Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka analizuar edhe përbërjen e Parlamentit pas zgjedhjeve 2009, ku nuk ka kursyer kritikat duke përfolur çdo deputet.Në një nga kabllogramet e shumta, Withers analizon deputetët e rinj duke i cilësuar si grup intrigues, ndërsa të tjerët i cilëson si figura që ruajë staturën e tyre politike, duke menaxhuar edhe biznese. Ai flet me një gjuhë aspak diplomatike, duke thënë se ka edhe deputetë banditë. Më poshtë, kabllogrami i plotë:
Operatorët janë veteranët politikë, të cilët kanë qenë në lojë prej disa kohësh. Në Partinë Demokratike (PD) këta emra përfshijnë të tillë si Jozefina Topalli dhe deputetët që i kanë qëndruar me besnikëri Berishës në kohët e sfidave shumë të vështira, të tilla si Gërdeci, skandali i rrugës Durrës-Kukës, si dhe probleme të tjera thelbësore. Për PS-në, kjo kategori ndahet më tej në manjatë të ndërtimit dhe politikanë të vjetër, më të vendosur me interesa më të vegjël biznesi. Të vjetrit me ndikim të madh në PS përfshijnë emra si Arta Dade dhe Ermelinda Meksi. Grupi i dytë përfshin njerëz si Pandeli Majko, Arben Malaj, Ben Blushi dhe Kastriot Islami, të cilët arrijnë të mbajnë statusin e tyre politik, ndërsa menaxhojnë edhe bizneset e tyre private. Ky grup i fundit ka qenë më kritik ndaj Ramës pas zgjedhjeve, ndoshta për shkak se bizneset e tyre nuk janë në varësi nga Rama, siç janë të tjerët.
Biznesmenët
Kjo kategori ka anëtarësimin më të gjallë. Njerëzit e biznesit në PS janë më të lehtë për t’u identifikuar dhe janë të ndarë në dy grupe: ndërtuesit dhe “bizneset e tjera”. Klubi i ndërtuesve vazhdon të rritet dhe përfshin jo vetëm disa nga “operatorët” e përmendur më sipër, por edhe emra të rinj që Rama i solli kur ai mori PS-në. Një shembull i mirë është kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Të tjerë në këtë grup janë në kampin Rama vetëm për para dhe mund të jenë më se të gatshëm për të kaluar në anën tjetër, nëse kjo u sjell përfitime. Për shembull, një deputet i PS-së në Durrës tashmë ka njoftuar synimin e tij për t’u bashkuar me koalicionin e PD-së. Grupi i “bizneseve të tjera” përfshin deputetë si Fidel Ylli, një ish-truprojë i cili arriti të bënte para nga kazinotë dhe duket se nuk ka asnjë lidhje me ideologjinë e PS-së. Lefter Koka i LSI-së është gjithashtu një shembull i mirë i biznesmenit që u kthye në deputet. Së fundi, disa deputetë janë banditë të thjeshtë. Këta deputetë e kanë bërë pasurinë e tyre përmes mjeteve të ndryshme dhe kanë tendencë për të ndryshuar parti, në qoftë se biznesi ua kërkon këtë. Ata mund të jenë shumë të pasur, kanë arsimim minimal dhe mund të jenë të dhunshëm. Shembulli klasik është Tom Doshi, i cili është deputeti më i pasur i deklaruar, me një pasuri të vlerësuar në 10 milionë euro, dhe që drejton biznese ndërtimi, farmaceutike dhe biznese të qumështit. Ai dyshohet gjithashtu edhe për drejtimin e disa ndërmarrjeve jo dhe aq ligjore.
Fytyrat e reja
Fytyra të reja janë një grup intrigues. Disa ishin përdorur për të arritur kuotën 30 për qind të grave në listat e partive, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor, ndërsa të tjerët ishin përdorur vetëm për fytyrat e tyre të reja. Në shumë raste, ata janë profesionistë të vërtetë, por në raste të tjera ata janë fillestarë. Për PS-në, emrat si ish-kryetarja shqiptare e Komitetit të Helsinkit, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni e Komitetit të Zhvillimit Gjinor të Aleancës, ose aktorja Luiza Xhuvani përfshihen në këtë kategori. Ka edhe të tjerë që nuk përmenden për ndonjë background të rëndësishëm, si Dashamir Tahiri i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI). Për PD-në, Gazmend Oketa është përfaqësues i turmës së fytyrave të reja. Fytyrat e reja të të dyja palëve kanë shumë gjëra të përbashkëta: ata priren të kenë studiuar jashtë vendit dhe flasin disa gjuhë të huaja.
Miqtë dhe familja
Së fundi, ka më shumë se disa deputetë që ishin vendosur në lista thjesht për shkak të besnikërisë personale apo ndaj partisë ose lidhjeve. Për shembull, disa janë të lidhur me anëtarë të tjerë aktivë në parti, ndërsa të tjerë janë miq të djalit apo vajzës së Kryeministrit Berisha apo Edi Ramës. Disa të tjerë u bashkuan me PS-në, pasi nuk i kishin mirë punët me Kryeministrin, ose u larguan nga PD-ja për arsye të tjera.
