kemi përcjellë në të gjitha shtetet fqinje dhe sigurisht në rast se ato konstatohen, qoftë përmes pikave të kalimit kufitar, apo edhe nëse merren informacione për vendndodhjen e tyre jashtë Shqipërisë, ne do të njoftohemi”.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











