Sipas policisë, viktima është kthyer në shtëpi më vonë nga ditët e tjera, ndaj ka nisur edhe sherri me të shoqen Xhevrie Lahi. Ai punonte si elektricist në fshat dhe herë pas here duhet të kujdesej për kabinën dhe linjat elektrike të Sllovës. Natën e ngjarjes, ai ka mbërritur në banesë rreth orës 22:00. Por sapo është futur brenda, bashkëshortja 36-vjeçare ka nisur debatin me të për vonesën. Pas debatit që ka vijuar në sy të fëmijëve, në një moment, kur 40-vjeçari po i drejtohej kuzhinës, ai është goditur nga prapa me një thikë. Plaga i ka shkaktuar hemorragji të madhe, por njëkohësisht edhe dëmtime të organeve jetësore. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë janë bërë edhe dy fëmijët më të rritur të çiftit Lahi, 8 e 11 vjeç, ndërsa fëmija i tretë i tyre 2 vjeçar ka qenë në gjumë. Kur të miturit kanë parë babanë që ra në dysheme i mbuluar me gjak, kanë dhënë kujën me të madhe, duke vënë në alarm edhe fqinjët e tyre. Pasi dëgjuan britmat e fëmijëve, në banesën ku ndodhi ngjarja mbërritën fqinjët. Ata gjetën trupin e viktimës të mbytur në gjak në mes të shtëpisë. Ndërsa fëmijët që qanin me të madhe i kishte futur e ëma në dhomën tjetër të banesës, për të mos parë më tej skenën e përgjakshme. Më kot fqinjët janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë, pasi 40-vjeçari kishte ndërruar jetë. Banorët njoftuan edhe policinë për krimin e rëndë që kishte ndodhur brenda familjes Lahi. Blutë mbërritën në vend dhe ndaluan nënën e tre fëmijëve si autore të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Fqinjët deponuan se mes çiftit nuk kishte pasur herë tjetër konflikt kaq të rëndë sa të mund të përfundonte me vrasje. Burime nga policia bënë të ditur se paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie, pasi 36-vjeçarja dyshonte se i ndjeri kishte lidhje jashtëmartesore. Pas arrestimit, gruaja e ka pranuar krimin që kishte kryer, por sipas burimeve, ajo ka mohuar të deklarojë në lidhje me motivin që e çoi atë në vrasje. Policia tha se është duke hetuar edhe në pista të tjera për të përcaktuar shkakun e këtij krimi të rëndë. Gjer në orët e vona të darkës, nëna e tre fëmijëve nuk ka pranuar të japë dëshminë e saj për motivin e ngjarjes. Tashmë tre fëmijët e saj, 2, 8 dhe 11 vjeç mbetën krejt të vetëm, pasi edhe nëna e tyre do të vuajë dënimin për krimin e kryer prej saj.
DIBER/ HASAN PASHA