Koment
Për të dyja palët, deputetët, ndërkohë që zgjidhen nga populli, ishin emëruar personalisht nga liderët e partive, pra Rama, Berisha apo Meta, duke u dhënë udhëheqësve kontroll të jashtëzakonshëm mbi personat të cilët bëhen deputetë. Nëse kjo është apo jo pozitive, do të bëhet e njohur vetëm pasi Parlamenti të fillojë punën e tij në shtator. Fakti që 81 deputetë janë të rinj, është gjithashtu e rëndësishme dhe nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë në Parlamentin e ri. Në mënyrë të qartë, shumë nga deputetët janë zgjedhur vetëm për besnikërinë e tyre ndaj bosëve të partisë, pra perspektiva bipartiake mund të jetë mjaft e ulët. Megjithatë, për shkak të koalicionit të ngushtë dhe relativisht të dobët në pushtet midis PD-së dhe LSI-së, bashkëpunimi do të jetë i nevojshëm për legjislacione serioze. Ky koalicion gjithashtu shënon për herë të parë në historinë e Shqipërisë që një forcë “e majtë”, LSI, është kombinuar me një të “krahut të djathtë”, PD.
Withers
Loja e numrave në Kuvend
Ish-ambasadori flet më tej se të rinjtë nuk do të kenë ndonjë rol në Kuvend, ndonëse janë të shumtë. “Fakti që 81 deputetë janë të rinj është gjithashtu e rëndësishme dhe nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë në Parlamentin e ri. Në mënyrë të qartë, shumë nga deputetët janë zgjedhur vetëm për besnikërinë e tyre ndaj bosëve të partisë, pra perspektiva bipartiake mund të jetë mjaft e ulët. Megjithatë, për shkak të koalicionit të ngushtë dhe relativisht të dobët në pushtet midis PD-së dhe LSI-së, bashkëpunimi do të jetë i nevojshëm për legjislacione serioze. Ky koalicion gjithashtu shënon për herë të parë në historinë e Shqipërisë që një forcë “e majtë”, LSI, është kombinuar me një të “krahut të djathtë”, PD”, thotë Withers.
ShBA: Meta kërkoi 15 deputetë nga Rama
Ambasada amerikane në Tiranë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ndarjes mes Metës dhe Ramës, duke analizuar se problemi ishte ambicia e Metës për t’u bërë kryeministër.Në një kabllogram dërguar në Uashington, thuhet se Meta këkoi nga Rama 15 deputetë për LSI-në në zgjedhjet e vitit 2009, por që kjo kërkesë u refuzua nga Rama, pasi nënkuptonte postin e Kryeministrit. Më tej analizohet se pas largimit nga zyra e Ramës, kreu i LSI-së nisi menjëherë sulmet ndaj kreut të opozitës.Kabllogrami i hartuar nga zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Stephen A.Cristina, mban nënshkrimin “konfidencial” dhe flet konkretisht për marrëdhënien Rama-Meta. Më poshtë, teksti i kabllogramit të datës 7 mars 2008:
Spektri politik shqiptar ka ndryshuar, ndërsa kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se nuk do të jetë më pjesë e koalicionit të majtë. Meta ka regjistruar një tjetër koalicion dhe shpreson se do të tërheqë partitë e vogla në të majtë dhe ndoshta edhe ndonjë parti qeverisëse. Tensioni mes kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta është krijuar, ndërsa raportohet se Rama ka refuzuar kërkesat e Metës. Reforma zgjedhore në prag të NATO-s dhe bashkëpunimi Berisha-Rama duket se sollën ndarjen e PS dhe LSI. Nëse opozita mbetet e ndarë, kjo do t’i jepte Kryeministrit Berisha një avantazh në zgjedhjet e vitit 2009, siç ia dha edhe në vitin 2005.
Që prej zgjedhjeve të vitit 2005, kreu i LSI-së ka tentuar të faktojë luajalitetin e tij tek pesë partitë e koalicionit të majtë. Largimi i Metës nga koalicioni në këto zgjedhje çoi në dështimin e së majtës dhe rikthimin e PD-së në pushtet. Sipas të dhënave, rezulton se Meta takoi Ramën në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës dhe i paraqiti kërkesa specifike, mes të cilave ishte edhe ajo se LSI duhet të rritej nga pesë mandate deputetësh që kishte, në 15 të tilla pas zgjedhjeve të vitit 2009. Besohet gjerësisht se kjo nënkuptonte një kërkesë indirekte për postin e Kryeministrit. Kërkesat u refuzuan nga Rama”, thuhet në dokumentin e Ambasadës.
Sapo u largua nga zyra e Ramës, i frustruar, Meta nisi sulmin publik, duke sulmuar Ramën dhe integritetin e tij si një lider i së majtës. Performanca ishte thuajse e llojit të Metës kur ishte student në vitin 1990 apo kur drejtonte Forumin Rinor Eurosocialist”, thuhet në kabllogram. Në fillim të dokumentit thuhet se kjo situatë mes dy liderëve të opozitës do të favorizojë Berishën, njësoj si në vitin 2005.
