Withers: Si flisnin direkt Berisha e Rama pas Gërdecit

Sep 8, 2011 | 10:21

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka trajtuar në disa kabllograme konfidenciale edhe marrëdhëniet mes Berishës e Ramës.Në një prej tyre, që ai e cilëson si “dashuri deri në qiell”, ish-ambasadori thotë se para hyrjes në NATO, të dy liderët kishin një komunikim direkt me njëri-tjetrin dhe flisnin për çdo detaj në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor. Withers thotë se një gjë të tillë ia konfirmuan vetë dy liderët në takime të veçuara që ata kishin zhvilluar me të në lidhje me zhvillimet politike në vend. “Përsa i përket reformës elektorale, Berisha i tha ambasadorit se ‘unë dhe kreu i PS-së, Edi Rama, i kemi rregulluar të gjitha’. Ai tregoi se të dy kishin pasur biseda direkt. Kryeministri dhe kreu i PS-së do të kenë probleme me partitë e tyre të vogla të koalicionit, por ata thanë: ‘Do të vijojnë. Do të jemi në kontakt dhe do të vendosim’. Nxitja vinte nga rëndësia e dy reformave vendimtare për Shqipërinë, të cilat dukeshin më të rëndësishme se marrëdhëniet mes dy liderëve. Berisha tha disa herë se në lidhje me të dyja reformat, gjyqësore dhe zgjedhore, që të dyja palët kishin kompromis, ndërsa çështjet ishin ngritur haptazi. Ai përfundoi duke thënë: ’Ne jemi në rrugën e duhur, dhe kjo klimë mund të vazhdojë. Ne jemi të gjithë duke punuar në mënyrë të drejtë’. Ambasadori takoi veçmas edhe kreun e PS-së, Edi Rama, në të njëjtën ditë. Ai nuk po fliste specifikisht për reformat, por tha se sjelljet e të dyja palëve ishin pozitive dhe të barabarta mes tyre”, thuhet në një nga kabllogramet e vitit 2008. Kjo marrëdhënie duket se ka ndikuar tepër pozitivisht për ftesën për në NATO, sa edhe ambasadori e thotë këtë në komentin e tij drejtuar Uashingtonit. “Ne nuk po hapim shampanjë akoma, por në Shqipëri progresi mund të vijë shumë shpejt. Megjithatë, për momentin, euforia rreth pritjes së Pavarësisë së Kosovës dhe perspektivën e arritjes së qëllimit mbështetur njëzëri për një ftesë në NATO, mund të ndërtojë ura përtej egove. Nëse arrihen këto reforma para Samitit të Bukureshtit, atëherë do të ishte një rezultat në interes kombëtar. Duhet që një ftesë të vijë në Bukuresht dhe do të jetë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për SHBA, që publikisht t’i njohin të gjitha kontributet e palëve për përpjekjet jo vetëm të qeverisë”, thotë Withers.
Zgjedhjet 2007
Në një tjetër kabllogram të bërë nga diplomatja Rize në vitin 2006, thuhet se kreu i qeverisë, Berisha, ka thënë që Rama ka si qëllim t’i shtyjë zgjedhjet lokale, pasi ka frikë të kandidojë. Sipas këtij kabllogrami, Rama ia kishte kërkuar Metës dhe Gjinushit të kandidonin. “Berisha tha se strategjia e opozitës është për të shtyrë zgjedhjet lokale. Kryebashkiaku i Tiranës, kreu i opozitës, Edi Rama, kishte kontaktuar goxha njerëz, duke përfshirë edhe liderët e partive të vogla, Ilir Meta dhe Gjinushi, për të kandiduar në vend të tij në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Të dy e kishte refuzuar. Berisha mendon se Rama ka frikë se ish-kryeministri Nano ka llogaritur të kthehet në krye të PS-së nëse Rama humbet zgjedhjet lokale”, thuhet në kabllogram të vitit 2006.

Ndryshimi i marrëdhënies Berisha-Rama

Në një kabllogram tjetër trajtohet ndryshimi i marrëdhënieve mes Ramës dhe Berishës dhe një gjë e tillë erdhi pas Gërdecit. “Dy ditë pas shpërthimit të Gërdecit, lideri i opozitës, Edi Rama, kishte telefonuar ambasadorin amerikan, John Withers, duke i premtuar atij se nuk do të përpiqej të krijonte krizë qeveritare. Por, pak javë më vonë, në një takim personal me ambasadorin, Rama deklaroi kategorikisht se: “Kryeministri Berisha duhet të largohet”. Në një monolog të gjatë, Rama i referohet paaftësisë së Berishës, korrupsionit në administratën e tij dhe faktet e reja që dilnin në dritë për tragjedinë”, thuhet në kabllogram. Më tej thuhet se Rama e bëri të qartë se me gjithë situatën e vështirë politike gjatë dy javëve të ardhshme, kjo mund të ketë pasoja më të rënda për ftesën e Shqipërisë për në NATO, në qoftë se aleatët skeptikë europianë merren me këtë çështje për të provuar se Shqipëria mbetet e ngathët për anëtarësim në NATO.

© Panorama.al

Te lidhura