Vrau policin e “Shqiponjave” gjatë operacionit në Maliq, Violand Braçellari kishte përfituar subvencione në bujqësi edhe pse ishte në kërkim prej vitesh

Jun 5, 2026 | 10:13

Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit Enea Meçollari dhe plagosjes së kolegut Edison Adri më 4 qershor në Maliq, kishte përfituar fonde nëpërmjet AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive edhe pse ishte në kërkim.

Violand Braçellari dhe vendi ku fshihej
Violand Braçellari dhe vendi ku fshihej

Burime të sigurta pranë familjarëve të Braçellarit bëjnë me dije se ai ka përfituar fonde për ngritjen e stallave të bagëtive.

Nuk dihet nëse ai i ka përfituar fondet në emër të tij apo të nënës, por ajo çka sigurojnë burimet është se 43-vjeçari pavarësisht se ishte në kërkim prej vitesh ka përfituar subvencione në bujqësi e blegtori.

Është e paqartë sesi një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i trajnuar ushtarakisht ka përfituar fonde publike kur njëkohësisht për të më parë ishin mobilizuar edhe forcat RENEA për ta kapur.

Operacioni për ta arrestuar u krye një ditë më parë në një zonë malore të Maliqit, pasi fshihej në një stan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë efektivi i Forcave Shqiponja Enea Meçollari, ndërsa u plagos Edison Adri. I plagosur mbeti gjithashtu edhe vetë autori.

© Panorama.al

Te lidhura