
Vritet me thikë volejbollisti i Teutës. Juxhin Guza, 24 vjeç, humbi jetën disa orë pas ngjarjes së rëndë, e cila dyshohet se ka ndodhur në rrethana që ende nuk dihen.I riu është qëlluar tri herë me thikë në trup nga persona të panjohur, por njëra prej goditjeve i ka prekur venën kryesore, duke i shkaktuar vdekjen mbrëmjen e djeshme. Policia e Durrësit bëri të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit të djeshëm, në hyrje të pallatit të të riut, në Lagjen 5 të qytetit të Durrësit. Siç mësohet nga dëshmitë e dhëna paraprakisht mbi këtë ngjarje të rëndë, sportisti i “Teutës” sapo kishte përcjellë të motrën në shtëpi, edhe ajo sportiste e njohur, pjesë e skuadrës së volejbollit për femra në Durrës. Bazuar tek dëshmitë e ndryshme që ka siguruar policia dhe të afërm të sportistit të njohur të “Teutës”, mësohet se mbrëmjen e 12 shtatorit, menaxheri i ekipit kampion të “Teutës” në volejboll për meshkuj, Markelian Rexhepi, festonte 40-vjetorin e lindjes në një prej lokaleve të qytetit. Mes tyre ishte dhe një prej anëtarëve më të spikatur të skuadrës së volejbollit, i talentuari Juxhin Guza. Më vonë, ekipi i volejbollit të femrave të “Teutës”, ku aktivizohet motra e 24-vjeçarit, Rozalba Guza solli në Durrës lojtaret durrsake që morën pjesë në Kupën Ballkanike në Turqi. Ende pa u çmallur me të motrën, 24-vjeçari Juxhin Guza e përcjell atë në shtëpi me valixhe e më pas është larguar, me qëllim që të kthehej tek lokali që ai menaxhonte në qytetin e Durrësit. Si zakonisht, ai kthehej në shtëpi pas mesnate. Rreth orës 01:30, ai sapo kishte arritur në hyrje të pallatit të tij, kur i kanë dalë para disa persona. Sipas Policisë, autorët (dy ose tre të tillë), të cilët dyshohet se i kishin zënë pritë, janë përleshur me të. Ndonëse shtatlartë dhe i fuqishëm, 24-vjeçari e ka pasur të pamundur të mbrohet, për shkak të sulmit të papritur. Ai është qëlluar nga njëri prej autorëve tri herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ku më e thella ka qenë ajo në pjesën e kofshës. Autorët janë larguar me shpejtësi, pasi zhurmat janë dëgjuar nga banorët e pallatit. I ati i sportistit ka dalë me urgjencë, duke transportuar të birin drejt urgjencës së spitalit të Durrësit. Me gjithë terapinë intensive, i riu ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes, sipas mjekëve për shkak të hemorragjisë së madhe. Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjarët e Juxhin Guzës, por edhe mbarë opinionin publik. Nga ana e saj, Policia e Durrësit bën të ditur se po punohet për të zbardhur ngjarjen, por ende nuk ka ndonjë pistë konkrete. Fillimisht u dyshua se plagosja me pasojë vdekjen kishte si objekt grabitjen e sportistit, por më vonë u mësua se autorët nuk i kishin marrë asgjë. Sipas Policisë, i riu nuk kishte asnjë konflikt dhe njihej në komunitet si djalë i qetë dhe pa probleme, duke e bërë të vështirë zbardhjen e ngjarjes. E vetmja pistë ku po mbështeten hetuesit është ajo e ndonjë problemi për çështje personale të të riut dhe për këtë po merren në pyetje shokët dhe miqtë më të afërt të tij.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











