Juria e vlerësimit përbëhej nga Vera Grabocka, Alketa Vejsiu, Arif Ziberi (Elita 5) & Big Mama. Me moton ”Edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë talent” ka filluar gara muzikore në qytetin e Tetovës në audicionin e organizuar ditën e mërkurë, ku të pranishëm kanë qenë mbi 400 kandidatë, të cilët kishin ardhur për të treguar talentin e tyre. Duke mos dashur që të anashkalohen edhe shqiptarët e kësaj ane, producentet Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu me stafin e tyre pas Kosovës kishin udhëtuar edhe drejt Tetovës, për të përzgjedhur talentet e asaj ane. Përzgjedhja ka qenë shumë e vështirë, pasi shumica e të paralajmëruarve kish dashur të merrte pjesë në edicionin e dytë të ”X Factor”, që do të mbahet në Tiranë. Përveç Verës dhe Alketës, në juri të këtij audicioni kanë qenë edhe këngëtarët e njohur Arif Ziberi (lider i grupit Elita 5), si dhe këngëtarja Big Mama, e cila së bashku me redaktorin e Alsat-M, Jellmaz Dervishi, kanë qenë iniciatorët e parë që ky show i talenteve të organizojë audicion edhe në Maqedoni. Nga 400 kandidatë të paraqitur të mërkurën, janë përzgjedhur vetëm 40 prej tyre që do të vazhdojnë garën drejt Tiranës.