Burime shumë pranë ish-kreut socialist, Fatos Nano, konfirmuan se Meta dhe Nano kishin arritur një marrëveshje gjatë një dreke që kaluan së bashku. “Prej gjashtë deputetëve, disa prej atyre që mbështetën kandidaturën e Bamir Topit për President si vullnet i Nanos, kishin shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Metën (koment. Marrëdhëniet me Nanon janë shoqëruar gjithnjë me thashetheme rreth marrëveshjeve dhe dështimeve, por asnjëherë të materializuara. Megjithatë, duhet nënvizuar se një ndër kritikët më të mëdhenj të Nanos në LSI ndaloi së kritikuari më tutje këtë personazh).
CRISTINA
Veliaj: Mund të fitoja 5 mandate, Braçe më vodhi votat në Berat
Në një kabllogram dërguar Departamentit të Shtetit, ish-ambasadori amerikan, John Withers, flet për një bisedë me kreun e G99, Erjon Veliaj. Sipas tij, Veliaj i është ankuar se një deputet i PS-së, Erjon Braçe, ka sabotuar votat e tij duke u thënë komisionerëve të PS-së që votat e G99 të cilësohen të pavlefshme ose të numërohen si të PS-së. “Veliaj tha se Erjon Braçe, një kandidat i PS-së në Berat, ‘sabotoi’ shumë prej votave të tij nga numërimi, duke i udhëzuar komisionerët që votat e G99 t’i kalonin PS-së. Ai tha se Berati ishte një prej rajoneve më të forta për G99, por shtoi se Braçe u kërkoi votuesve të mos votojnë për G99-ën, madje edhe bëri fushatë aktive kundër tij. Veliaj tha se ishte një gabim që nuk e ngriti këtë çështje me Ramën më herët. Ai shtoi se mijëra fletë votimi të G99 janë konsideruar si të kontestuara apo të pavlefshme, me arsye të ndryshme. Ai kishte vëzhgues gjatë numërimit, por nuk kishte mjaftueshëm për të shikuar të gjitha tabelat në të njëjtën kohë”, thuhet në kabllogram. Më tej, ish-ambasadori komenton se Veliaj i ka thënë më herët atij se do të fitojë mes 3 deri në 5 mandate në zgjedhje. Por, një strateg në PS i kishte thënë Withers-it se G99-ta është një “vizion i dështuar”. Sipas tij, Veliaj ka marrë mësime nga fushatat, por nuk mund të flasë kur bie fjala për të ardhmen. Më tej, ai shton se shumë vëzhgues e cilësojnë Veliajn si një oportunist dhe aspak si një preson që kërkon ndryshim. Ish-ambasadori shton se Veliaj ka një ushtri të vogël me vullnetarë, që në një fundjavë i kishte dërguar edhe për pushime në Kroaci. Më tej, thuhet se G99 dështoi totalisht në zgjedhje, pasi nga 1.5 milionë qytetarë që morën pjesë në votime, G99 mori rreth 13 mijë vota gjithsej duke mos marrë asnjë vend në Parlament.
Berisha: Kabllogramet e Wikieaks, si pasqyrë e shtypit të përditshëm
Kryeministri Sali Berisha i ka quajtur kabllogramet e botuara nga Wikileaks për Shqipërinë si një pasqyrë e përditshme e shtypit vendës. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, ai u pyet edhe për materialet që kanë botuar mediat ditët e fundit. “Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo për sa i përket atij, për sa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë e njëqind për qind, por aty afër”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Në të njëjtën kohë, ai vuri theksin te marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ndërkohë që vlerësoi edhe ambasadorin e Uashingtonit në Tiranë, Aleksandër Arvizu. “Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë herë”, tha Berisha.
“Komenti im në ditët në vazhdim”
Presidenti Bamir Topi është shprehur dje se mbi përmbajtjen e kabllogrameve që po publikohen në media do të flasë në ditët e ardhshme. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun nga Hondurasi, kreu i shtetit tha se “Më vjen mirë që ju e konsideruat pyetje jashtë teme pa e bërë pyetjen. Nuk dua të krijoj asnjë klimë ofeze ndaj jush. E respektoj pyetjen tuaj, absolutisht, por besoj që takimi i sotëm është i tillë që na imponon t’i largohemi me vullnet që të mos përgjigjemi sot për këtë çështje, por duke lënë të hapur që në ditët në vazhdim të bëjmë komentet tona. Kështu që kërkoj dhe mirëkuptimin tuaj për shkak të këtij takimi që është shumë specifik me Presidentin e nderuar të Hondurasit”. Në kabllogramet e Wikileaks nuk janë të pakta dokumentet ku bën pjesë edhe Presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit në sytë e ish-ambasadorit Withers shikohet si pasardhës i Sali Berishës në krye të PD-së.
© Panorama.al











