Komisioni i Disiplinës ka hedhur poshtë kërkesën e Flamurtarit për të marrë tri pikët në tavolinë, pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen me Laçin më 25 prill.Ashtu sikundër ishte paralajmëruar edhe në media, Disiplina i ka cilësuar të pamjaftueshme faktet dhe pretendimet e ngritura nga klubi vlonjat. “Në bazë të fakteve të mbledhura nga hetimi i kryer nga inspektorët e Disiplinës, ka pasur hedhje të fishekzjarrëve në drejtim të lojtarit të Flamurtarit, por që nuk kanë shkaktuar dëmtime që mund të vinin në rrezik shëndetin e lojtarit dhe as shkaqe për ndërprerjen e ndeshjes për këtë veprim, sado i dënueshëm si i tillë. Për këto arsye, duke qenë se rasti nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe as në vijimin e mëtejshëm të saj pas ndërprerjes, nuk janë ekstremet e parashikuara nga KDS për dhënien e pikëve në tavolinë”, ka qenë argumentimi i bërë nga Komisioni i Disiplinës.
Paralajmërimi – Shtyrjet e vazhdueshme për të marrë një vendim, ngritja e një hetimi për shkallën e dëmtimit të

portierit, si dhe ankesa se futbollisti Shpëtim Moçka kishte refuzuar t’iu nënshtrohej testeve mjekësore, një javë pasi ishte dëmtuar, lanë të kuptohej qartë se Disiplina nuk do t’i jepte të drejtë Flamurtarit. Nën zë, në zyrat e Federatës flitej vazhdimisht se Moçka më shumë kishte stimuluar dhe e kishte fryrë dëmtimin, pasi në të vërtetë nuk kishte pësuar ndonjë gjë të madhe. Ndërkaq, vetë portieri i skuadrës vlonjate, pasi ishte marrë në pyetje nga dy inspektorët e FSHF-së, pati deklaruar se vendimi ishte marrë tashmë dhe se gjithçka ishte një shfaqje. “Mesa kuptova unë, Disiplina e ka marrë vendimin dhe kot po e zgjasin kaq shumë. Ata më zhgënjyen dhe u ndjeva i fyer”, deklaroi Moçka të hënën, duke lënë të kuptohej se vendimi do të ishte jo në favor të Flamurtarit.
Komisioni – Burime pranë Federatës bënë të ditur se ndër tre anëtarët e Komisionit, vetëm kryetari Eno Bushi ka qenë pro dhënies së fitores në tavolinë ndaj Flamurtarit. Megjithatë, thuhet se “vota” e tij është rrëzuar nga dy anëtarët e tjerë Ramazan Rragami dhe Saimir Dauti, të cilët kanë votuar kundër. Ndryshe nga sa ishte njoftuar një ditë më parë se Komisioni do të mblidhej pasditen e së martës, ky organ është mbledhur dje paradite dhe vendimi është publikuar pas orës 12:00.
Paradoksi – Mund të quhet një sjellje skandaloze ajo e Komisionit të Disiplinës, për sa i përket mënyrës se si po trajton çështjen e trukimit në kampionatin shqiptar. Vetëm pak ditë më parë, presidenti i skuadrës së Laçit, Pash Laska, akuzoi publikisht shefin e klubit të Flamurtarit se i kishte ofruar shuma të mëdha parash për t’i lënë ndeshjen. Laska e bëri këtë deklaratë në televizion, por nuk nisi asnjë hetim për këtë. Vetëm pak javë më parë FSHF nisi një hetim për disa ndeshje të përfolura, por 18 zyrtarët e thirrur për të raportuar, mohuan të kishte pasur ndeshje të paracaktuara, edhe pse u fol për teatër të hapur në ndeshjen Dinamo-Skënderbeu. Ndërkohë, akuzat publike të bëra së fundmi nga një drejtues klubi, injorohen tërësisht, duke i futur në rrjedhën e normalitetit akuzat për trukime dhe manipulime.
VENDIMET E DISIPLINËS
1. Mospranimin e kërkesës ankimore të KF-së “Flamurtari” për marrjen e pikëve të ndeshjes Laçi-Flamurtari në tavolinë, si të pabazuar në parashikimet e Kodit të Disiplinës Sportive. Në bazë të fakteve të mbledhura nga hetimi i kryer nga inspektorët e Disiplinës, ka pasur hedhje të fishekzjarrëve në drejtim të lojtarit të Flamurtarit, por që nuk kanë shkaktuar dëmtime që mund të vinin në rrezik shëndetin e lojtarit dhe as shkaqe për ndërprerjen e ndeshjes për këtë veprim, sado i dënueshëm si i tillë. Për këto arsye, duke qenë se rasti nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe as në vijimin e mëtejshëm të saj, pas ndërprerjes, nuk janë ekstremet e parashikuara nga KDS-ja për dhënien e pikëve në tavolinë.
2. Laçi, për hedhje të fishekzjarrëve në fushë me pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar dhe ndërprerjen e lojës për më shumë se 40 minuta, në bazë të neneve: 65, 66 e 67 të KDS, dënohet me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe 500.000 lekë gjobë.
3. Pranimin e kërkesës së paraqitur nga Përrenjasi. Heqjen e pezullimit të pjesës së mbetur të dënimit të dhënë për lojtarin Florian Boduri, me vendimin e datës 06.04.2011.
