Të paktën 33 palestinezë janë vrarë gjatë një vale të re sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës mbrëmjen e së martës, raportojnë Agjencia e Mbrojtjes Civile e kontrolluar nga Hamasi dhe burime spitalore, raporton BBC.
Sipas autoriteteve izraelite, sulmet u kryen si përgjigje ndaj shkeljeve të supozuara të marrëveshjes së armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Ministri izraelit i Mbrojtjes akuzoi Hamasin për një sulm në pjesën jugore të Gazës që vrau një ushtar izraelit të martën, si dhe për shkelje të kushteve që lidhen me kthimin e trupave të pengjeve të vrarë. Nga ana tjetër, Hamasi deklaroi se “nuk kishte asnjë lidhje” me sulmin dhe theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se “asgjë nuk do të rrezikojë armëpushimin”, por shtoi se Izraeli ka të drejtë të “përgjigjet” kur ushtarët e tij sulmohen.
Sipas dëshmitarëve dhe ekipeve të shpëtimit, sulmet izraelite goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në disa zona të Gazës, përfshirë Gaza City dhe Beit Lahia në veri, Bureij dhe Nuseirat në qendër, si dhe Khan Younis në jug.
© Panorama.al












