TIRANE- Ambasadroi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth tha sot se partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e madhe që kanë për të siguruar që këto zgjedhje të jenë një sukses i vërtetë.
Komentet ambasadori i OSBE-së i bëri gjatë një intervistë për agjencinë e lajmeve “Albania Daily News”, ku u shpreh se zgjedhjet duhet të përmbushin standartet ndërkombëtare dhe partitë politike e kanë për detyrë të sigurojnë që gjithë votuesit të votojnë në një atmosferë të qetë e paqësore e që vota e tyre të numërohet.
“Unë shpresoj që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku brenda kuadrit të Kodit Zgjedhor. Është një Kod i krijuar me bashkautorësinë e të dyja palëve, kështu që asnjëra palë nuk duhet ta ketë të vështirë ta drejtojë anijen zgjedhore “Shqipëria” drejt ujërave më të patrazuara e më të qeta. Duhet të respektohet vërtet shteti i së drejtës – kjo është e vetmja rrugë. Po të kemi parasysh ambiciet e Shqipërisë për integrim, ky vend nuk mund t’i lejojë vetes një përsëritje të asaj çka ndodhi pas zgjedhjeve të 2009-ës. Nuk ka më kohë për t’u humbur”- shprehte Wollfarth.
Në lidhje me pozicionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ëollfarth shprehte se “KQZ-ja duhet ta vendosë interesin publik mbi çdo presion politik”
Duke iu referuar mundësisë së braktisjes së komisioneve nga ana e komisionerëve, ambasadori i OSBE- së shprehet qartë se nuk mund të ketë asnjë lloj bllokimi apo braktisjeje nga asnjëra palë.
“ Komisionerët duhet të qëndrojnë në krye të detyrës e t’i shërbejnë publikut. Në këtë pikë, mendoj se është e rëndësishme të sqarohet mirë se ekziston vetëm një listë ligjore zgjedhësish. Çfarëdolloj përpjekjeje, nga kushdoqoftë, për të prezantuar ndonjë lloj liste zgjedhësish të dytë “të privatizuar” është absolutisht e kundërligjshme dhe duhet të dënohet pa asnjë kusht nga të gjitha partitë politike që respektojnë shtetin e së drejtës. Të gjitha rastet e tilla duhet të trajtohen siç duhet nga sistemi i drejtësisë”- tha ai.
Wollfarth bëri me dije gjithashtu se gjatë ditës së votimeve OSBE do të ndihmojë policinë, duke i siguruar asaj disa telefona satelitorë për përdorur në zonat më të thella të vendit, ndërsa shton se pret nga policia të luajë një rol të paanshëm dhe profesional ashtu sic ka luajtur në dy zgjedhjet e fundit.
Ai ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që më 8 maj të dalin në zgjedhje dhe të japin verdiktin e tyre për qeverisjen vendore.
“Duke pasur në mendje aspiratat e Shqipërisë për t’u integruar në Evropë, tani është koha e duhur që gjithë shqiptarët ta marrin në dorë procesin në mënyrë që të shohim zgjedhjet që populli meriton me të vërtetë. Shqipëria ka bërë një përparim të konsiderueshëm gjatë 20 viteve të fundit dhe asgjë nuk e pengon të ketë një të ardhme të mirë nëse qytetarët kontribuojnë tani”
© Panorama.al