4. Ekipi i futbollit të femrave “Rubiku” për mosparaqitje në ndeshjen me Tiranën, humbet ndeshjen në tavolinë.
5. Ekipi i futbollit të femrave “Memaliaj”, për mosparaqitje në ndeshjen me “Shkëndija Durrës”, humbet ndeshjen në tavolinë.
6. Ekipi i futbollit të femrave “Dardania”, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin e femrave “Ada Velipojë”, humbet ndeshjen në tavolinë.
Kundër vendimit mund të behet ankim brenda tri ditëve në Komisionin e Apelit.
Vendimi, në kundërshtim me rregulloren
Komisioni i Disiplinës i është referuar edhe nenit 67 të Kodit të Drejtësisë, për vendimin që ka marrë dje për ndeshjen Laçi-Flamurtari 1-1. Megjithatë, pika B e këtij neni thotë shprehimisht se: “Në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera në fushën e lojës, duke shkaktuar dhunë ose ndërprerje të lojës, klubet, ku konsiderohen si mbështetës spektatorët kundërvajtës, dënohen me një milionë e pesëqind mijë lekë (të reja) gjobë dhe me ndalimin e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës për jo më pak se katër ndeshje”. Në fakt, fusha e Laçit u dënua vetëm me dy ndeshje pa spektatorë dhe me 500 mijë lekë (të reja) gjobë.
Reagon kreu i Flamurtarit, Shpëtim Gjika: Do t’i shpall “luftë” FSHF-së
“Duka ka bërë një krim ndaj Vlorës”
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, e ka cilësuar si një krim të kreut të FSHF-së, Armand Duka, vendimin që ka marrë dje Komisioni i Disiplinës për ndeshjen e shumëpërfolur në Laç. “Përderisa kërkesa e klubit të Flamurtarit është hedhur poshtë, nuk arrij ta kuptoj përse është dënuar fusha e Laçit. Madje, tashmë ne duhet të apelojmë për t’i hequr dënimin Laçit, se kështu i bie. Megjithatë, unë do të shkoja edhe më tej, pasi është pak ta quash absurde këtë vendim. Ajo që bëri dje Disiplina është në logjikën e gjërave të ndërtuara dhe organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Drejtuesit e kësaj të fundit, në bashkëpunim me politikën, morën këtë vendim. Edhe të vetmen gjë që kishte ngelur jashtë politikës, ata e politizuan. Ky është një skenar i organizuar në mënyrë fshatareske dhe nxjerr zbuluar FSHF-në, e gjithashtu drejtuesit e Skënderbeut. Unë do ta cilësoja një dënim politik i marrë karshi Flamurtarit”, ka thënë Gjika. Ai ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet dhe në rast se klubi vlonjat nuk merr fitoren në tavolinë, atëherë çështja do të shkojë në UEFA dhe FIFA. “Do ta çojmë këtë çështje edhe në institucionet ndërkombëtare, ku aderon FSHF-ja. Përderisa Flamurtari është anëtar në asamblenë e Federatës, sigurisht që kemi të drejtën tonë t’u drejtohemi edhe këtyre organizmave. E përsëris, që çështjen e këtij vendimi ne do ta kthejmë në një kauzë të madhe. Atë që ka bërë FSHF dhe Komisioni i Disiplinës, nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e titullit, por ka të bëjë me vënien e një drejtësie në futboll. Unë do të bëj gjithçka për të qenë një zë shumë i fuqishëm, madje shpresoj dhe besoj se nuk jam i vetëm në këtë “luftë”. Ky është një kampionat i fëlliqur, i drejtuar nga një palo federatë. Është e turpshme që FSHF, e cila duhet të jetë një shoqatë e pavarur, bëhet pjesë e një politike të ndyrë”, ka pohuar Gjika.
Xhafaj: Moçka bënte kot? Po Laçi pse u dënua?!
Për golashënuesin e Flamurtarit, Daniel Xhafaj, vendimi që ka marrë dje Komisioni i Disiplinës është skandali i radhës në futbollin shqiptar. Sulmuesi ka ironizuar me këtë vendim, duke thënë ndër të tjera se fusha e Laçit nuk duhej të dënohej, meqë portieri Moçka paska bërë si i dëmtuar. “Ky vendim është më shumë se absurd. Meqë sipas Disiplinës nuk ka ndodhur asgjë në ndeshjen Laçi-Flamurtari, atëherë pse duhet të dënohej fusha e Laçit?! Disiplina me këtë vendim pranon se ka pasur dhunë, por qëllimisht nuk na jep ndeshjen në tavolinë. Ky është një skandal i madh dhe shumë i turpshëm. Po luhet në kurrizin tonë. Megjithatë, ne jemi lojtarë dhe në fushë e kemi treguar që rivalit tonë, Skënderbeut, i kemi dhënë leksion. Ne prapë do ta bëjmë këtë në ndeshjen e fundit, sepse në fushën tonë nuk ndikojnë faktorë të jashtëm, por luhet futboll. Titullin e meritojmë 100%, por të tjerë kanë vendosur që duhet ta marrë Skënderbeu”, ka thënë Daniel Xhafaj.
© Panorama.al











