Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste për të shfuqizuar vendimin e KQZ-së për prodhimin e vulave rezervë.Në mbledhjen e djeshme, pesë gjyqtarët që përbënin trupën gjyqësore e vlerësuan si të pambështetur në prova dhe fakte kërkesën e PS-së. Në seancën gjyqësore, përfaqësuesi ligjor i forcës më të madhe të opozitës, Eno Bushi, tha se vendimi për prodhimin e vulave rezervë në numër të barabartë me qendrat e votimit në të gjithë vendin është akt normativ, pasi ka një shtrirje të gjerë gjeografike. Sipas tij, “vendimi i marrë nga KQZ për miratimin e modeleve të vulës rezervë është një akt normativ pasi përcakton rregullimin me fuqi juridike në të gjithë territorin e vendit, si dhe duke parashikuar hipoteza abstrakte duke mos e shteruar me një akt të vetëm zbatimin. Ky akt, sipas nenit 23, duhet të ishte miratuar me të paktën pesë vota të KQZ-së”, u shpreh Bushi. Një tjetër argument i juristit të PS-së ishte fakti se KQZ-ja ka kapërcyer kompetencat me marrjen e këtij vendimi për shkak se Kodi Zgjedhor parashikon prodhimin e vulave aq sa qendra votimi janë dhe vulat rezervë nuk janë një term i parashikuar në ligjin zgjedhor. “Nxjerrja e një akti të tillë në kundërshtim me procedurën dhe në kapërcim të kompetencave të KQZ-së, në vështrim të dispozitave të Kodit, e bëjnë vendimin që kundërshtojmë një akt të pavlefshëm. Ne kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit”, theksoi më tej përfaqësuesi i PS-së. Nga ana tjetër, juristja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Pasko, tha se vendimi për prodhimin e vulave rezervë përpara ditës së votimit nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e vendimeve që ka marrë ky institucion në proceset e kaluara zgjedhore. Sipas saj, në zgjedhjet e fundit është bërë i mundur prodhimi i vulave rezervë, pas vendimit të KQZ-së, vetëm kur është konstatuar humbja e vulës një ditë para zgjedhjeve. Ndërsa në rastet kur komisionerët janë larguar me vulën gjatë ditës së zgjedhjeve, ka qenë i pamundur dërgimi i saj në kohë në qendrën e votimit. “Në 2009-n, KQZ ka marrë disa vendime urgjente, pasi është njoftuar për humbjen e vulave në disa qendra votimi. Në qendrat e votimit me një vulë, ato u shpallën të pavlefshme. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ e kishte të pamundur të prodhonte vulë, pasi kërkonte kohë të caktuar për prodhimin dhe transportin e tyre. Vulat tashmë janë prodhuar dhe magazinuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hyrja e tyre në fuqi do të bëhet me vendim të KQZ-së”, u shpreh Pasko. Ajo hodhi poshtë pretendimin e PS-së se vendimi duhet të ishte akt normativ. “Vendimi për prodhimin e vulave nuk ka karakter të përhershëm dhe prandaj nuk është akt normativ. Ky vendim nuk është i shtrirë në të gjithë territorin, por ka një efekt për KQZ-në dhe Ministrinë e Brendshme që i prodhon”.
4865 vula rezervë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur pak ditë më parë që të prodhojë vula
rezervë po aq sa janë qendra votimi në të gjithë vendin. Në 12 qarqet janë 4865 ambiente ku do të votohet në zgjedhjet lokale të 8 majit. Në mbledhjen e KQZ-së nuk u pranua varianti që të prodhohen vula sa 20% e numrit të qendrave të votimit.
4 qendra votimi
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 u regjistruan katër raste kur komisionerët e njërës forcë politike u larguan së bashku me vulën dhe të gjitha fletët e votimit ishin vetëm me një vulë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në atë kohë vendosi t’i quajë të parregullta fletët me një vulë, siç e përcakton edhe Kodi Zgjedhor.
Durrës, u merr kartat për të mos votuar, nën hetim
DURRES – U merr kartat e identitetit, për të mos votuar të dielën, hetohet 56-vjeçari. Policia e Durrësit njoftoi dje nisjen e procedimit penal për shtetasin S.D. nga Durrësi, pas denoncimit të 49-vjeçarit H.D., po nga ky qytet. Ky i fundit ka kallëzuar të njohurin e tij, duke thënë se ai i kishte marrë kartat e 4 anëtarëve të familjes, kundrejt shpërblimit prej 20 mijë lekësh, me qëllim që ata të mos votonin më 8 maj. Policia e Durrësit u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të tillë.
Fletë votimi të reja për Fierin dhe Pogradecin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të djegë 3943 fletë votimi, të cilat ishin dëmtuar gjatë transportit në Fier dhe Pogradec, për shkak të motit të keq. Në të njëjtën kohë u mor vendim për të prodhuar fletët e reja, të cilat do të nisen sa më shpejt drejt këtyre dy qyteteve. Për qarkun e Fierit, fletët e votimit ishin të komunave Cakran dhe Qendër, ndërsa për Pogradecin i përkisnin qytetit dhe komunës Hudenisht. Në mbledhje, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi dhe Artan Laze kërkuan që të verifikohet dëmtimi i fletëve për katër qendrat e votimit.
Prokuroria: Kandidati i pavarur në Sukth, falsifikator
DURRES – Prokuroria e Durrësit provon dyshimet për falsifikim të dokumenteve nga ana e kandidatit të pavarur në Sukth, Hysen Llaca. Në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje kandidatura e tij të dielën, ndërsa vendimin do e marrë KQZ-ja. Hetimet e organit të akuzës nisën për Llacën pas denoncimit që ka bërë për të Partia Socialiste. Nga verifikimet, ka rezultuar se 4 nga tetë deklarimet mbështetëse të kandidaturës së Llacës ishin të falsifikuara. Një tjetër fakt që pritet të shqyrtohet është ai i dënimit me 8 muaj burg e 400 mijë lekë gjobë për Llacën, nga një hetim i nisur në vitin 2008 për akuzat e falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim, votimit më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkeljes së fshehtësisë së votimit në bashkëpunim. Këto akuza u ngritën për kohën kur vetë Llaca ka qenë kryetar Bashkie në Sukth. Ai ka drejtuar për 2 mandate rresht Bashkinë e Sukthit, që nga viti 2000 deri në vitin 2007, nën siglën e Partisë Socialiste. I larguar nga PS-ja në prag të fushatës elektorale, Llaca shpalli kandidimin e tij si i pavarur, për të kërkuar mandatin e tretë për Bashkinë e Sukthit. l.m
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











