Për një gërvishtje makine vrasin 19- vjeçarin. Një ngjarje banale ka këputur në mes jetën e Blerim Hoxhës, nga Xhafzotaj i Shijakut, djalë i vetëm i familjes së tij.
Policia e Durrësit ka kapur në kohë rekord tre të dyshuarit për vrasjen e të riut. Pas një aksioni të ndërmarrë nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Tiranës, është bërë i mundur arrestimi i tyre. Sipas Policisë, autorët e dyshuar të ngjarjes janë: Andrit Toçi, 21 vjeç; Armando Xheka, 18 vjeç; Ervis Xheka, 19 vjeç, që të tre banorë të kryeqytetit. Tre të rinjtë janë vënë në pranga nga policia në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ata akuzohen se kanë goditur disa herë me thikë 19- vjeçarin, e cili vetëm disa orë më vonë ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak.
Pasditen e së premtes, rreth orës 16:30, pas një përleshjeje ka mbetur i plagosur rëndë Blerim Hoxha, i cili u qëllua disa herë nga tre të rinj. Ngjarja e rëndë, e cila më vonë u kthye në tragjedi për familjen Hoxha, ndodhi në Fermë Sukth, vetëm disa metra larg qendrës së qytetit. Sipas Policisë, shkak për vrasjen e 19- vjeçarit është bërë një gërvishtje e makinës së tre të rinjve me atë të Hoxhës, ndërsa këta po shkëmbeheshin në mbikalimin e Sukthit, që lidh zonën me autostradën Tiranë-Durrës. Të dyja palët kanë dalë nga mjetet e tyre dhe kanë debatuar mes tyre. Fillimisht konflikti ka nisur me të shara mes të rinjve, ndërsa më tej ka degraduar deri në përdorimin e armëve të ftohta prerëse. I gjendur i vetëm, Blerim Hoxha nuk ka mundur t’u bëjë ballë moshatarëve të tij dhe është shndërruar në viktimën e këtij sherri. Ai është goditur disa herë me thikë nga tre të rinjtë, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, të rinjtë janë larguar me makinë, targën e së cilës ia treguan policisë, e cila nisi menjëherë nga puna për kapjen e tyre. Policia ngriti disa postblloqe në zonën ku ka ndodhur ngjarja. Në ndihmë të 19-vjeçarit kanë ardhur banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar edhe policinë.
Kanë qenë pikërisht ata që i kanë dhënë ndihmën e parë Hoxhës duke e dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Pasi ka marrë ndihmën e parë, i riu është dërguar në Spitalin Ushtarak, pasi mjekët e Durrësit konstatuan se gjendja e Hoxhës ishte shumë i rëndë. Sipas bluzave të bardha, 19- vjeçari kishte marrë disa plagë të shkaktuara nga mjete prerëse në pjesën e barkut dhe të kofshës. Mjekët thanë se ai kishte ardhur në gjendje të rëndë në spital, pasi nga plagët e marra kishte humbur shumë gjak. Por, edhe Spitali Ushtarak nuk e ka ndihmuar 19-vjeçarin për të mposhtur vdekjen. Vetëm disa orë pasi kishte mbërritur aty, ai ka ndërruar jetë. Hoxha është viktima e dytë brenda harkut kohor të 90 ditëve që vritet me armë të ftohta. Më herët, ish-volejbollisti i ekipit “Teuta”, Juxhin Guza, ka pasur të njëjtin fat me të. Edhe 24- vjeçari, pasi është qëlluar me thikë nga persona që janë ende të paidentifikuar, ka gjetur vdekjen disa orë më pas në spital.
LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











