Ekzekutohet me pistoletë me silenciator instruktori i autoshkollës. Katër plumba i kanë marrë jetën Ndue Gjerkajt, 53 vjeç, i cili sapo ishte ulur në një lokal në lagjen “Perash”, pranë shkollës “Kol Idromeno” në Shkodër.
Krimi, i cili dyshohet të ketë pasur si shkak hakmarrjen, ndodhi në orët e para të mbrëmjes së djeshme, kur autorët qëlluan nga jashtë lokalit disa herë, duke lënë të plagosur dhe një klient. Viktima Ndue Gjerkaj sapo ishte kthyer nga kursi dhe si zakonisht kishte hyrë për të pirë kafe në lokal pranë banesës së tij, në afërsi të shkollës së ndërtimit “Kol Idromeno”. Gjatë kohës që ai ka qenë i ulur në një tavolinë pranë xhamit të jashtëm të lokalit, persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar nga jashtë në drejtim të tavolinës ku ndodhej viktima pesë herë me armë zjarri me silenciator. Plumbat kanë kapur në këmbë dhe një klient që ndodhej rastësisht në të njëjtin lokal. Në fillim nuk është marrë vesh asgjë, pasi nuk është ndjerë zhurma e plumbave, por kur kanë parë 53-vjeçarin të rrëzohej përtokë dhe të mbuluar në gjak, si dhe thirrjes së klientit tjetër që ishte qëlluar, atëherë është mësuar se çfarë kishte ngjarë. Dëshmitarët në lokal i kanë transportuar të dy personat drejt urgjencës së spitalit të Shkodrës. Gjerkaj, i cili kishte marrë katër prej plumbave në trup, nuk ka mundur të mbijetojë, ndërsa i plagosuri tjetër, pas ndihmës së parë, është jashtë rreziku për jetën. Me të marrë njoftim për ngjarjen, drejt zonës së krimit janë nisur forca të shumta policie, në krye të të cilëve kanë qenë drejtuesit më të lartë të kësaj drejtorie. Fillimisht janë marrë në pyetje personat që në ato momente kanë qenë në të njëjtin lokal me viktimën apo dhe të plagosurin. Nga dëshmitë e tyre nuk është bërë e mundur që të mësohet ndonjë e dhënë e rëndësishme, pasi ata kanë dëshmuar se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë. Nga brenda lokalit ka qenë tejet e vështirë të dallohej se kush ka qenë përtej xhamit të lokalit nga ku edhe është qëlluar, pasi rreth orës 18:30, kur ndodhi ngjarja, jashtë ishte tepër errësirë. Të dhënat paraprake nga hetimet e policisë flasin për një krim me motive hakmarrjeje. Hetuesit janë ndalur te një konflikt i ndodhur tetë vite më parë, kur djali i viktimës, Elvis Gjerkaj, ishte përfshirë. Më 26 nëntor të vitit 2003 mbeti i plagosur rëndë dhe më pas gjeti vdekjen shtetasi Vilfred Rroku, atëherë 17 vjeç. Në këtë ngjarje, djali i Ndues, Elvisi, ka qenë i përfshirë së bashku edhe me tre persona të tjerë bashkëmoshatarë të tij. Pas krimit të djeshëm, policia ka shoqëruar dhe persona nga familja e viktimës Rroku, por nuk bëhet e ditur nëse ka prova që ndonjë person prej saj të jetë autor i ekzekutimit të 53-vjeçarit.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











