
Një i vrarë dhe dy të plagosur është bilanci i konfliktit me armë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Selitë të Tiranës.Një konflikt i nisur prej një jave mes grave të autorit dhe viktimës u mbyll në mënyrën më tragjike mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15, në mes të pallateve ku banon pjesa më e madhe e komunitetit rom të Tiranës. Edhe protagonistët e ngjarjes janë banorë të këtij komuniteti. Policia dhe dëshmitarët okularë thanë mbrëmë për gazetën se ngjarja mund të kishte pasur përmasa edhe më të mëdha nëse autorit nuk do t’i bllokohej arma automatike tip “Kallashnikov”, me të cilën kreu vrasjen dhe plagosjen e dy personave. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë 15 minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, 26-vjeçari Arjan Mejdani, ndërsa është plagosur babai i viktimës, 45-vjeçari Sajmir Mejdanin dhe kunati i këtij të fundit, Arben Muharremi. Policia ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar të ngjarjes, në bazë edhe të deklarimeve të dhjetëra dëshmitarëve okularë që u kanë shpëtuar breshërisë së automatikut. Mësohet se është shpallur në kërkim i dyshuari kryesor i vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë, Artan Shaku, i cili, sipas burimeve, është ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes nga dy persona të tjerë, që gjithashtu janë identifikuar.
KONFLIKTI
Rreth orës 21:15, Policia e kryeqytetit është alarmuar nga një informacion në sallën operative për të shtëna me automatik në lagjen “Selitë”, ku banon komuniteti rom. Informacionet paraprake ishin për disa të plagosur, pasi dhjetëra persona ishin shtrirë në tokë nga frika e plumbave. Por, sapo policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka konstatuar tre persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Tre të plagosurit me armë zjarri janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku ka vdekur nga plagët e rënda 26-vjeçari Arjan Mejdani. Babai i tij, Sajmir Mejdani, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, ndërsa sipas mjekëve, kunati i tij, Arben Muharremi, e ka kaluar rrezikun për jetën. Ngjarja ka ndodhur përpara lokalit të viktimës pas një debati me autorin, një konflikt që sipas dëshmitarëve, kishte rreth një javë që kishte nisur mes bashkëshorteve të tyre që ziheshin çdo ditë me njëra-tjetrën. Në një moment, kur në lokal ndodheshin dhjetëra klientë, Artan Shaku ka drejtuar armën duke qëlluar me breshëri, por në një moment arma është bllokuar.
DESHMITARET
Ngjarja tragjike me një të vrarë dhe dy të plagosur u pa mbrëmë nga dhjetëra dëshmitarë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Sipas dëshmitarëve, bilanci i ngjarjes mund të ishte edhe më i rëndë në rast se autorit nuk do t’i bllokohej automatiku, të cilin ua kishte drejtuar klientëve të lokalit, të gjithë të një fisi, dhe po qëllonte.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











